Shqipëria bëhet vendi i 73-të që nënshkruan Marrëveshjet Artemis

Ilmi Rehova 20 Shtator 2026, 01:00

Shqipëria bëhet vendi i 73-të që nënshkruan

Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të që nënshkruan Marrëveshjet Artemis gjatë një ceremonie që do të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në selinë e NASA-s në Uashington.

NASA njoftoi se ceremonia do të drejtohet nga zëvendësadministratori i saj, Matt Anderson. Shqipëria do të përfaqësohet nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ambasadori në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati. Të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit.

Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020 nga Shtetet e Bashkuara dhe shtatë vende të tjera, Australia, Kanada, Italia, Japonia, Luksemburgu, Emiratet e bashkuar Arabedhe Mbretëria e Bashkaur.

Ato përcaktojnë disa parime të përbashkëta për eksplorimin civil të Hënës, Marsit dhe hapësirës së largët, përfshi përdorimin për qëllime paqësore të hapësirës, parandalimin e konflikteve në veprimtarinë hapësinore, transparencën, ndihmën për astronautët në rrezik, regjistrimin e objekteve hapësinore, publikimin e të dhënave shkencore.

Nënshkrimi nuk përbën angazhim për ndonjë mision hapësinor dhe nuk garanton akses në programet e NASA-s.

Ai është një angazhim politik për zbatimin e disa rregullave të përbashkëta dhe përforcon detyrimet që burojnë nga traktatet ekzistuese ndërkombëtare për hapësirën, sipas NASA-s.

Shqipëria ka kapacitete të kufizuara në këtë fushë, por më parë ka investuar në shërbime satelitore.

Në vitin 2022, qeveria nënshkroi një kontratë prej 6 milionë dollarësh për të pasur akses me përparësi te dy satelitë vëzhgimi, Albania-1 dhe Albania-2.

Ata u lëshuan në hapësirë me një raketë Falcon 9 të SpaceX në janar 2023 dhe u prezantuan si mjete për monitorimin e territorit, ndërtimeve pa leje, prerjes së pyjeve dhe kultivimit të kanabisit, sipas Associated Press.

Nënshkrimi e vendos Shqipërinë brenda kuadrit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja për aktivitetet e ardhshme civile dhe tregtare në hapësirë.

Vlera praktike e tij do të varet nga bashkëpunimi shkencor, teknik dhe institucional që mund të ndërtohet më pas.

 

Shpërndaje te miqtë