Shqipëria dhe Serbia po diskutojnë hapjen e konsullatave në Bujanoc dhe Shkodër

Alba Mborja 31 Korrik 2026, 07:49

Shqipëria dhe Serbia po diskutojnë hapjen e konsullatave në
Marko Gjuriç dhe Ferit Hoxha në Forumin Diplomatik të Antaljas.

Shqipëria dhe Serbia po diskutojnë hapjen e ndërsjellë të konsullatave në Bujanoc dhe Shkodër, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare, deklaroi të enjten Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një postim në platformën X.

Hoxha reagoi pas deklaratës së Ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriç, sipas të cilit të dyja vendet kishin arritur një “marrëveshje në parim” për hapjen e konsullatave.

“Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër”, shkroi Hoxha në platformën X.

Ai sqaroi se hapat e mëtejshëm do të ndërmerren vetëm “nëse dhe kur palët të arrijnë marrëveshje për çdo aspekt dhe hollësi të këtij procesi”.

Kërkesa e Shqipërisë u bë publike për herë të parë në prill, pas një takimi të Hoxhës me Gjuriçin në Forumin Diplomatik të Antalias.

Në atë kohë, Ministria e Jashtme shqiptare njoftoi se Serbia kishte shprehur gatishmërinë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Shqipërisë në Bujanoc.

Njoftimi i Ministrisë së Jashtme serbe për të njëjtin takim nuk i përmendte konsullatat.

Hoxha e mbrojti nismën si një veprim të bazuar në reciprocitet dhe në interesin kombëtar. Sipas tij, një konsullatë shqiptare do të krijonte një prani të përhershme në Luginën e Preshevës, do të forconte lidhjet me komunitetin shqiptar dhe do të ndihmonte në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë 61 687 shqiptarë etnikë, shumica dërrmuese e të cilëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Shqiptarët përbëjnë rreth 94 për qind të popullsisë së Preshevës dhe 62 për qind të popullsisë së Bujanocit.

Mundësia e hapjes së konsullatës serbe në Shkodër ka shkaktuar reagime nga opozita dhe publiku i gjërë.

Kritikët argumentojnë se kjo do të krijonte një barazim të pavend mes komunitetit të madh shqiptar në jug të Serbisë dhe pranisë minimale të serbëve etnikë në Shqipëri.

Ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e quajti atë gabim si strategjik edhe taktik.

Sipas Censit 2023, në të gjithë Shqipërinë u vetëdeklaruan si serbë vetëm 584 banorë.

Hoxha e hodhi poshtë këtë argument, duke thënë se reciprociteti diplomatik nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtjen, objektivat apo interesat e të dyja palëve.

“Politika jonë e jashtme nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si edhe mbi frymën dhe vlerat e Evropës”, deklaroi ai.

 

 

Shpërndaje te miqtë