Rregullorja e re e GJKKO-së ngjall reagime për kufizimet ndaj medias

Stafi i theExit 8 Gusht 2026, 16:20

Rregullorja e re e GJKKO-së ngjall reagime për kufizimet ndaj medias
Rregullorja e re e brendshme e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, ka vendosur kufizime për mediat mbi raportimin nga proceset gjyqësore.

Rregullorja parashikon masa të reja për sigurinë dhe sjelljen në mjediset e gjykatës, me synim mbrojtjen e gjyqtarëve, punonjësve të administratës gjyqësore, avokatëve e palëve në proces.

Por ajo që ka ngjallur debate janë nenet e rregullores që lidhen me punën e gazetarëve në përditshmërinë e Gjykatës. Ndër dispozitat më kufizuese është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore.

Kjo ka sjellë reagime nga organizatat e gazetarëve. Sipas tyre, kjo masë vështirëson raportimin në kohë reale dhe komunikimin me redaksitë, duke kufizuar transparencën në çështjet me interes të lartë publik.

Sipas shqetësimeve të ngritura nga organizatat shqiptare të medias dhe Federata Europiane e Gazetarëve, disa dispozita të rregullores mund të kufizojnë aksesin dhe aftësinë e gazetarëve për të ndjekur dhe raportuar në kohë proceset gjyqësore.

Rregullorja parashikon akreditim vjetor dhe individual të gazetarëve, ndërsa nuk e përcakton qartë nëse një gazetar pa akreditim të përhershëm mund të ndjekë një seancë publike. Kërkesat për dokumentimin e aktivitetit profesional mund të krijojnë gjithashtu vështirësi për gazetarët freelancer, të pavarur apo në fillim të karrierës.

Shqetësime ngre edhe ndalimi i përdorimit të telefonave, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë seancave. Ndërsa kufizimi i regjistrimit apo transmetimit të paautorizuar mund të jetë i justifikuar, një ndalim i përgjithshëm mund të pengojë mbajtjen e shënimeve, komunikimin me redaksitë dhe raportimin në kohë reale.

Rregullorja vendos gjithashtu procedura për filmimin, fotografimin, regjistrimin audio dhe transmetimin e seancave. Sipas organizatave të medias, këto kufizime duhet të jenë të arsyetuara dhe proporcionale me rrethanat konkrete të çështjes, duke shmangur kufizimet e përgjithshme ndaj pranisë së gazetarëve.

Kritika ka edhe ndaj dispozitave që parashikojnë masa ndaj gazetarëve, përfshirë pezullimin ose heqjen e akreditimit. Edhe pse rregullorja parashikon disa garanci procedurale, sipas shqetësimeve të ngritura mungon një mekanizëm i shpejtë për të kundërshtuar një refuzim aksesi apo masë ndaj akreditimit.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka argumentuar se rregullorja devijon nga Udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vitit 2023, të cilat lejojnë regjistrimin dhe transmetimin e seancave gjyqësore, për sa kohë që nuk cenohet zhvillimi normal i procesit.

Sipas AGSH-së, Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja, por për zbatim të rregullave ekzistuese dhe vendime të arsyetuara për çdo rast.

AGSH i bën thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje dhe të hapë një proces konsultimi me Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, komunitetin e gazetarëve dhe organizatat e medias.

Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) i është bashkuar këtyre shqetësimeve, duke kërkuar shtyrjen e hyrjes në fuqi të rregullores dhe hapjen e një procesi konsultimi me organizatat e gazetarëve.

Sipas EFJ-së, çdo kufizim mbi raportimin nga proceset gjyqësore duhet të jetë i bazuar në ligj, proporcional dhe në përputhje me standardet evropiane për lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për informim.

Nisur nga ky debat, Exit.al ka kërkuar të shohë se si trajtohet çështja e raportimit në rregulloret e gjykatave të ngjashme në vende të Evropës. Nga një kërkim i shpejtë rezultoi se Sllovakia, Kroacia e Rumania kanë struktura të tilla të posaçme të drejtësisë.

Nga një krahasim i rregullores së re të GJKKO-së me ato të Gjykatës së Specializuar Penale në Sllovaki apo USKOK, Zyra për Luftën ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci, modeli shqiptar rezulton më i rreptë sa i përket kufizimeve për gazetarët.

Nëse në Shqipëri, në rregulloren e GJKKO-së kërkohet akreditim vjetor dhe autorizim me shkrim 24 orë përpara për çdo seancë, në Sllovaki apo në Kroaci aksesi është i lirë për gazetarët e akredituar, pa njoftim paraprak apo për seanca që nuk janë shpallur të mbyllura.

Në Shqipëri, rregullorja e re parashikon ndalim të plotë të telefonit apo laptopit në seancat gjyqësore, ndërsa në Sllovaki e Kroaci ato lejohen me synim raportimin në kohë reale të procesit, por pa regjistrim video apo audio në raste të caktuara.

Në rregulloren e prezantuar paraprakisht nga GJKKO, ka limitim të vendeve të gazetarëve në seanca që zhvillohen në salla me kapacitet të kufizuar, për shkak se vendet janë për palët në proces dhe familjarët e tyre.

Në të tilla raste, Gjykata Speciale në Sllovaki e ka zgjidhur duke krijuar dhoma paralele me transmetim audio/video për gazetarët që duan të ndjekin proceset. Në Kroaci, zgjidhja ka qenë më e thjeshtë, ku proceset në të cilat ka një interesim të shtuar, Gjykata Speciale i ka zhvendosur në salla më të mëdha të saj ose ka shtuar numrin e karrigeve, ku ka qenë e mundur.

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar deri tani nuk ka dhënë shpjegime për kundërshtitë e shoqatave të gazetarëve, por ditën e premte ajo e kishte tërhequr draftin e rregullores së re nga faqja e saj në internet.

Shpërndaje te miqtë