Rama dënon protestuesit të mos udhëtojnë me trenin imagjinar: 170 milionë euro për 39 km hekurudhë që nuk përfundon kurrë

Stafi i theExit 21 Tetor 2026, 16:41

Rama dënon protestuesit të mos udhëtojnë me trenin
Ky është stacioni i trenit në Tiranë. Më saktë, ish-stacioni i trenit, pasi prej një dekade ai nuk ekziston më.

Nuk ekziston as treni.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se protestuesit që kanë dalë këtë javë në demonstratat kundër tij nuk do të lejohen të dalin jashtë vendit. Madje, nuk do të lejohen të përdorin as trenin që nuk ekziston.

Takimin me përfaqësuesit e bankave tregtare, kryeministri e ktheu në një monolog kundër protestës.

Rama dënon protestuesit të mos udhëtojnë me trenin

Ai paralajmëroi masa ndëshkuese ndaj protestuesve dhe i cilësoi protestat e ditëve të fundit si “dhunë të orkestruar”, duke këmbëngulur në pretendimet e tij se pas tyre qëndrojnë elementë të brendshëm e të jashtëm, krimi i organizuar dhe grupe anarkiste.

Rama tha se protestat synojnë të destabilizojnë Shqipërinë dhe Europën. Ai nuk paraqiti prova konkrete për këto pretendime.

Kryeministri njoftoi se qeveria do të investojë në teknologji për të identifikuar protestuesit e maskuar, të cilët do t'i përfshijë në një regjistër të posaçëm.

Sipas tij, këtyre personave do t'u kufizohet aksesi në aeroporte, do t'u ndalohet hyrja në hotele dhe do t'u kufizohet udhëtimi edhe me tren.

Në fakt, gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tre vjet më parë, kryeministri Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, i treguan asaj punimet për hekurudhën e re Tiranë-Rinas-Durrës. 

Ata deklaruan se hekurudha do të përfundonte në fillim të vitit 2024. Von der Leyen premtoi se, pas përfundimit të saj, do të vinte në Shqipëri për të udhëtuar me trenin e ri dhe për të parë bregdetin e Durrësit.

Hekurudha prej 39 kilometrash parashikohej të kushtonte 70 milionë euro. Gjysma e financimit do të sigurohej përmes granteve të Bashkimit Europian, ndërsa gjysma tjetër përmes një kredie nga BERZH-i.

Hekurudha nuk përfundoi në vitin 2024. Nuk ka përfunduar as sot, ndërkohë që kostot janë dyfishuar.

Sot, hekurudha kushton gati 170 milionë euro, për shkak të shtesave që qeveria ka bërë gjatë këtyre tre viteve. Ajo ende nuk ka as stacion në Tiranë. 

Stacioni që do të ndërtohet do t'u kushtojë shqiptarëve dyfish: koston e prishjes së stacionit të vjetër dhjetë vjet më parë dhe koston e ndërtimit të një stacioni të ri në të ardhmen.

Por kryeministri tha se do t'u ndalojë protestuesve të udhëtojnë me trenin që nuk ekziston.

Ai tha se do t'i ndalojë të udhëtojnë edhe në Europë dhe se do t'ua dërgojë faturën e dëmeve familjeve të tyre.

Këto familje, sipas logjikës së kryeministrit, do të paguajnë dëmet e fasadave të disa institucioneve shtetërore, pasi kanë paguar më parë dy herë për stacionin imagjinar të trenit dhe rreth 100 milionë euro shtesë për një hekurudhë që nuk përfundon kurrë.

Por pikërisht kundër kësaj filozofie qeverisjeje protestojnë shqiptarët sot.

Ata e kanë zbritur kryeministrin nga treni i Europës, sado që ai përpiqet t'i zbresë nga treni që nuk ekziston.

Shpërndaje te miqtë