Propagandë, jo transparencë: në Pasqyrën e Flamingove nuk shihet asnjë dokument kyç për Zvërnecin

Alba Mborja 3 Tetor 2026, 23:00

Propagandë, jo transparencë: në Pasqyrën e Flamingove nuk

Kryeministri Rama premtoi transparencë totale si përgjigje ndaj protestave kundër qeverisjes së tij.

Duke shmangur arsyet e vërteta, ai pohoi se mungesa e komunikimit me qytetarët ishte një nga shkaqet kryesore që çoi në zemërimin e njerëzve që u derdhën në Revolucionin e Flamingove.

Si zgjidhje ai ofroi Besën, themeli i së cilës do të ishte transparenca dhe komunikimi për të gjitha vendimet e rëndësishme të qeverisë, madje që përpara se ato të merreshin.

Dje kryeministri paraqiti frutin e madh të këtij premtimi: portalin e transparencës të titulluar Pasqyra e Flamingos.

Por më shumë se mjet transparence, ai duket një tjetër mjet propagande.

Dosja e Zvërnecit: dështimi i provës së parë të transparencës

Në dokumentin Besa, kryeministri deklaroi se prova e parë e transformimit të qeverisjes do ishte transparenca mbi zhvillimin e Zvërnecit. Dhe në fakt, dosja e parë e përfshirë në portalin e mësipërm është ajo e Zvërnecit.

Në portal janë ngarkuar një sërë dokumentash dytësorë, si shkresa mes institucionesh, dhënie mendimesh nga agjenci të ndryshme, faqet e firmave të proces-verbaleve të mbledhjeve, etj.

Aty nuk janë botuar dokumentet bazë dhe vendimet e rëndësishme, përfshi:

  1. Lejen e zhvillimit.

  2. Lejen e ndërtimit me kusht (më pas anulluar).

  3. Masterplanet, një i rrëzuar dhe një i pranuar.

  4. Lejen për kantierin e ndërtimit.

  5. Emrat e kompanive të projektimit dhe studimeve teknike.

  6. Emrat e investitorëve dhe partnerëve të tyre lokalë.

  7. Vlera dhe struktura e financimit.

Më poshtë po i shpjegoj njëra pas tjetrës këto elementë të munguar.

Leja e Zhvillimit. Kryeministri Rama ka informuar se KKT-ja ka dhënë lejen e zhvillimit për Zvërnecin në prill 2026. Faktoje.al ka bërë publike një faksimile të një shkrese që Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) i ka dërguar kompanisë zhvilluese ku e njofton për zbardhjen e lejes së zhvillimit.

Leja e zhvillimit, e cila jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), përcakton kushtet si do zhvillohet një pronë dhe përmban ndër të tjera: përqindjen e sipërfaqes së pronës që do zihet nga ndërtimi; intensitetin e ndërtimit (volumin total); lartësinë maksimale të ndërtimit; gjelbërimin publik; etj.

Me pak fjalë, leja e zhvillimit ka të gjithë informacionin e nevojshëm për të kuptuar çfarë dhe sa do të ndërtohet në Zvërnec.

Këtë informacion qeveria nuk e ka hedhur në portalin Pasqyra e Flamingos dhe ky informacion nuk është bërë ndonjëherë publik.

Propagandë, jo transparencë: në Pasqyrën e Flamingove nuk

Leja fillestare e ndërtimit. Leja e ndërtimit u kërkua nga kompania zhvilluese Zvërnec South Adriatic Development shpk (ZSAD) në fillim të vitit 2025 dhe u miratua me kushte nga KKT-ja me Vendimin 39, datë 28.01.2025.

Sikurse ka konfirmuar AZHT-ja për Faktoje.al, kompania zhvilluese u tërhoq nga leja e ndërtimit në mars 2025 dhe leja e ndërtimit nuk hyri në fuqi asnjëherë.

Siç kuptohet, leja e ndërtimit është dhënë pa një masterplan të miratuar (masterplani i parë u hodh poshtë në vitin 2024 kurse i dyti u pranua më 2026, siç shpjegohet më poshtë).

I gjithë informacioni i mësipërm duhet të ishte pjesë e portalit por as leja, as kushtet, dhe as kërkesa e arsyeja për anullim nuk janë ndonjëherë publike.

Propagandë, jo transparencë: në Pasqyrën e Flamingove nuk
Fragmente nga përgjigjet e AZHT-së për Faktoje.al

Masterplanet e zhvillimit. Janë hartuar dy masterplane për projektin, njëri është hedhur poshtë dhe tjetri është miratuar.

