
Nën presionin e protestave masive që vijojnë prej 23 ditësh në vend, kryeministri Rama shpalli paketën "Rilindja Urbane 2.0" si një manovër imediate për të zhvendosur vëmendjen nga kriza politike.
Ky program supozohet të shënojë kalimin nga projektet estetike për transformimin e qyteteve te ndërhyrjet në infrastrukturën nëntokësore jetike (ujësjellës, kabllorë nëntokë, transport publik dhe zona ish-industriale).
Prezantimi u shndërrua në një "gjyq" dhe ultimatum të ashpër ndaj kryebashkiakëve për dështimet në territor, duke tentuar të projektojë një imazh llogaridhënieje të rreptë përballë zemërimit popullor.
Dhe në fakt, shpallja e"aksioneve kombëtare", "paktive" apo "operacioneve emergjente" ka qënë shtylla e mbijetesës politike të Edi Ramës që nga viti 2013.
Të projektuara pothuajse gjithmonë si kundërpërgjigje ndaj krizave akute, protestave masive apo raporteve ndërkombëtare negative, këto nisma kanë funksionuar përmes një cikli të parashikueshëm: nisin me bujë mediatike, zënë ekranet për javë të tëra me retorikë lufte dhe, sapo ulet presioni publik, zbehen, asimilohen nga burokracia ose zëvendësohen nga aksioni propagandistik i radhës.
Por, nëse në vitet 2013–2017 këto aksione sillnin freski narrative dhe prodhonin iluzionin e një vullneti transformues, sot, të njëjtat janë simptomë se regjimi i Edi Ramëms ka hyrë në fazën e përsëritjes sterile.
Ndaj edhe shpallja e aksionit Rilindja 2.0 nga kryeministri tashmë i ngjan një skenari të lodhur që publiku e di përmendsh.
Një aksion i ngjashëm u shfaq në vitin 2022, kundër ndërtimeve dhe shtesave pa leje, si një përpjekje për të treguar "dorë të hekurt" ndaj kaosit urban, pikërisht në një kohë kur kullat në kryeqytet po shtoheshin me kate pa leje në sy të të gjithëve.
Qeveria miratoi një vendim të posaçëm që i lejonte ndërtuesit e mëdhenj t'i "riblenin" ose t'i dhuronin katet shtesë për shtetin për të shmangur ndjekjen penale.
Pamundësia për të inovuar apo për të zbatuar thjesht ligjin e barabartë bëri që ky aksion të shpërfaqte një përzgjedhje flagrante: ndërsa pallatet e oligarkëve në qendër të Tiranës u amnistuan me VKM, fadromat e IKMT-së rrafshuan shtëpi e shtesa pa leje të qytetarëve të thjeshtë pa pushtet.
Më poshtë risjellim rrugëtimin dhe fatin e paketave kryesore, që me kohën zëvendësuan reformat që vendit i duheshin për të zgjidhur vërtetë problemet me të cilat përballen qytetarët.
Rilindja Urbane 1.0 2014
Ky projekt nisi si kolona vertebrale e mandatit të parë, me premtimin për të modernizuar qendrat e qyteteve të harruara. Në pamje të parë, ai arriti një qëllim elektoral afatshkurtër: krijoi një ndryshim vizual të prekshëm, që shërbeu si kartëvizitë e suksesit estetik të qeverisë.
Megjithatë, Rilindja Urbane shpejt zbuloi veten si një projekt sipërfaqësor që miliona euro të buxhetit të shtetit i shpenzoi për "fasada", lyerje dhe pllaka sheshesh, ndërkohë që lagjet vetëm pak metra larg qendrave vuanin për ujë të pijshëm, kanalizime apo infrastrukturë rrugore elementare.
Përtej kritikës për prioritete të gabuara (shpenzime fasadash përballë mungesës së infrastrukturës bazë), projekti rezuloi një skemë e madhe korrupsioni dhe klientelizmi.
Tenderat e panumërt të specifikuar për "rikualifikim urban" u përqendruan në një grusht të vogël kompanish ndërtimi, duke ushqyer dyshimet për abuzime me fondet publike dhe duke shërbyer në mjaft raste si një mekanizëm institucional që i hapi rrugë betonizimit të mëtejshëm dhe pastrimit të parave përmes lejeve të ndërtimit në zonat e saporregulluara.
