
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë njoftuar ditët e fundit se kanë nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga aktivitetet kriminale.
Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja lidhet me një çështje penale në Britani, ku bëhej fjalë për furnizimin me kanabis nga grupe të krimit të organizuar në Angli dhe Uells.
Gjatë hetimit, autoritetet britanike dhe shqiptare identifikuan në Shqipëri pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 54 mijë paund. Kjo shumë do të ndahet përgjysmë mes qeverisë britanike dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Rasti i mësipërm është një shembull me një vlerë relativisht simbolike dhe i përket vetëm një çështjeje penale të përfunduar. Ajo që e bën të rëndësishme këtë marrëveshje është aktiviteti në rritje i grupeve kriminale shqiptare në Britaninë e Madhe gjatë dekadës së fundit. Këto grupe janë përfshirë në tregtinë e lëndëve narkotike, ndërsa të ardhurat që gjenerohen nga ky aktivitet i paligjshëm janë objekt i hetimeve dhe sekuestrimeve të vazhdueshme.
Sipas rasteve të bëra publike jo vetëm nga hetimet e policisë britanike, por edhe në media, grupe kriminale shqiptare janë përfshirë në kultivimin e kanabisit në Britani, në ato që zakonisht njihen si “shtëpi bari”.
Një pjesë tjetër e grupeve kriminale është përqendruar në trafikun e drogave të rënda. Janë bërë publike edhe raste të ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika Latine, të transportuara përmes porteve të Evropës Perëndimore drejt Britanisë së Madhe.
Një tjetër shqetësim ka qenë edhe trafikimi i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria drejt Britanisë, kryesisht me gomone apo mjete të tjera të shpejta lundruese përmes Kanalit të La Manshit.
Paratë e trafikut të narkotikëve, siç rezulton edhe nga hetimet e fundit të SPAK, pastrohen në Shqipëri përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, hoteleri-turizmit apo transaksioneve të shitblerjes së pronave.
Pikërisht paratë dhe asetet e krijuara përmes këtij fluksi të parave të paligjshme synon të godasë edhe marrëveshja e iniciuar nga qeveria britanike.
Në procesin e zbatimit të marrëveshjes janë përfshirë Ministria e Brendshme britanike, Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA), Prokuroria e Kurorës (CPS) dhe AAPSK.
Përveç parave dhe aseteve të përfituara nga trafiku i paligjshëm i narkotikëve, marrëveshja përfshin edhe bashkëpunimin për hetimin e përdorimit të kriptomonedhave nga grupet kriminale. Britania ka ofruar programe kompjuterike dhe trajnime për autoritetet shqiptare për hetimin e krimit të organizuar dhe gjurmimin e pasurive.
Sipas qeverisë britanike, në tremujorin e parë të vitit 2025, vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në Shqipëri kaloi 58 milionë euro. Në këtë periudhë u sekuestruan më shumë se 1 mijë pasuri të paluajtshme.
Marrëveshja synon që një pjesë e parave dhe pasurive të përfituara nga aktivitetet kriminale të kthehen në të mira për komunitetet apo të përdoren për qëllime sociale në Shqipëri dhe Britani.
Shpërndaje te miqtë
