Rama qan për "gërmadhën e jetës": një rrjet me 101 kioska, lindur nga privilegji pa garë—modeli kundër të cilit protestojnë studentët

Bledar M. Kurti 16 Tetor 2026, 00:00

Gazetarja ekonomike Ola Xama zbulon se kioska e djegur në lulishten "3 Vëllezërit Frashëri" është pjesë e rrjetit "Kubo", i cili operon me një të drejtë ekskluzive të dhënë pa garë nga Bashkia e Tiranës.

Rama qan për "gërmadhën e jetës": një rrjet
Kioska të rrjetit “Kubo”, në pronësi të “Kube sh.p.k.” Foto: Facebook / Ola Xama

Gazetarja ekonomike Ola Xama zbulon se kioska e djegur në lulishten "3 Vëllezërit Frashëri" është pjesë e një rrjeti me 101 kioska, të ngritur mbi një të drejtë ekskluzive që Bashkia e Tiranës e ka dhënë pa garë.

Kryeministri Edi Rama gënjeu dhe e përdori zjarrin e vënë ndaj një biznesi për propagandë, akuzon gazetarja ekonomike Ola Xama në një postim në faqen e saj në Facebook.

Kryeminsitri u përpoq sot të prekë opinionin publik me një mesazh për kioskat që u dogjën një ditë më parë në kryeqytet gjatë akteve të dhunës.

Ai e përshkroi kioskën e djegur si gërmadhën e jetës, punës dhe mundit të "një familjeje të zakonshme", prindër që dalin në mëngjes për të sjellë në mbrëmje të ardhurat në shtëpi.

Faktet tregojnë tjetër gjë.

Një rrjet i madh, jo kioskë e një familjeje

Kioska, e cila ndodhet në lulishten "3 Vëllezërit Frashëri", mbante logon "Kubo". Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ajo i përket rrjetit të kompanisë "American Tobacco sh.p.k.

Ky wshtw njw biznes i madh. Sipas faqes zyrtare të rrjetit, "Kubo" ka 101 kioska në Tiranë, të hapura 24 orë në ditë, dhe u shërben mbi 5 mijë klientëve në ditë. Rrjeti ka dhjetëra të punësuar.

Sipas të dhënave që ka botuar Xama, firma realizon afro 2 milionë euro xhiro vjetore, ndërsa fitimi i dy viteve 2024 dhe 2025 arrin në 1,7 milionë euro.

Këto të dhëna e vendosin atë në 5 për qindshin e bizneseve më fitimprurëse në Shqipëri.

Rama qan për "gërmadhën e jetës": një rrjet
Faqja zyrtare e rrjetit “Kubo”: 101 kioska në Tiranë dhe mbi 5 mijë klientë në ditë.

Skema e qirasë

Një pjesë e kioskave u jepen me qira individëve. Qiranë e vendos "American Tobacco", dhe po ajo furnizon mallrat që duhet të tregtohen.

Familja që e punon kioskën nuk e merr vetë të drejtën nga bashkia. Ajo i paguan qira atij që ka pasur lidhjet për ta marrë këtë të drejtë.

Modeli godet edhe konsumatorin. Kioskat “Kubo” shesin me çmime më të larta se dyqanet e vogla familjare të lagjeve.

Një shishe ujë 0,5 litër kushton 80 lekë në kioskat e rrjetit, ndërsa në një dyqan familjar aty pranë 50 lekë. Një kanaçe Coca-Cola kushton 150 lekë kundrejt 80 lekë në cdo supermarkat.

Kjo diferencë nuk shpjegohet me konkurrencën. Ajo është renta e një operatori që zë vendet më të mira të qytetit falë një privilegji publik, jo falë një oferte më të mirë.

Një e drejtë ekskluzive pa garë

E drejta për hapjen e kioskave në Tiranë iu dha në vitin 2016 si e drejtë ekskluzive familjarëve të pronarëve të televizionit Top Channel nga kryebashkiaku i atëhershëm Erion Veliaj.

Procedura u krye pa garë. Bashkia nuk dha asnjëherë shpjegim se pse dhjetëra kioska në hapësira publike duhej t'i jepeshin një operatori të vetëm.

Ajo nuk shpjegoi as pse nuk u ndoq një politikë sociale për t'ua dhënë ato familjeve të papuna.

Kush e paguan privilegjin

Kioska është pjesë e një modeli klientelist, të ndërtuar mbi rentën. Në këtë model, hapësira publike, licencat dhe të drejtat ekskluzive nuk u jepen atyre që punojnë. Ato u jepen atyre që kanë lidhje me pushtetin.

Familja e zakonshme nuk është pronare. Ajo është qiramarrëse e privilegjit të dikujt tjetër. Ajo paguan qira për një vend në lulishten publike, shet mallrat që i caktohen dhe i lë fitimin atij që ka marrë lejen pa garë.

Mundësia që bashkia mund t'ia jepte drejtpërdrejt një familjeje të papunë u kthye në rentë për një operator të vetëm.

Humbësit nuk janë vetëm familjet pa punë. 101 pika shitjeje në zemër të kryeqytetit mund të ishin një treg për fermerët dhe prodhuesit e vegjël shqiptarë. Por kur furnizimin e vendos një rrjet i vetëm, rafti u hapet vetëm atyre që zgjedh ai. Privilegji publik nuk krijon as punë dhe as treg për ekonominë vendase.

Kështu, privilegji paguhet tri herë nga qytetarët: nga familja që paguan qira, nga prodhuesi vendas që mbetet jashtë raftit, dhe nga konsumatori që paguan më shtrenjtë.

Ironia: Rama mbron modelin kundër të cilit protestojnë studentët

Rama qan për "gërmadhën e jetës": një rrjet
Kryeministri Edi Rama pranë kioskës së djegur. Foto: Facebook / Edi Rama

Në mesazhin e tij, Rama hoqi çdo përgjegjësi nga vetja dhe fajësoi turmën, e cila sipas tij "do na marrë edhe ato pak që kemi".

Por kioska që ai zgjodhi si simbol nuk ishte mundi i një familjeje. Ishte një pikë shitjeje e një rrjeti tregtar që operon me një privilegj të dhënë nga pushteti i tij vendor.

Ironia është e plotë: kryeministri mbron pikërisht modelin kundër të cilit protestojnë studentët.

Ata nuk protestojnë kundër punës së ndershme. Ata protestojnë kundër një sistemi ku pasuria publike shpërndahet me miqësi, ku tenderët dhe lejet nuk kanë garë, dhe ku pak të afërt me pushtetin fitojnë ndërsa të rinjtë shohin si të vetmen rrugëdalje emigrimin.

Rama i paraqet protestuesit si turmë që rrezikon "ato pak që kemi". Por "ato pak" nuk janë të shqiptarëve të zakonshëm. Ato u janë marrë prej kohësh nga i njëjti model që kryeministri tani e mbron me lot propagande.

Sipas Xamës, kjo e bën kryeministrin "palën më të interesuar" që të shkatërrohen biznese. Kjo vlen sidomos për ata biznese që ofrojnë një histori prekëse për t'u përdorur më pas në propagandë mediatike.

 

Shpërndaje te miqtë