Rama thotë “flisni me fakte” për Zvërnecin—kur i flasin me fakte, ai zihet ngushtë

Alba Mborja 31 Korrik 2026, 12:15

“Flisni me fakte”— thotë kryeministri Rama sa herë kritikohet për zhvillimin e planifikuar në Zvërnec.

Por intervista e tij me Channel 4 tregoi se çfarë ndodh kur faktet bien ndesh me versionin e Kryeministrit: ai fillimisht i mohon, pastaj përpiqet t’u ndryshojë kuptimin.

Ja një pjesë nga shkëmbimi i tyre—Hilsum e ka pyetur Kryeministrin nëse ka reflektuar për vendimet që çuan në nisjen e projektit:

Kryeministri Rama: Jo, nuk ka nisur asnjë projekt.

Lindsej Hilsum: Epo, unë e kam parë.

Kryeministri Rama: Jo.

Lindsej Hilsum: Atëherë, çfarë paskam parë? Nuk duhet t’u besoj syve të mi?

Kryeministri Rama: Do t’ju tregoj se çfarë keni parë. Por nuk ka nisur asnjë projekt. […]

Lindsej Hilsum: Atëherë, më tregoni si qëndron puna? Sepse shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku projekti kishte nisur dhe më pas ishte ndaluar.

Kryeministri Rama: Jo, projekti nuk kishte nisur në Zvërnec.

Lindsej Hilsum: Atëherë, çfarë pashë unë me gardhet dhe të tjerat?

Kryeministri Rama: Do t’jua tregoj. Nuk ka filluar projekti. Janë vetëm përshtatjet për të kryer punimet paraprake, përpara se të jepej leja, bazuar në vlerësimin mjedisor, gjeologjik, hidrologjik.

Fakti është se në Zvërnec janë hapur rrugë, janë bërë gërmime dhe sheshime për të përgatitur kantierin e ndërtimit. Këto punime, sikurse është argumentuar nga ekspertë të fushës, e kanë dëmtuar mjedisin në Zvërnec.

Gazetarja britanike nuk e dinte, por fakti është se, sipas një vendimi qeverie të firmosur nga vetë Kryeminsitri Rama, punimet për përgatitjen e kantierit nuk mund të kryhen përpara pajisjes me leje ndërtimi.

Prandaj, nëse ndërhyrjet në Zvërnec janë bërë si punime për përgatitjen e kantierit, atëherë ato janë kryer në kundërshtim me rregullat e miratuara nga vetë qeveria.

Gjithsesi, gazetarja britanike di një gjë më të rëndësishme: këto punime ndikojnë mjedisin dhe nuk mund të bëhen pa pasur një studim të ndikimit në mjedis. Prandaj, ajo i kundërpërgjigjet Kryeministrit:

Lindsej Hilsum: Por, normalja është që të bëhet një vlerësim mjedisor përpara se të futen buldozerët, sepse buldozerët mund ta dëmtojnë mjedisin. Pra, normalisht, do të çonit disa shkencëtarë që të shkonin atje dhe ta shqyrtonin.

I ndeshur me këtë pyetje rreth një fakti që vështirë se mund ta kundërshtojë, Kryeministri jep një përgjigje që është gati e pabesueshme:

Kryeministri Rama: Buldozerët atje janë përdorur për të hapur rrugëkalim për njerëzit, për komunitetin, për të lejuar hapjen e një rruge për komunitetin përmes pronës private, për të mos i penguar njerëzit që të shkojnë e të vijnë. Pra, nuk është...

Pra, Kryeministri pretendon se buldozerët janë dërguar në Zvërnec me qëllim që të hapin rrugë për të ndihmuar njerëzit të dalin në plazh!

Natyrshëm, Lindsej Hilsum nuk e pranon këtë justifikim dhe kundërpërgjigjet:

Lindsej Hilsum: Por njerëzit shkonin e vinin, gjithsesi, në rrugën me rërë. Pra, nuk ishin të bllokuar më parë, por u bllokuan më pas, sepse u bllokuan nga gardhi.

Përballë kësaj përgjigjeje, Kryeministri i kthehet pretendimit të zakonshëm të “fakteve” të tij.

Kryeministri Rama: Po e përsëris, tani, nëse i doni faktet, unë po ju tregoj faktet.

Kryeministri do që të flasim me fakte, por pranon vetëm “faktet” e tij dhe asnjë lloj fakti tjetër, as ato që i sheh lehtësisht çdokush, siç janë ndërhyrjet e bëra në Zvërnec në kundërshtim me rregullat.

Të njëjtën qasje ai ka pasur edhe me Isa Soares, gazetaren e CNN-it, të cilën e akuzoi për “lajme false” dhe u mundua t’i impononte në mënyrë agresive “faktet” e tij.

Të njëjtën qasje Kryeministri ka ndjekur me të gjithë gazetarët e huaj dhe me këdo që e ka ballafaquar me faktet elementare në lidhje me planet e tij për Zvërnecin.

Është e qartë që me “fakt” Kryeministri nënkupton vetëm atë që pretendon ai dhe jo realitetin objektiv apo të verifikueshëm nga kushdo.

Për më tepër, përballë “fakteve” të tij, ai nuk pranon asnjë fakt tjetër.

Në fakt, narrativa e qeverisë për Zvërnecin që në fillim ka rënë ndesh pikërisht me këto fakte të tjera, të cilat, sikurse shpjegoi Lindsej Hilsum, mund të mohohen vetëm nëse dikush zgjedh të mos u besojë syve të vet.

Zoti Rama shprehet se për Zvërnecin ka vetëm një leje zhvillimi, por nuk ka asnjë projekt të miratuar. Ai pranon gjithashtu se nuk ka ende studim për ndikimin në mjedis.

Por këto pohime nuk shpjegojnë ndërhyrjet e dukshme në terren dhe lënë pa përgjigje një sërë pyetjesh të rëndësishme:

— Pse nuk bëhet publike leja e zhvillimit që qeveria ka dhënë në Zvërnec?

— Kush i financoi dhe kreu punimet e bëra për përgatitjen e kantierit?

— Kush e financoi, rrethoi dhe përfshiu brenda rrethimit edhe plazhin?

— Kush e financoi dhe kontraktoi kompaninë private të sigurisë për të ruajtur këtë rrethim?

— Pse policia nuk ndërhyri por ndoqi me indiferencë se si rojet private keqtrajtuan banorët e zonës që protestonin?

— Cilët janë investitorët që fillimisht u fshehën pas kompanive guaskë në Holandë dhe tani pas një kompanie në Luksemburg dhe një tjetre në Delauer (SHBA)?

— Cilat janë kompanitë që po bëjnë studimet mjedisore, hidrologjike, gjeologjike, etj. dhe kush i ka pajtuar ato?

— Pse Grupi Kastrati kishte porositur një projekt për zhvillimin e Zvërnecit në vitin 2022, kur në Zvërnec dhe në asnjë zonë tjetër të mbrojtur nuk mund të ndërtohej?

— Pse pothuajse e gjithë toka në zonën e Nartës është blerë nga biznesmenë që para se të bëheshin ndryshimet e vitit 2024, kur atje nuk mund të ndërtohej?

Derisa qeveria t’u japë përgjigje pyetjeve të mësipërme, pretendimi se “nuk ka projekt” është thjesht shmangie nga faktet dhe nga përgjegjësia.

 

Shpërndaje te miqtë