Kryeministri Rama ka pohuar se kompania zhvilluese ka paraqitur një masterplan në vitin 2024. Ne e kemi analizuar këtë propozim në një shkrim të thelluar, pasi një kopje e dokumentit rrodhi në publik nga burime jozyrtare.

Sipas kryeministrit, ky masterplan u shqyrtua nga KKT në shtator 2024, por nuk u miratua duke kërkuar rishikimin thelbësor të tij, veçanërisht uljen e intensitetit të zhvillimit e parashikimin e masave të posaçme për mbrojtjen e lagunës.

Në njoftimin në faqen zyrtare, kryeministri shprehet se janë të dokumentuara të gjitha këto kërkesa, por as masterplani, as vendimi i KKT-së as kërkesat për rishikim nuk janë botuar në portalin e transparencës, dhe nuk janë bërë asnjëherë publike.

Në të njëjtin njoftim, kryeministri ka pohuar se në mars 2026, “investitorët kanë riparaqitur përpara Këshillit Kombëtar të Territorit, me një draft-masterplan të ri ku janë reflektuar parametrat e kërkuar nga këshilli”.

Sipas kryeministrit, KKT-ja e ka pranuar këtë masterplan dhe ka dhënë lejen e zhvillimit bazuar mbi të.

Edhe masterplani i miratuar nuk është publik, as në portalin e transparencës dhe nga asnjë burim tjetër.

Propagandë, jo transparencë: në Pasqyrën e Flamingove nuk
Kopertina e masterplanit fillestar që u kthye për t'u përmirësuar.

Leja për përgatitjen e infrastrukturës dhe kantierit të ndërtimit. Para shpërthimit të protestave, firma zhvilluese (apo kushdo qoftë në emër të saj) kreu punime për hapje dhe shtrim rrugësh me zhavorr, ndërtim bazamentesh betoni, hapjen e një kanali në ligatinë dhe prerje pemësh e prishje dunash për të hapur terrenin.

Në një artikull hulumtues për këto ndërtime, BIRN zbuloi se punimet filluan në fillim të majit 2026. Për keto punime KKT-ja kishte dhënë në prill 2026 një leje për ngritjen e infrastrukturës ndihmëse për përgatitjen e kantierit të ndërtimit, por kërkonte përmbushjen e disa kushteve.

Kryeministri e quan këtë leje, "leje për rrethimin e pronës privare për zhvillim", me sa duket për të justifikuar gardhin me gjemba që u bë shkëndija e revoltës së banorëve.

Sikurse shpjegon BIRN, ndërtimet përgatitore filluan para se kjo leje të ishte zbardhur.

As leja dhe as dokumentat përkatës nuk janë hedhur në portalin Pasqyra e Flamingos.

Propagandë, jo transparencë: në Pasqyrën e Flamingove nuk
Makineritë e rënda duke punuar për ngritjen e kantierit. Foto: Reporter.al/Taulant Bino.

Kompanitë projektuese dhe tenike. Kryeministri Rama vazhdimisht ka deklaruar me krenari se në Zvërnec janë përfshirë firmat më të mira arkitekturore, inxhinierike dhe mjedisore në botë. Por asnjëherë emrat dhe detyrat që kryejnë këto firma nuk janë bërë publike.

Në mënyrë më të rëndësishme, Kryeministri ka deklaruar se është duke u zhvilluar vlerësimi i ndikimit në mjedis. Por nuk ka asnjë informacion mbi firmën që po e bën këtë vlerësim.

Për më tepër, është e paqartë se pse është përfshirë qeveria në këtë vlerësim, ndërkohë që detyra e këtij studimi është e zhvilluesit, ndërsa e qeverisë të bëjë oponencën e këtij vlerësimi dhe në bazë të kësaj të miratojë apo jo lejen e ndërtimit.

Investitorët. Edhe pse është e konfirmuar se investitorët kryesorë në projekt janë dy vëllezërit sirianë Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat të cilët veprojnë nga Katari, ende nuk dihet se cilët janë investitorët e tjerë, të cilët fshihen pas kompanive guackë të regjistruara në Luksemburg dhe SHBA, dhe cilët janë partnerët lokalë të tyre.

Po ashtu është e paqartë se cili është roli i disa individëve apo kompanive që janë qartësisht të përfshirë në zhvillim por roli i tyre nuk është sqaruar asnjëherë publikisht.

Veçanërisht roli i Xhared Kushnerit dhe Ivanka Trampit është i paqartë—ndërsa kompanitë e Kushnerit janë shprehur se nuk financojnë dhe nuk janë të përfshira në projekt, vetë Kushner dhe bashkëshortja e kanë promovuar zhvillimin në publik.

