Senati amerikan pritet të konfirmojë në mbrëmje Erik Uendin si ambasador në Shqipëri

Stafi i theExit 6 Gusht 2026, 08:13

Senati amerikan pritet të konfirmojë në mbrëmje Erik Uendin

Senati amerikan pritet të votojë sot në mbrëmje për konfirmimin e Erik Uendit si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Të mërkurën mbasdite, Senati miratoi me 50 vota pro dhe 44 kundër mocionin për mbylljen e debatit mbi një paketë prej 74 kandidaturash të paraqitura nga Presidenti Donald Trump. Në këtë paketë përfshihet edhe kandidatura e Uendit.

Miratimi i mocionit nuk përbën konfirmimin përfundimtar, por i hap rrugën votimit të kandidaturave në bllok, në vend të procedures normale një e nga një.

Sipas kalendarit zyrtar të Senatit, shqyrtimi i kandidaturave do të rifillojë pas përfundimit të punimeve të mëngjesit të ditës së sotme — (ora 6 e mbrëmjes në Tiranë).

Koha maksimale e lejuar për diskutimin pas mbylljes së debatit përfundon në orën 22:00 me orën e Uashingtonit—ora 04:00 e mëngjesit të së premtes në Shqipëri.

Në këtë orë (22:00) është i detyrueshëm kalimi menjëherë në votimin e 74 kandidaturave në bllok.

Sidoqoftë, senatorët mund të zgjedhin të mos e shfrytëzojnë kohën e diskutimit dhe të kalojnë në votim në çdo kohë pas mesditës (me orën e Uashingtonit).

Pritet që të 74 emërtimet të miratohen. Në historinë e Senatit, emërimet janë konfirmuar në çdo rast pa përjashtim sa herë që ka patur mocion për mbyllje të diskutimeve dhe miratim në bllok.

Senati ka vendosur gjithashtu që të gjitha emërimet e konfirmuara sot t’i njoftohen po sot Presidentit, për t’i hapur rrugë emërimet të menjëhershëm përfundimtar të tyre nga Presidenti Tramp.

Çdo i emëruar pastaj duhet të betohet përpara se të fillojë zyrtarisht ta ushtrojë detyrën e marrë.

Presidenti Trump e propozoi Erik Uendin për ambasador në Shqipëri më 13 prill. Pas seancës dëgjimore të 20 majit, Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë e miratoi kandidaturën e tij më 4 qershor, me 19 vota pro dhe tre kundër.

Nëse konfirmohet nga Senati, Uend do të bëhet ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas rreth tre vjetësh që ambasada është drejtuar nga të ngarkuar me punë.

 

 

Shpërndaje te miqtë