Samir Mane paraqitet në SPAK, hetimi për vilën e Ballukut mbërrin te Green Coast

Andrea Cama 17 Shtator 2026, 11:45

Samir Mane paraqitet në SPAK, hetimi për vilën e Ballukut

Samir Mane, pronari i grupit Balfin dhe një nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri, u paraqit të mërkurën në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Mendohet se paraqitja e tij lidhet me hetimin ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Më herët gjatë ditës, prokurorët morën në pyetje arkitektët e studios Atelier 4, të cilët projektuan një vilë ultra-luksoze që SPAK dyshon se është pronë e Ballukut.

Vila ndodhet në Green Coast, resortin privat bregdetar në Palasë, të zhvilluar nga një prej kompanive të Manes.

SPAK nuk ka bërë të ditur në çfarë cilësie u paraqit Mane.

Skema e dyshuar

Prokurorët dyshojnë se vila në hetim u regjistrua në emër të një personi tjetër, për të fshehur faktin se pronarja e vërtetë ishte Balluku.

Sipas SPAK, vila u shit fillimisht në fazën e karabinasë nga kompania zhvilluese e lidhur me Manen te një person që shërbeu si mbulesë.

Më pas, kompania Alko Impex pagoi disa qindra mijë euro për përfundimin e saj, përfshirë një pishinë "infinity" dhe pajisje të shtrenjta. Në të njëjtën periudhë, kompania, si pjesë e një konsorciumi, fitoi një kontratë të madhe për ndërtim rruge nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që drejtohej nga Balluku.

Në kompjuterët e Atelier 4 u gjetën projekte, preventivë dhe emaile mbi projektimin e vilës, të dërguara drejtpërdrejt Ballukut.

SPAK e ka sekuestruar pronën. Kjo është vila e dytë që prokurorët lidhin me Ballukun.

Ajo dyshohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Balluku ka mohuar çdo shkelje.

Një hetim i mëparshëm

Nuk është hera e parë këtë vit që Mane bie në vëmendjen e prokurorëve. Në qershor u raportua se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kontrolluan shtëpinë dhe zyrat e tij dhe i sekuestruan telefonin celular.

Kontrolli ishte pjesë e hetimit ndaj një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Sipas mesazheve të koduara në dosjen e prokurorisë, të raportuara nga BIRN, anëtarët e rrjetit diskutonin t'i paguanin Manes 3 milionë euro që toka e tyre të përfshihej në Green Coast, në këmbim të një pjese të vilave që do të ndërtoheshin mbi të.

Prokurorët pretendojnë se grupi përdorte marrëveshje të tilla pronash për t'i shndërruar paratë e drogës në pasuri të paluajtshme.

Edhe një tjetër person nën hetim për trafik ndërkombëtar kokaine, Artur Shehu, ka patur marrëvesgje zhvillimi me Green Coast, sipas prokurorëve. Shehu u bë u njohur për përfshirjen e tij në projektin e Zvërnecit të lidhur e Xhared Kushner.

Sipas BIRN, Mane nuk figuron mes personave nën hetim në këtë çështje.

Balfin i ka hedhur poshtë pretendimet si "të pabazuara dhe të pavërteta" dhe ka deklaruar se nuk ka pasur kurrë asnjë shkëmbim parash mes Manes dhe personave të përmendur.

Një resort për të fuqishmit

Green Coast, pranë fshatit Palasë në jug të Vlorës, është një resort i madh luksoz, i ndërtuar mbi një plazh dikur të paprekur të bregdetit të Jonit.

Në vitin 2015, qeveria e kryeministrit Edi Rama i dha projektit statusin e "investimit strategjik", dhe më pas të njëjtin status edhe zgjerimit të tij, të njohur si Green Coast 2.

Green Coast është kthyer në një nga vendet më të preferuara për shtëpitë verore të politikanëve, zyrtarëve të lartë dhe biznesmenëve të pasur, por edhe të personave që sot akuzohen për krim të organizuar.

Disa nga vilat e resortit janë në qendër të hetimeve penale për korrupsion dhe krim të organizuar.

Megjithatë, asnjë nga akuzat lidhur me këto hetime nuk është provuar ende në gjykatë.

 

 

Shpërndaje te miqtë