Platforma e Bashkëqeverisjes 2017
E prezantuar me bujë pas fitores së mandatit të dytë, tashmë të vetëm në pushtet, platforma shqiperiaqeduam.al u shit si "zyra e re e ankesave të popullit" për të goditur burokracinë dhe korrupsionin në zyrat e shtetit, veçanërisht në hipoteka.
Fati i saj ishte kthimi në një bypass administrativ. Platforma zgjidhte mijëra raste specifike të zvarritura të qytetarëve (legalizime apo pensione) duke përdorur presionin e shkarkimit të menjëhershëm nga puna për drejtorët e zyrave rajonale.
Megjithatë, platforma nuk e preku kurrë korrupsionin strukturor apo zyrtarët e lartë. Ajo thjesht centralizoi pushtetin në Kryeministri, duke krijuar varësi ku qytetari mund të gjente të drejtën e tij vetëm nëse "i shkruante Ramës".
Me kalimin e shërbimeve në e-Albania dhe lodhjen e publikut, pesha e saj politike ra. Tashmë funksionon si zyrë e Shërbimit të Klientit për këtë të fundit.
Pakti për Universitetin 2018–2019: Operacioni "zjarrfikës"
Pakti lindi si një lëvizje emergjente për të shuar protestën më të madhe dhe më të rrezikshme që kishte përjetuar qeveria, atë të studentëve, në dhjetor të vitit 2018.
Për të treguar reflektim, Rama shkarkoi gjysmën e kabinetit qeveritar dhe prezantoi një dokument voluminoz premtimesh, përfshirë punësimin e studentëve ekselentë në administratë.
Pakti e kreu misionin e tij kryesor të momentit: e përçau lëvizjen studentore, zvarriti bisedimet nëpër auditore dhe e shuajti protestën.
Sot, premtimet e "Paktit" janë harruar. Punësimet e studentëve ekselentë mbetën të kufizuara, shpesh në kontrata të përkohshme para zgjedhjeve dhe pa impakt në administratë, përveç atij të vjeljes së votave.
Ndërkohë, problemet e thella të arsimit të lartë, që nga kushtet skandaloze të konvikteve, buxheti qesharak për kërkim shkencor e deri te mungesa e laboratorëve, mbetën ekzaktësisht të njëjta.
KÇK dhe OFL (2020): Propagandë me syze dielli
Togfjalëshi KÇK ("Kap Çfarë të Kapësh") u shpik nga Rama për të sulmuar publikisht gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar përpara se të digjeshin nga Vetingu.
Mbi këtë narrativë u ngrit Operacioni Forca e Ligjit (OFL), një njësi speciale policore që dilte çdo ditë në konferenca shtypi me syze dielli për të njoftuar sekuestrimin e pasurive të botës së krimit.
Nisma rezultoi një dështim pothuajse total ligjor dhe institucional. Ligji special kishte një afat të paracaktuar njëvjeçar, i cili u mbyll me zero bujë.
OFL dërgoi me qindra formularë vetëdeklarimi për makina luksoze e shtëpi, por kur çështjet kaluan për shqyrtim zyrtar në SPAK dhe në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), pjesa dërrmuese e sekuestrimeve u rrëzuan ose ngecën për mungesë provash të kopsitura mirë nga policia. Ky aksion mbeti në memorie thjesht si një shfaqje e shtrenjtë televizive.
Operacioni "Bregdeti Ynë" 2021: Fadromat sezonale
Nisi në verën e vitit 2021, si reagim ndaj përplasjeve të përgjakshme me armë për hapësirat e plazheve (si ngjarja tragjike në Velipojë) dhe kritikave të ashpra për zaptime të paligjshme të vijës bregdetare nga njerëz të lidhur me pushtetin lokal.
Fati i këtij operacioni është ciklik dhe sezonal. Për disa javë, fadromat e IKMT-së dhe Policia e Shtetit shkulën çadra pa leje dhe shembën struktura të përkohshme druri apo betoni.
Megjithatë, sapo mbyllet sezoni turistik, kontrollet fitojnë status pasiv.
Çdo fillim vere operacioni nis pothuajse nga e para me të njëjtën zhurmë mediatike, ndërkohë që menaxhimi i plazheve mbetet i tensionuar.
Ironia më e madhe qëndron në faktin se ndërsa policia merret me çadrat e bizneseve të vogla, vëmendja e vërtetë e bregdetit ka kaluar te projektet e mëdha të resorteve dhe statuset e "investitorëve strategjikë", ku trojet publike iu falën grupeve të mëdha të oligarkëve.
