Rothschild vlerëson Ramën, por kritikon ndryshimet në zonat e mbrojtura

exit.al 31 Korrik 2026, 06:45

Rothschild vlerëson Ramën, por kritikon ndryshimet në zonat e
Parku i Butrintit

Financieri britanik Nat Rothschild vlerësoi Kryeministrin Edi Rama, por tha se vendimet e qeverisë së tij për të zvogëluar Parkun Kombëtar të Butrintit dhe për të lejuar investimet strategjike në zonat e mbrojtura bien ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Rothschild i bëri komentet në rrjetin X, pasi shpërndau një reportazh të Channel 4 mbi protestat kundër projektit të propozuar në peizazhin e mbrojtur Zvërnec–Nartë. Reportazhi ishte realizuar nga korrespondentja ndërkombëtare Lindsey Hilsum.

“Edi Rama është një politikan unik, dikush që e admiroj dhe që ka bërë shumë gjëra të mira për Shqipërinë”, shkroi Rothschild.

Por, sipas tij, zvogëlimi i Parkut Kombëtar të Butrintit në vitin 2022 dhe ndryshimet ligjore të vitit 2024, të cilat lejuan investimet strategjike në parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura, bien ndesh me detyrimet e Shqipërisë sipas Konventës së UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore dhe me angazhimet e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Mendoj se gjithçka filloi me një udhëtim me jahtin tënd?” — komentoi Hilsum ne postimin e Rothschild.

Komenti i saj i referohet një udhëtimi me jaht në vitin 2021, gjatë të cilit Jared Kushner dhe Ivanka Trump vizituan Shqipërinë dhe u takuan me Kryeministrin Rama.

Kushner ka treguar se Rama iu bashkua në jaht dhe se ky udhëtim nxiti interesin e tij për të investuar në Shqipëri.

Rothschild u përgjigj se përpjekjet për mbrojtjen e Butrintit kishin filluar shumë më herët.

Ai iu referua përpjekjeve të hershme të Fondacionit Butrinti, themeluar nga i jati në vitin 1993, me misionin pwr tw mrojtur rrwnojat e qytetit antik dhe peizazhi përreth tij.

Rothschild theksoi se bashkëpunimi i fondacionit me qeverinë shqiptare, UNESCO-n dhe Bankën Botërore luajti rol të rëndësishëm në zgjerimin e zonës së mbrojtur në vitin 1999.

“Edi Rama vendosi ta zvogëlonte ndjeshëm sipërfaqen e parkut, gjë që, sipas mendimit tim, ishte një gabim i rrallë gjykimi nga ana e tij, sepse bregdeti dhe trashëgimia natyrore e Shqipërisë janë vërtet të pazëvendësueshme”, shtoi Rothschild.

Një vendim i qeverisë i miratuar në janar 2022 e zvogëloi Parkun Kombëtar të Butrintit me mbi 800 hektarw, nga rreth 9 425 hektarë në rrth 8 622 hektarë. Në postimin e tij, Rothschild gabimisht i referet “800 acres”, ose rreth 324 hektarë.

UNESCO e përshkruan Butrintin dhe zonën përreth tij si një peizazh të jashtëzakonshëm kulturor, ku ndërthuren arkeologjia dhe natyra. Parku kombëtar shërben gjithashtu si zonë mbrojtëse e sitit të Trashëgimisë Botërore.

Shpërndaje te miqtë