Shefja e shërbimit informativ në marrëdhënie romantike me kriminelin e dyshuar

Bledar M. Kurti 23 Shtator 2026, 15:50

Shefja e shërbimit informativ në marrëdhënie romantike me

Hetimi i SPAK-ut ka zbuluar se mes drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe kriminelit të dyshuar Ergys Agasi kishte një lidhje të ngushtë romantike. Kjo lidhje dhe komunikimet mes tyre kanë vazhduar gjatë gjithë kohës që Agasi ka qenë në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria deri në ditën e arrestimit të tij.

Ky fakt mësohet nga disa faqe të kërkesës që prokurorët i kanë paraqitur gjykatës për miratimin e urdhrit të arrestit shtëpiak për Hysenin. Këto faqe u rrodhën në media, dhe Exit.al ka konfirmuar në mënyrë të pavarur vërtetësinë e përmbajtjes së tyre.

Në një periudhë dy mujore, nga fundi i qershorit deri në arrestimin e Agasit në fund të gushtit, mes tyre ka pasur mbi 500 komunikime të veçanta, telefonata me zë dhe me video, si dhe mesazhe teksti, shkëmbime imazhesh dhe videosh.

Komunikimet mes tyre kanë qenë të shpeshta dhe intensive gjatë periudhës së arratisë dhe deri në ditën e arrestimit të Ergys Agasit. Shumica dërrmuese e këtyre komunikimeve janë filluar nga Hyseni, ndërkohë që dhjetëra thirrje të tjera të saj nuk kanë marrë përgjigje nga Agasi.

Prokurorët pretendojnë se nga komunikimet kuptohet se Hyseni është njësuar plotësisht me qëndrimin dhe interesat e Agasit. Prokurorët thonë se Hyseni i shprehet Agasit në vetën e parë shumës se ata që kanë gisht në akuzat ndaj Agasit "u kishin bërë keq" të dyve dhe se ata "duhet të paguanin" për këtë gjë. Ajo flet herë pas here se duhet të përqendrohen si të zgjidhin "çështjen" e Agasit.

Në komunikime, ndër të tjera, Hyseni e informon Agasin për takimet e saj, përfshirë ato me Kryeministrin, drejtuesit e policisë, zyrtarë të huaj, etj.

Në një nga makinat e Ergys Agasit, prokurorët kanë gjetur dokumenta me diagrama të ngjashme me ato që prodhohen nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

Tre ditë përpara arrestimit, Vlora Hyseni është pyetur nga prokurorët. Ajo ka pranuar komunikimet e vazhdueshme me Ergys Agasin deri në ditën e fundit, por ka deklaruar se ato kanë ndodhur pasi ishte Agasi ai që i kishte ofruar "bashkëpunim", duke nënkuptuar bashkëpunim me prokurorët.

Përgjigjet e Hysenit nuk kanë bindur prokurorët, të cilët nga materiali i bollshëm i bisedave kanë dalë në përfundimin se Hyseni ka gënjyer. Prokurorëve nuk u rezulton se Ergys Agasi ishte në rolin e bashkëpunëtorit, por ishte ai personi që merrte dhe diktonte informacionin.

Sipas vlerësimit të hetuesve, të gjitha këto komunikime sensitive që janë zhvilluar gjatë dy muajve të fundit që Agasi ishte në kërkim, nuk tregojnë thjesht një lidhje romantike mes të dyve.

Për prokurorët e SPAK, Hyseni ka treguar gatishmërinë jo vetëm për t'i qëndruar pranë, por edhe për ta ndihmuar gjatë periudhës së arratisë, duke shfrytëzuar pozicionin e saj zyrtar dhe burimet e SHISH.

Shpërndaje te miqtë