Operacioni për ndalimin e vjedhjes së energjisë 2014
Nisi menjëherë pas marrjes së pushtetit për të shpëtuar kompaninë shtetërore të shpërndarjes (OSHEE) nga kolapsi i plotë financiar dhe për të ndalur lidhjet e paligjshme në rrjet.
Ky ishte një nga aksionet më agresive dhe të pamëshirshme të qeverisë.
Ai u përmbyll me arrestimin e mijëra qytetarëve, ku shpesh përfunduan në qeli familjarë të varfër apo kryefamiljarë që nuk paguanin dot faturat e prapambetura.
Në planin e bilanceve financiare, aksioni rriti arkëtimet e shtetit dhe uli humbjet, por la pas një kosto të lartë sociale dhe trauma politike.
Ky presion detyroi më pas vetë qeverinë të tërhiqej gradualisht drejt skemave të marrëveshjeve për pagesa me këste dhe falje kamatëvonesash në funksion të fushatave zgjedhore.
Lufta kundër informalitetit 2015
Një operacion masiv ku vetë kryeministri dhe ministrat zbritën në terren për të kontrolluar kuponat tatimorë, si pasojë e rënies drastike të të dhënave të doganave dhe tatimeve në arkën e shtetit.
Aksioni u kthye shpejt në një fushatë gjobash masive dhe kontrollesh agresive ndaj biznesit të vogël, shitësve ambulantë dhe tregtarëve të vegjël nëpër tezga, të cilët u ndien të terrorizuar nga shteti.
Ndërkohë, bizneset e mëdha dhe oligarkët e tregut rrallë u prekën nga kjo valë kontrollesh.
Pasi u bë e qartë se aksioni po dëmtonte ekonominë familjare, po rriste papunësinë dhe po krijonte pakënaqësi masive, qeveria u tërhoq, duke e zëvendësuar këtë presion fizik vite më vonë me procesin "e ftohtë" të fiskalizimit dixhital.
Task-Forca për titujt shkencorë (2019)
U krijua paralelisht me Paktim për Universitetin, në një kohë kur plasën skandalet e njëpasnjëshme të plagjiaturave të vërtetuara të shumë zyrtarëve, deputetëve dhe politikanëve të lartë në vend.
Premtimi ishte një kontroll i imtësishëm i çdo grade shkencore të profesoratit.
Ky aksion "vdiq në djep". Pasi u kuptua se hapja e vërtetë e kësaj kutie të Pandorës do të digjte një pjesë të mirë të administratës, deputetëve të vetë Partisë Socialiste dhe stafeve akademike që mbajnë universitetet, procesi u zvarrit, u mbyt në procedura dhe u la në harresë totale pa asnjë ndëshkim apo pastrim domethënës.
Këshillimi Kombëtar 2022
I hedhur në tregun politik pas krizës së çmimeve të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe protestave të qytetarëve para kryeministrisë në pranverën e vitit 2022.
Qeveria dërgoi formularë me pyetje në çdo shtëpi për të simuluar një proces ku "po dëgjohej zëri i popullit".
Pyetjet ishin të formuluara në mënyrë të tillë sugjestive sa që përgjigjet thjesht legjitimuan vendimet që qeveria i kishte marrë dhe përgatitur kohë më parë (siç ishte rasti i ligjit për kanabisitn mjekësor apo amnistinë fiskale).
Pasi u shpallën rezultatet me përqindje të larta pro qeverisë, nisma u arkivua dhe nuk u përmend më kurrë.
Komisioni i Posaçëm "Anti-korrupsion" Xhafaj 2024
Ky është ndër aksionet e fundit, i krijuar nën drejtimin e Fatmir Xhafajt, si një kundërvënie politike ndaj goditjeve të njëpasnjëshme të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj ministrave, ish-ministrave dhe kryebashkiakëve të majtë.
Qeveria tentoi të tregojë se po udhëheq vetë procesin e valës së re kundër korrupsionit.
Ky aksion shihet gjerësisht kryesisht si një tentativë e fshehur e qeverisë për të vendosur filtra politikë apo për të frenuar dhe balancuar pushtetin e pavarur që ka fituar SPAK-u, duke e veshur të gjithë operacionin me petkun e reformave për integrimin europian.
Është e qartë se ky riciklim i të njëjtave skema nuk është thjesht mungesë dëshire, por pamundësi organike për të prodhuar inovacion politik.