Po ashtu nuk është i qartë roli i Grupit Kastrati, i cili sipas BIRN, ka qenë aktiv në negociatat me banorët për blerjen e tokës dhe qetësimin e banorëve, makineritë e të cilit kanë kryer punime në Zvërnec.

Se kush është pas projektit dhe roli i të gjithë individëve dhe kompanive të përfshira në të bëhet edhe më i dyshimtë kur, pavarësisht se projekti ka hasur me probleme ligjore dhe kundërshti publike, vetëm dy persona e kanë mbrojtur publikisht atë, kryeministri Edi Rama dhe biznesmeni Artur Shehu.

Ky i fundit që u ka shitur një pjesë të tokës ku do ndërtohet është nën hetim dhe kërkohet nga SPAK për akuza të rënda kriminale.

Portali i transparencës nuk hedh asnjë fije drite mbi investitorët, zhvilluesit, zbatuesit dhe rolet në këtë projekt.

Vlera dhe struktura e financimit. Kryeministri Rama është i vetmi person që ka dhënë një shifër për vlerën e investimit, rreth 4 miliardë euro.

Është e paqartë se nga e ka marrë Kryeministri këtë shifër kur ende nuk ka projekt përfundimtar dhe leje ndërtimi.

Por ajo që është më e rëndësishme është struktura e financimit.

Kryeministri shprehet vazhdimisht sikur investimi do të financohet i gjithi direkt nga investitori, pra nga vëllezërit sirianë.

Por ne kemi argumentuar se e vetmja mënyrë efikase ekonomikisht për një zhvillim të tillë është përmes shitjes së pasurive të patundshme.

Këtë vlerësim tonin duket se e konfirmon masterplani i parë i vizionit (i rrjedhur në media) që qeveria e ktheu për përmirësime.

Propagandë, jo transparencë: në Pasqyrën e Flamingove nuk
Burimet: AZHT, KKT, Kryeministria, Faktoje.al, BIRN/Reporter.al. Grafika: Exit.al

Portali i mostransparencës

Kryeministri Rama u zotua se Pasqyra e Flamingove do të ishte vendi ku "flamingot" do të gjenin përgjigje: çdo dokument për projektet në zhvillim, vetëm fakte, përgjigje për çdo pyetje të qytetarëve.

Prova e parë tregoi të kundërtën.

Portali publikon atë që qeveria ka zgjedhur të tregojë dhe hesht pikërisht për ato pak dokumente që u japin përgjigje pyetjeve që nxorën njerëzit në rrugë: çfarë do të ndërtohet në Zvërnec, sa, nga kush dhe me çfarë parash.

Kjo heshtje nuk duket e rastësishme. Dokumentet që mungojnë janë ato që do të shpjegonin vendimet më të vështira për t'u justifikuar.

Si u miratua, qoftë edhe me kusht, një leje ndërtimi në janar 2025, kur masterplani i parë ishte rrëzuar katër muaj më parë dhe i dyti do të paraqitej vetëm në mars 2026?

Mbi çfarë baze u hapën rrugë, u hodh beton, u prishën duna dhe u prenë pyje pranë lagunës, pa ekzistuar ende një leje ndërtimi?

Transparenca nuk matet me numrin e dokumenteve të ngarkuara, por me faktin nëse qytetari mund të kuptojë si dhe pse është marrë një vendim.

Nëse qeveria do vërtet ta kalojë provën e parë, lista e asaj që duhet publikuar është e shkurtër:

   — leja e zhvillimit, me të gjithë parametrat e saj;

   — leja e ndërtimit e KKT-së e 28 janarit 2025, kushtet e vendosura dhe kërkesa e kompanisë për tërheqje;

   — leja për hapjen e rrugëve dhe përgatitjen e kantierit;

   — të dy masterplanet, me procesverbalet dhe vendimet përkatëse;

   — emrat e firmave të projektimit dhe të atyre që po hartojnë vlerësimin e ndikimit në mjedis;

   — pronarët përfundimtarë të kompanive investuese dhe struktura e financimit.

Asnjë prej këtyre dokumenteve nuk është sekret shtetëror.

Shumica janë akte administrative që qytetarët kanë të drejtë t'i kërkojnë sipas ligjit për të drejtën e informimit, me portal ose pa portal.

Deri atëherë, në vend të një "pasqyre të flamingos", kryeministri ka ndërtuar një vrimë të zezë nga ku nuk rrjedh asnjë informacion.

 

Shpërndaje te miqtë