
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një listë me emra dhe fotografi të personave që janë ndaluar gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë.
Ai lexoi një për një inicialet, moshën e çdo personi në listë, duke thënë se këta nuk janë studentë, por persona me precedentë penale për prodhim e shitje droge, dhunë në familje, vjedhje dhe vepra të tjera penale.
Rama shkoi më tej, duke pretenduar se protestuesit janë financuar nga krimi i organizuar, nga “forca të errëta” dhe nga opozita politike, si dhe se janë frymëzuar nga ideologjia e Antifa.
Lista, megjithatë, përmban të paktën një pasaktësi të verifikuar.
Jon Sinoimeri, një prej atyre që kryeministri i cilësoi si kriminelë dhe jo si studentë, reagoi menjëherë nga protesta para Kryeministrisë. Ai deklaroi se është student i Fakultetit të Mjekësisë dhe tregoi notat e tij, me mesatare 10 në të gjitha lëndët.

“Kryeministri më ka akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Unë jam student i Mjekësisë me të gjitha notat 10. Këto janë përpjekjet e fundit të një diktatori,” tha Sinoimeri.
Përtej pasaktësisë së listës, shtrohet një pyetje më themelore: a i lejohet kryeministrit publikimi i saj? A ka të drejtë ai të citojë iniciale emrash, nxjerrë foto dhe bëjë publike rekordet e supozuara të këtyre personave me drejtësinë?
Të dhënat penale, si çdo e dhënë personale e shtetasve shqiptarë, mbrohen nga ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Neni 10 i ligjit thotë shprehimisht se informacionet për ndalime të mëparshme, akuza apo dënime mund të përpunohen ose publikohen vetëm nën kontrollin e një autoriteti kompetent. Si autoritet kompetent ligji njeh gjykatën, prokurorinë ose policinë, dhe vetëm në ushtrim të funksioneve penale, me garanci të përshtatshme për të drejtat e individit.
Ministria e Drejtësisë sipas të njëjtit ligj është ajo që ka përgjegjësinë e regjistrit të të dhënave penale të shtetasve shqiptarë.
Ligji e përjashton kryeministrin nga lista e autoriteteve që mund të zotërojnë dhe të publikojnë të dhëna të tilla për një individ. Ligji nuk i lejon as atij, as ndonjë institucioni tjetër, të botojë lista me emra, foto dhe pretendime për “precedentë penale” për qëllime politike ose diskreditimi.
Lista që publikoi kryeministri sot kishte pikërisht këto qëllime, demaskimin politik dhe diskreditimin e personave të ndaluar.
Publikimi i listës vjen pas paralajmërimeve të ditëve të fundit, kur Rama deklaroi masa që, sipas kritikëve, bien ndesh me ligjin për të ndëshkuar protestuesit. Ai tha se ata nuk do të mund të udhëtojnë jashtë vendit, nuk do të përfitojnë bursa studimore dhe do të paguajnë vetë dëmet, ose faturën do t’ua kalojë familjeve të tyre.
