Qeveria hap rrugën për byrotë private të kreditit: Edhe faturat e papaguara mund të ndikojnë te marrja e një kredie

Besnik Kreka 13 Gusht 2026, 09:41

Qeveria hap rrugën për byrotë private të kreditit: Edhe

Qeveria ka përgatitur një projektligj që lejon krijimin e byrove private të kreditit—kompani që do të mbledhin të dhëna mbi sjelljen financiare të qytetarëve dhe bizneseve dhe do t’i përdorin ato për të vlerësuar besueshmërinë e tyre si kredimarrës.

Projektligji është në konsultim publik dhe më pas pritet t’i dërgohet Kuvendit për miratim.

Shqipëria ka që prej vitit 2008 një regjistër kredie, të administruar nga Banka e Shqipërisë, ku bankat dhe institucionet financiare raportojnë kreditë dhe historikun e kredimarrësve.

Projektligji e liberalizon këtë shërbim, duke lejuar kompanitë private që të mbledhin të dhëna, të vlerësojnë besueshmërinë kreditore të individëve dhe bizneseve dhe ta shprehin këtë besueshmëri përmes një sistemi pikëzimi.

Të dhënat që do të mblidhen: edhe pagesat e detyrimeve jokreditore

Të dhënat që mund të mbledhin byrotë private shkojnë përtej kredive bankare. Ato mund të përfshijnë detyrimet tatimore, faturat e energjisë, ujit, telefonisë dhe internetit, si dhe mallrat ose shërbimet e blera me financim me këste.

Burime informacioni mund të jenë bankat, institucionet financiare jobankare, kompanitë e sigurimit, administrata tatimore, institucionet e pushtetit vendor, kompanitë e shërbimeve publike (të ujit dhe energjisë), si dhe kompanitë që ofrojnë mallra ose shërbime nga të cilat lindin detyrime financiare.

Byrotë do të regjistrojnë mbarëvajtjen e përgjithshme të pagesave apo detyrimeve të individëve apo bizneseve. Do të regjistrojnë në historikun e tyre si vonesat dhe mospagesat, ashtu edhe pagesat e rregullta.

Për ata që nuk paguajnë rregullisht, vlerësimi do të jetë negativ, kurse për ata që i shlyejnë detyrimet në kohë, kjo mund të shërbejë si provë e besueshmërisë financiare.

Mbi bazën e këtyre të dhënave, byrotë mund të prodhojnë një pikëzim kreditor—një vlerësim numerik të mundësisë që personi ose biznesi t’i përmbushë detyrimet e veta.

Pra, vlerësimi do të jetë i lartë për ata që paguajnë rregullisht dhe në kohë të gjitha detyrimet financiare dhe i ulët për ata që kanë vonesa ose mospagesa.

Qeveria hap rrugën për byrotë private të kreditit: EdheBes

Ky vlerësim u jepet bankave, të cilat e përdorin atë për të vlerësuar aftësinë e pagesës së huave nga individët apo bizneset që aplikojnë për hua.

Qytetari do të ketë të drejtë të marrë falas raportin e tij një herë në vit dhe sa herë që i refuzohet një kredi.

Raporti duhet të jepet brenda pesë ditëve dhe duhet të tregojë edhe burimet e informacionit dhe subjektet që e kanë kërkuar.

Nëse një e dhënë është e pasaktë, qytetari mund ta kundërshtojë. Informacioni duhet të shënohet menjëherë si i kontestuar dhe çështja duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve.

Të dhënat pozitive do të ruhen deri në tre vjet pas përfundimit të kontratës, ndërsa të dhënat negative deri në pesë vjet pas shlyerjes ose shuarjes së detyrimit.

Si funksionon jashtë Shqipërisë

Byrotë private të kreditit funksionojnë në shumë vende europiane, përfshirë Gjermaninë, vendet nordike.

Në rajon ato funksionojnë në Maqedoninë e Veriut—në vendet e tjera ato funksionojnë nën adminsitrimin e shoqatave të bankave ose të bankave qendrore.

Zakonisht, byrotë private në botë funksionojnë paralelisht me regjistrat publikë të bankave qendrore, por mbledhin më shumë lloje të dhënash dhe ofrojnë analiza tregtare për kredidhënësit.

Një sistem i tillë mund të ndihmojë veçanërisht bizneset e vogla dhe qytetarët që nuk kanë prona të mjaftueshme për t’i vendosur si garanci. Një historik i mirë pagesash mund t’i ndihmojë të marrin kredi më shpejt ose me kushte më të favorshme.

Por sistemi mund të kthehet në pengesë kur të dhënat janë të pasakta ose kur bankat mbështeten verbërisht te pikëzimi.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian, në një çështje kundër byrosë gjermane të kreditit SCHUFA, theksoi se pikëzimi i prodhuar nga modelet automatike të byrosë, i përdorur pa asnjë verifikim tjetër nga bankat, përbën shkelje të së drejtës së qytetarëve për të pasur kontroll mbi të dhënat e tyre, pra për t’u mbrojtur nga vendimet automatike, përballë të cilave nuk kanë asnjë mundësi apo të drejtë.

Vendimi i Gjykatës së BE-së i detyron byrotë e kreditit të bëjnë transparencë dhe të sigurohen që vlerësimet e tyre nuk janë automatike, por mbikëqyren nga njerëz. Gjithashtu, ai i detyron bankat që të përdorin edhe faktorë të tjerë në vendimin për dhënien e huave individëve apo bizneseve dhe të mos mbështeten krejtësisht në pikëzimin e byrove të kreditit.

Projektligji shqiptar e reflekton këtë frymë, pasi kërkon që modelet e pikëzimit të mbështeten në kritere objektive, të verifikueshme dhe jodiskriminuese.

Ai i detyron byrotë të publikojnë edhe informacion të përgjithshëm mbi faktorët që ndikojnë në rezultat, por formula e plotë mund të mbetet sekret tregtar.

Kush do t’i kontrollojë byrotë

Dobësia kryesore e projektligjit është sistemi i mbikëqyrjes.

Licenca do të jepet nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të kontrollojë respektimin e privatësisë.

Projektligji nuk i cakton Bankës së Shqipërisë ose një autoriteti tjetër financiar përgjegjësinë për të kontrolluar funksionimin e byrove, cilësinë e pikëzimeve, administrimin e rrezikut dhe vazhdimësinë e sistemeve të tyre.

Kjo është më pak se standardi i rekomanduar nga Banka Botërore. Sipas parimeve të saj për mbikëqyrjen e ofruesve të informacionit kreditor, autoriteti mbikëqyrës duhet të ketë përgjegjësi, kompetenca dhe burime të qarta për të kontrolluar drejtimin, procedurat, sistemet dhe rreziqet e operatorëve.

Edhe analiza e ndikimit që shoqëron projektligjin është e mangët. Dokumenti nuk përllogarit kostot për bankat, kompanitë raportuese, operatorët ose qytetarët, me arsyetimin se reforma nuk kërkon fonde nga buxheti.

Por mungesa e kostos buxhetore nuk do të thotë mungesë kostoje. Raportimi i të dhënave, siguria kibernetike, korrigjimi i gabimeve dhe mbrojtja nga abuzimet kërkojnë investime dhe mbikëqyrje.

Byrotë private mund ta bëjnë kreditimin më të shpejtë dhe më të hapur. Por, përderisa do të administrojnë një pjesë të rëndësishme të reputacionit financiar të qytetarëve, ato kërkojnë një kontroll shumë më të fortë sesa licencimi nga QKB-ja dhe mbikëqyrja e privatësisë nga Komisioneri.

 

Shpërndaje te miqtë