Rama flet për herë të parë pas 13 vitesh qeverisjeje për strehimin dhe çmimet e larta

Stafi i theExit 25 Gusht 2026, 19:51

Rama flet për herë të parë pas 13 vitesh qeverisjeje
Kryeministri Edi Rama, në një komunikim të drejtpërdrejtë, ka paraqitur linjat kryesore të punës për vitin e dytë të mandatit, pas retreat-it dyditor me drejtuesit politikë të PS-së dhe ministrat e kabinetit të tij.

Në qendër të qasjes së re qëndron koncepti “Besa”, të cilin Rama e përkufizon më shumë si akronim se sa në kuptimin e drejtpërdrejtë që ka kjo fjalë në gjuhën shqipe: Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim. Ky koncept, sipas tij, do të jetë themeli i marrëdhënies së re midis shtetit dhe qytetarit.

Për ta materializuar këtë qasje, pasi ndër vite ka krijuar një seri platformash komunikimi me qytetarët, nga ato për transparencën tek ato për bashkëqeverisjen, Edi Rama tha se qeveria do të hedhë në funksion platformën “Pasqyra Albania”.

Platforma, sipas tij, do të shërbejë si dritarja e vetme unike ku qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale statusin e projekteve publike — ku ndodhet një punë, sa përqind është realizuar, pse vonohet dhe kush është përgjegjës.

I kritikuar shumë, sidomos së fundmi për mënyrën se si qeveria komunikon me qytetarin dhe opinionin publik përmes modelit propagandistik, Rama theksoi se nuk bëhet fjalë për një portal propagandistik, por për një mjet transparence që i jep qytetarit informacion konkret për atë që shteti po bën.

Ndërsa shqiptarët përballen me rritjen katastrofike të çmimeve të apartamenteve në zonat e rëndësishme urbane, pavarësisht bumit të ndërtimit, Edi Rama foli për një program strehimi, por pa dhënë detaje se si do të funksionojë ai.

Programin e strehimit, ai e cilësoi si risinë më të spikatur të vitit.

Vetëm në vitin e 13-të të qeverisjes së tij dhe Partisë Socialiste — teorikisht një parti që ka në bazë të programit të saj politikat sociale — Edi Rama tha se do t’i kushtohet vëmendje e veçantë shëndetësisë, arsimit dhe ndërtimit të asaj që ai e quajti “zinxhirin e Shqipërisë sociale”, me fokus te përmirësimi i cilësisë së jetës dhe jo thjesht te mbijetesa, siç me sa duket ka kuptuar ai se ndodhet një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare.

I ardhur në pushtet në vitin 2013 me premtimin për çmime të ulëta, për kosto jetese të përballueshme për familjet shqiptare, Edi Rama po përballet me pakënaqësinë në rritje për shkak të shtrenjtimit galopant të jetesës dhe rritjes së pakufizuar të çmimeve të ushqimeve, sidomos të produkteve bazë.

Në këtë trysni, ai përmendi për herë të parë gjatë 13 viteve të qeverisjes së tij problemin e çmimeve të larta, ndonëse përciptazi dhe ndonëse nuk mori asnjë përgjegjësi për politikat që e kanë bërë Shqipërinë një ndër vendet me çmime më të larta në rajon dhe mbi mesataren e BE-së.


Ai tha se qeveria po përgatit një plan transparence për çmimet e ushqimeve bazë, pa ndërhyrë në fiksimin e tyre nga shteti.


Rama foli edhe për protestat e muajve të fundit. Ai pranoi se ato kanë “gërryer shtratin” e marrëdhënies mes qytetarëve dhe qeverisë, por sërish bëri një dallim midis protestës së vërtetë qytetare — që e quajti sfidë reale dhe madje “dhuratë” — dhe protestës që po vazhdon aktualisht.


Ndonëse do të kishte preferuar që t'i kishte mbyllur punët me revolucionin e Flamingove, fakti që protesta vijon çdo ditë poshtë zyrës së tij e detyroi Edi Ramën të bënte diversion mes revoltës së javëve të para dhe zemërimit aktual.

Ai i cilësoi protestat e tanishme si “konglomerat” me “karburant të paguar”. Sipas tij, qytetarët dhe qeveria do të dalin më të fortë nga kjo përvojë dhe qeverisja do të përmirësohet.


Ndryshe nga sa mendojnë qytetarët, kryeministri theksoi se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, më e vlerësuar ndërkombëtarisht dhe me më shumë mundësi reale. Arsyen e kësaj e lidhi me faktin se vendi “nuk është më në shitje ose i shitur” — duke prekur indirekt akuzat që i bëhen atij çdo ditë nga protestuesit për shitje të Shqipërisë.


Edhe pse duhet thënë që në këto tre muaj ai është përballur me një valë zemërimi në rrjetet sociale, Rama ka gjetur dhe veçuar një koment që nuk ka pasur asnjëherë ndonjë rezonancë në publik: atë për asimetrinë e hundës së tij.

Rama e ka marrë atë për të evokuar një ngjarje të 30 viteve më parë, duke e cilësoi si shenjë të një tentative për ta fshirë nga faqja e dheut dhe si simbol të dëshirës për një Shqipëri ku njerëzit nuk ulin kokën kur pyeten nga vijnë.

Shpërndaje te miqtë