
Shqipëria dhe Vietnami kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për punësimin e punëtorëve vietnamezë në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkrua më 29 korrik në Vietnam nga Ministrja shqiptare e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe përfaqësues të Ministrisë vietnameze të Punëve të Brendshme, raportoi gazeta vietnameze Lao Dong.
Sipas marrëveshjes, punëtorëve vietnamezë do t’u garantohet trajtim i barabartë në marrëdhëniet e punës, si dhe paga, kushte pune dhe përfitime sociale në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Punëtorët nuk do të paguajnë shpenzimet e rekrutimit dhe të udhëtimit para nisjes nga Vietnami. Këto shpenzime do të mbulohen nga punëdhënësit.
Sipas palës vietnameze, Shqipëria ka nevojë për rreth 20 mijë deri në 30 mijë punëtorë të huaj. Kjo shifër i referohet kërkesës së përgjithshme për fuqi punëtore të huaj dhe jo një kuote të posaçme për Vietnamin.
Kërkesa është kryesisht për punëtorë me aftësi profesionale dhe njohuri të gjuhëve të huaja në turizëm, hoteleri, restorante, industri, ndërtim, bujqësi të teknologjisë së lartë dhe transport.
Shqipëria është shprehur gjithashtu e gatshme të bashkëpunojë për formimin profesional të punëtorëve vietnamezë përpara nisjes së tyre.
Institucionet përgjegjëse të të dy vendeve pritet të hartojnë planin për zbatimin e marrëveshjes, përfshirë kriteret e përzgjedhjes, trajnimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi nevojat e tregut shqiptar të punës.
Shpërndaje te miqtë
