Qeveria prezanton ndryshimet në ligj që shpëtojnë zyrtarët e lartë nga burgu

Bledar M. Kurti 30 Shtator 2026, 16:49

Qeveria prezanton ndryshimet në ligj që shpëtojnë

Qeveria shqiptare prezantoi ndryshimet ligjore që shpëtojnë zyrtarët e lartë nga burgu nëse nuk ka një vendim të formës së prerë.

Amendamentet kufizojnë edhe prokurorët, kryesisht ata të SPAK, në hetimet e tyre për njerëzit me pushtet politik në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të ketë paraburgim për veprat penale që parashikojnë dënim deri në 5 vite burg dhe asnjë masë shtrënguese për krimet që dënohen deri në 3 vite burg.
Dënimi me deri 3 vite burg është fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë. Shkelja e barazisë në tendera dënohet me deri 5 vite burg.

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku akuzohet për të dyja veprat penale dhe po hetohet edhe për një tjetër akuzë më të rëndë, atë të korrupsionit. Edhe ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj akuzohet për mosdeklarim ose fshehje të pasurisë dhe shpërdorim detyre, përveçse për korrupsion.

Zyrtarët e lartë mund t'i shpëtojnë izolimit në burg edhe nëse akuzohen për shpërdorim detyre apo korrupsion.
Kryeministri u kujdes të thotë se "natyra e rëndë e veprës penale, as heshtja dhe mospranimi i akuzës" nga personi nën hetim nuk do të mjaftojë më për ta mbajtur atë në burg me dyshimin se ai përbën rrezik për prishjen e provave.

Kryeministri tha se Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e saj të pavarur dhe nuk duhet të kopjojë argumentet e prokurorit, kur ky kërkon izolim me burg, ndryshe vendimi bëhet i pavlefshëm.
Qeveria i argumentoi ndryshimet drastike në kodin e procedurës penale me nevojën për t'i dhënë më shumë të drejta dhe mbrojtje më të gjerë të qytetarëve që përballen me drejtësinë.


Pavarësisht se tha se kjo paketë "nuk prek themelet e reformës në drejtësi", "nuk i heq prokurorëve dhe gjykatësve specialë kompetencat", pjesa kryesore e fjalës së kryeministrit Rama për ndryshimet ligjore nënkuptonte masat e marra nga SPAK dhe GJKKO.


Prokurorët duhet të argumentojnë çdo muaj përpara Gjykatës që kushtet për qëndrimin në burg të të akuzuarve nuk kanë ndryshuar.Pas mbylljes së hetimeve, prokurorët duhet të argumentojnë me fakte dhe prova në gjykatë nevojën e procesit gjyqësor dhe përse ky proces do të përfundojë me dënim të të pandehurit.


Po ashtu, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe gjykatësit bëhen përgjegjës personalisht për daljen e përgjimeve të dosjeve që janë nën hetim.


Ndryshimet përpiqen të rregullojnë mbrojtjen e personave që nuk janët nën hetim, edhe pse mund të dyshohen për çështje të caktuara.


Ato u japin garanci për mënyrën se si merren në pyetje, se si u fillon çështja penale, se si duhet të mbrohen nga dalja e përgjimeve që nuk kanë lidhje me çështjen apo se si u përdoret celulari i sekuestruar.
Ndryshimet që prekin në mënyrë thelbësore kodin e procedurës penale janë hartuar, siç tha kryeministri Rama, nga një grup prej 19 ekspertësh në jurisprudencë nga Italia, Franca dhe Holanda në vetëm dy muaj.


Kryeministri Rama u shpreh se ndryshimet morën shkas nga një raport i Komitetit kundër Torturës të Këshillit të Europës, sipas të cilit Shqipëria kishte numrin më të lartë të personave të paraburgosur në të gjithë Europën.


Qeveria vendosi të autorizojë më 26 korrik të këtij viti ministrinë e Drejtësisë për të autorizuar ekspertët e huaj për përgatitjen e ndryshimeve ligjore në Kodin e Procedurës Penale.

Pas 65 ditësh ministria dhe ekspertët prezantuan 105 ndërhyrje në kod.


Ndryshimi i tij, edhe pse në thelb synon më shumë mbrojtje për qytetarët e thjeshtë, adreson në ligj të gjitha shqetësimet publike të kryeministrit ndaj SPAK dhe GJKKO pas arrestimeve apo hetimeve të zyrtarëve të nivelit më të lartë pranë tij

Shpërndaje te miqtë