Shqipëria po përballet me valën më të rëndë të zjarreve të kësaj vere. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra në të gjithë vendin. Paraditen e sotme, 12 prej tyre vazhdonin të ishin aktive.
Zjarret kanë prekur thuajse të gjithë Shqipërinë, nga Vau i Dejës dhe Mirdita në veri, deri në Përmet dhe Devoll në juglindje.
Situata më e rëndë paraqitet në rrethinat juglindore të Tiranës, në Krujë, Gurë-Lurë dhe në brezin Patos–Mallakastër.
Temperaturat e larta, thatësira, era dhe terreni i vështirë favorizojnë përhapjen e flakëve dhe riaktivizimin e vatrave që më parë ishin vënë nën kontroll.
Përfaqësues të qeverisë kanë deklaruar se disa prej zjarreve mund të jenë ndezur qëllimisht ose të jenë shkaktuar nga pakujdesia. Deri tani, megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë publike të dhëna hetimore që të përcaktojnë shkaqet e zjarreve.
Ku janë zjarret më të rrezikshme
Një zjarr masiv përfshiu dje Priskën e Madhe dhe u përhap më pas drejt Gurrës, Daiasit, Farkës dhe Lundrës. Flakët iu afruan banesave, bizneseve dhe bazës ajrore të Farkës.
Të paktën një shtëpi e pabanuar u dogj dhe disa familje u evakuan.
Në Lundër u ndërprenë përkohësisht energjia elektrike dhe furnizimi me ujë, ndërsa tymi mbuloi një pjesë të madhe të periferisë së kryeqytetit. Terreni i thyer pengoi afrimin e mjeteve zjarrfikëse, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen nga ajri.
Në Krujë u riaktivizuan vatrat në lagjen Abaze. Sipas raportimeve nga terreni, flakët arritën vetëm pak metra larg banesave.
Banorët larguan fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa forcat ushtarake dhe helikopterët u angazhuan për të mbrojtur zonat e banuara. Operacione të tjera po zhvillohen në Krastë dhe Halil.
Në Gurë-Lurë të Dibrës po zhvillohet një prej operacioneve më të mëdha. Në përpjekjet për shuarjen e flakëve janë përfshirë zjarrfikës, ushtarë, policë, punonjës të shërbimit pyjor dhe të zonave të mbrojtura, përfaqësues të pushtetit vendor dhe vullnetarë. Nga ajri po ndërhyjnë avionët “Air Tractor”.
Në Mallakastër vazhdon të përhapet zjarri në zonën pyjore Lofkënd–Ngraçije. Flakët kanë përfshirë pyje me pisha, shkurre dhe toka bujqësore në Riban, Panahor, Ngraçan dhe Lofkënd. Më 4 gusht, në fillim të operacionit, u evakuuan rreth 15 familje së bashku me bagëtitë dhe kafshët e tyre.
Zjarre aktive ka edhe në pyjet me pisha të Dajtit, pranë Selitës dhe mbi tunelet e Qafë-Mollës; në malin e Nemërçkës dhe malin e Dhëmbelit në Përmet; në malin e Moravës në Devoll; në Valcë–Tenë dhe Trojë të Mirditës; si dhe në Vaun e Dejës.
Sipas përditësimit të fundit të autoriteteve, këto vatra nuk rrezikonin drejtpërdrejt zonat e banuara. Por disa prej tyre ndodhen në terren të thepisur dhe të vështirë për t’u arritur, duke e bërë më të vështirë shuarjen e flakëve.
Mijëra hektarë të djegur
Bilanci i dëmeve është ende paraprak. Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje deri tani në Shqipëri janë djegur mbi 2 600 hektarë.
Përveç pyjeve, janë djegur ullishte, vreshta, pemë frutore, kullota dhe toka bujqësore. Flakët kanë rrezikuar gjithashtu banesa, biznese dhe bagëti.
Ende nuk ka një vlerësim zyrtar kombëtar për dëmet ekonomike dhe mjedisore.
Deri tani, përmasat e zjarreve të kësaj vere mbeten më të vogla se katastrofa e vitit të kaluar. Gjatë verës së vitit 2025 u dogjën rreth 59 mijë hektarë pyje dhe kullota, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit e vlerësoi dëmin në fondin pyjor dhe kullosor në afro 77 milionë euro.
Si po përgjigjet qeveria
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse, pesë helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”. Ministria thotë se në terren kanë qenë 839 forca operacionale.
Në rrjetet sociale janë ngritur kritika për gjendjen e disa prej mjeteve zjarrfikëse të përdorura në operacione. Sipas kritikëve, një pjesë e tyre janë të vjetra dhe kanë kapacitete të kufizuara për përballimin e zjarreve të përmasave të tilla.
Qeveria, nga ana tjetër, pretendon se kapacitetet për përballimin e zjarreve janë më të mëdha se një vit më parë.
Në fund të korrikut, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi deklaroi se Shqipëria ishte “më e përgatitur dhe më e koordinuar se kurrë”. Sipas tij, financimi për mbrojtjen civile është rritur nga rreth 800 milionë lekë në vitin 2025 në mbi 1 miliard lekë këtë vit.
Deri tani nuk janë raportuar humbje njerëzore. Por përhapja e njëkohshme e zjarreve në pjesën më të madhe të vendit, evakuimi i familjeve dhe riaktivizimi i vazhdueshëm i vatrave tregojnë se sistemi mbetet nën presion të fortë.
Vlerësimi i plotë i kësaj vale zjarresh do të mund të bëhet vetëm pasi të jenë shuar flakët. Atëherë do të duhet të përcaktohen shkaqet, të përllogariten dëmet dhe të vlerësohet nëse masat parandaluese të marra para fillimit të sezonit kanë funksionuar.
Shpërndaje te miqtë
