
Qeveria shqiptare ka miratuar disa javë më parë disa ndryshime të rëndësishme në ligjin “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, duke zgjeruar ndjeshëm fushën e veprimit të agjencisë së inteligjencës, çfarë ngre pikëpyetje serioze mbi raportin mes sigurisë kombëtare, kontrollit politik dhe lirive demokratike.
Projektligji zgjeron shërbimin e inteligjencës shtetërore në fusha që zakonisht nuk janë objekt i mandatit të shërbimeve sekrete — veçanërisht ekonomia, informacioni dhe veprimtaritë e brendëshme shoqërore.
Shërbimet sekrete futen në “sigurinë ekonomike”
Ndryshimi më domethënës ndodhet në nenin 2 të projektligjit, ku SHISH merr kompetencë të re për të “mbledhur informacion për kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike”.
Përcaktimi është jashtëzakonisht i gjerë dhe elastik.
Çfarë konsiderohet kërcënim ndaj sigurisë ekonomike? Krimi financiar? Investimet e huaja me risk? Manipulimet e tregut? Apo edhe publikimi i informacionit që ekspozon marrëveshje ekonomike të dyshimta të qeverisë?
Problemi është se ligji nuk jep asnjë kufizim të qartë.
Në demokracitë perëndimore, koncepti i “sigurisë ekonomike” zakonisht lidhet me sabotazh ekonomik, ndërhyrje të huaja në sektorë strategjikë, mbrojtje të zinxhirëve kritikë të furnizimit apo luftën kundër financimit të terrorizmit.
Në Shqipëri, ku ekonomia është bërë prej vitesh terren i akuzave për korrupsion sistemik, koncesione klienteliste dhe projekte me pronësi të paqartë offshore, një formulim i tillë krijon mundësinë që shërbimet sekrete të përdoren për të monitoruar apo ndërhyrë në aktivitete që lidhen me investigimin e këtyre aferave.
Nga kundërspiunazhi tek stabiliteti i brendshëm
Një tjetër shtesë problematike është zgjerimi i mandatit për të mbledhur informacion mbi “stabilitetin e brendshëm dhe rajonal”.
Edhe ky është një formulim juridikisht shumë i paqartë.
Historikisht, koncepti i “stabilitetit të brendshëm” ka qenë një nga justifikimet më të përdorura nga autotokracitë për të mbikëqyrur opozitat politike, lëvizjet qytetare dhe protestat publike.
Koha e këtij ndryshimi ligjor është veçanërisht domethënëse.
Prej javësh, Kryeministri Edi Rama ka akuzuar protestuesit kundër projektit të Zvërnecit dhe lëvizjes së ashtuquajtur “Revolucioni i Flamingove” si pjesë të manipulimeve të organizuara, fushatave digjitale dhe sulmeve të orkestruara kundër qeverisë së tij.
Nëse protesta politike fillon të interpretohet nga pushteti si “kërcënim ndaj stabilitetit të brendshëm”, atëherë kufiri mes sigurisë kombëtare dhe mbikëqyrjes politike fillon të zhduket.
Shërbimet sekrete me akses në të gjitha bazat shtetërore të të dhënave
Projektligji i jep SHISH-it gjithashtu të drejtën për akses në bazat shtetërore të të dhënave, përmes marrëveshjeve ndërinstitucionale.
Kjo do të thotë akses potencial në regjistrat doganorë, tatimorë, kadastralë, të dhënat e bizneseve, të dhëna personale apo sisteme të tjera shtetërore sensitive.
Në mungesë të mekanizmave të fortë mbikëqyrës, rritet ndjeshëm rreziku që informacioni të përdoret jo vetëm për qëllime sigurie, por edhe për profilizim politik, ekonomik apo institucional.
Në një vend ku ndarja mes shtetit dhe partisë është bërë gjithnjë e më e paqartë, kjo përqendrim i informacionit ngre shqetësime serioze.
Përjashtim nga kontrolli i pasurisë dhe transparenca
Një tjetër ndryshim kalon pothuajse pa u vënë re, por ka pasoja të mëdha.
Punonjësit e SHISH-it përjashtohen nga detyrimi për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë nga institucionet e jashtme si ILDKPI.
Kontrolli i tyre do të kryhet nga “struktura e posaçme” brenda vetë SHISH-it, sipas akteve të brendshme të drejtorit.
Me fjalë të tjera, kontrolli kalon nga mbikëqyrja e jashtme publike në vetëkontroll institucional.
Një model që redukton ndjeshëm transparencën dhe krijon hapësira për abuzim.
Efekti çkurajues mbi gazetarinë investigative
Një pasojë indirekte por potencialisht serioze lidhet me gazetarinë investigative.
Nëse shërbimi sekret fiton mandat të monitorojë “sigurinë ekonomike”, ndërkohë që investigimet mediatike ekspozojnë skema të dyshimta financiare, marrëveshje offshore apo kontrata publike të kontestuara, lind pyetja e pashmangshme:
A mund të konsiderohen këto investigime si aktivitete që prekin “sigurinë ekonomike”?
Ligji e lë të hapur.
Në vende me institucione të dobëta demokratike, formulime të tilla shpesh krijojnë efektin e vetëcensurës — jo përmes arrestimeve të drejtpërdrejta, por përmes frikës se shteti po monitoron.
Nga reforma administrative tek zgjerimi i shtetit të sigurisë
Në teori, shumë prej ndryshimeve mund të justifikohen me argumentin se Shqipëria duhet të modernizojë kapacitetet e saj përballë luftës kibernetike, sulmeve hibride dhe sfidave të reja globale.
Por konteksti politik ka rëndësi.
Kur këto ndryshime vijnë në një moment tensionesh të forta sociale, protestash masive kundër qeverisë dhe akuzash të vazhdueshme të kryeministrit ndaj aktivistëve, mediave dhe kritikëve si pjesë e komploteve kundër tij, atëherë zgjerimi i kompetencave të shërbimeve të inteligjencës nuk mund të merret më si reformë teknike.
Ai lexohet si zgjerim i kapacitetit të shtetit për të monitoruar më shumë, për të ditur më shumë dhe potencialisht për të kontrolluar më shumë.
Pyetja që mbetet është e thjeshtë:
A po modernizon Shqipëria shërbimet e saj të inteligjencës përballë kërcënimeve të reja globale — apo po ndërton një arkitekturë të re të mbikëqyrjes së brendshme në një moment kur pushteti ndjen se kontrolli i tij politik po vihet në provë?
