Shefja e shkarkuar e SHISH kërcënon në transmetim të drejtpërdrejtë gazetaren

Stafi i theExit 24 Shtator 2026, 12:52

Shefja e shkarkuar e SHISH kërcënon në transmetim të

Shefja e shkarkuar e shërbimit sekret shqiptar, e akuzuar për lidhje me kriminelë të dyshuar, kërcënoi të enjten te dera e Gjykatës Speciale një prej reporterëve kryesorë për çështjet e krimit të organizuar.

Gazetarëve të shumtë që po e pyesnin për akuzat për zbulimin e informacioneve sekrete dhe ndihmën për Ergys Agasin, në mënyrë arrogante Vlora Hyseni iu përgjigj me akuza për takime me agjentura të huaja.

“Klodi (Klodiana Lala), si kalon ti në takime me agjentë serbë në dhomat e hotelit Rogner?”, e kërcënoi me pyetje Hyseni reporteren gjatë hyrjes së saj në gjykatë, në transmetim të drejtpërdrejtë në televizione.

Vlora Hyseni u paraqit në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) për t’u njohur zyrtarisht me vendimin e arrestit shtëpiak mbi akuzat e ngritura ndaj saj për dhënie ndihme një autori krimi dhe nxjerrje të informacioneve sekrete.

Hetimi i SPAK-ut ka zbuluar se mes drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe kriminelit të dyshuar Ergys Agasi kishte një lidhje të ngushtë romantike. Kjo lidhje dhe komunikimet mes tyre kanë vazhduar gjatë gjithë kohës që Agasi ka qenë në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria, deri në ditën e arrestimit të tij.

Vetëm përgjatë dy muajve, nga fundi i qershorit deri në arrestimin e Agasit në fund të gushtit, mes tyre ka pasur mbi 500 komunikime të veçanta: telefonata me zë dhe me video, si dhe mesazhe teksti, shkëmbime imazhesh dhe videosh.

Prokurorët pretendojnë se nga komunikimet kuptohet se Hyseni është njësuar plotësisht me qëndrimin dhe interesat e Agasit. Prokurorët thonë se Hyseni i shprehet Agasit në vetën e parë shumës se ata që kanë gisht në akuzat ndaj Agasit “u kishin bërë keq” të dyve dhe se ata “duhet të paguanin” për këtë gjë. Ajo flet herë pas here se duhet të përqendrohen se si të zgjidhin “çështjen” e Agasit.

Në komunikime, ndër të tjera, Hyseni e informon Agasin për takimet e saj, përfshirë ato me Kryeministrin, drejtuesit e policisë, zyrtarë të huaj etj.

Pas shpalljes së masës së arrestit shtëpiak nga GJKKO dhe akuzave të SPAK-ut ndaj saj, Kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra.

Shpërndaje te miqtë