Rama i kërkon BE-së t'i "ulë të gjithë në tryezë", eurodeputetët i kujtojnë Shqipërisë drejtësinë dhe korrupsionin

Alba Mborja 28 Shtator 2026, 15:53

 

Kryeministri u tha deputetëve europianë se braktisja e Ballkanit Perëndimor do të ishte "dështimi më i madh" i Europës, ndërsa zyrtarët e BE-së vlerësuan përparimin, por theksuan se rruga drejt anëtarësimit do të përcaktohet nga zbatimi i ligjeve dhe jo nga miratimi i tyre

Kryeministri Edi Rama mbrojti me forcë idenë e një anëtarësimi gradual dhe të bazuar në meritë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke u thënë pjesëmarrësve në Konferencën Ndërparlamentare për Zgjerimin, që mbahet sot dhe nesër në Tiranë, se Brukseli duhet ta marrë tani vendimin politik për pranimin e vendeve kandidate dhe ta lërë procesin teknik të vijë më pas.

Ideja e një anëtarësimi me faza, sipas së cilës vendet kandidate fitojnë gradualisht qasje në mekanizmat e BE-së përpara anëtarësimit të plotë, ka dalë nga periferia dhe është vënë në qendër të debatit të sotëm. Kjo ide, e mbështetur nga shtete me peshë si Gjermania dhe Franca, është përfshirë në një dokument të Komisionit Europian për rishikimin e procesit të zgjerimit.

Rama e ndërtoi argumentin e tij duke bërë paralelizëm me ribashkimin gjerman. "Helmut Kohl nuk shkoi atje për t'u thënë gjermano-lindorëve që tani jeni të lirë dhe keni 33 kapituj për t'iu nënshtruar," tha ai. "Ai u tha: 'Tani ne jemi bashkë.' Nga ai moment e tutje, i gjithë procesi i ribashkimit, me të gjitha hollësitë përkatëse, kërkoi kohë. Mbase ende nuk ka përfunduar plotësisht."

Ajo që duhet të ndryshojë, sipas Ramës, është që "vendimet politike të mos lihen për momentin e fundit, por të merren tani, dhe pastaj ecurie praktike të bazohet në meritën që ka çdo vend."

Më pas ai iu drejtua me një metaforë të zgjeruar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen”

Ka një koincidencë këtu: Ursula ka 7 fëmijë dhe BE ka 7 kandidatë," tha Rama. "Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, ata u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës: 'Shko e kalo ca kohë me atë gangsterin rus atje te cepi, sepse mami tani është pak e zënë.' Nuk i tha djalit: 'Shko e luaj me ca lodra kineze, sepse tavolinën tani e përdorin të rriturit.'

Sipas modelit që ai propozon, një vend që hap dhe mbyll një kapitull bëhet anëtar i plotë për atë kapitull, ndërsa për fushat ku negociatat vijojnë mbetet "një nga fëmijët e Ursulës që nuk është rritur ende".

"Ne ende e dashurojmë Europën"

Rama tha se shqiptarët kanë ende për BE-në një entuziazëm që në shumë vende anëtare është zbehur. "Në vendet tuaja BE-ja merret më shumë si e mirëqenë, sikur të ishte martesë, kurse ne jemi plotësisht të angazhuar," tha ai. "Ne debatojmë shumë gjëra brenda vendit, çdo ditë gjejmë arsye për të mos rënë dakord me njëri-tjetrin, qoftë edhe për hollësitë më të parëndësishme. Por për një gjë kemi rënë gjithmonë dakord: që duam të jemi pjesë e Europës dhe që e dashurojmë Europën."

Ai e mbylli fjalimin me një paralajmërim. "Shpresoj shumë që ju të mos na lini përsëri në baltë," tha Rama, duke shtuar se braktisja e Ballkanit Perëndimor do të thotë që Europa të lërë në baltë vetveten. "Nuk do të ishte një dështim i thjeshtë për Europën. Do të ishte dështimi më madhor."

BE: miratimi i ligjeve nuk mjafton

Përfaqësuesit europianë e përshëndetën përparimin e Shqipërisë, por e vunë theksin te rezultatet. David McAllister, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, tha se sfida është forcimi i pavarësisë së gjyqësorit, arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe garantimi që institucionet publike t'u shërbejnë qytetarëve.

Andreas Schieder, raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, tha se hapja e kapitujve është vetëm fillimi. "Ata duhen mbyllur, dhe pastaj vjen zbatimi," tha ai. Sipas tij, Shqipëria ka "plot kohë " për të mbyllur kapitujt e mbetur, pas së cilës mund të konsiderohet për anëtarësim "përpara fundit të kësaj dekade".

Në të njëjtën linjë foli edhe ambasadorja e re e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa. Ajo tha se reforma në drejtësi ka shndërruar panoramën institucionale të gjyqësorit, por paralajmëroi se procesi bëhet gjithnjë e më kërkues sa më pranë anëtarësimit të jetë një vend. "Miratimi i legjislacionit është vetëm një pjesë e procesit," tha ajo. "Zbatimi është aspekti i pazëvendësueshëm."

Shqipëria synon të përmbyllë bisedimet e anëtarësimit në vitin 2027 dhe t'i bashkohet BE-së brenda kësaj dekade, një objektiv që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi si synimin strategjik të vendit.

 

 

 

Shpërndaje te miqtë