Plani i Roni Yeffetit për të marrë gazin e Delvinës

Bledar M. Kurti 21 Shtator 2026, 22:44

 

Plani i Roni Yeffetit për të marrë gazin e Delvinës
Ilustrim me IA nga Exit.al.

Sipërmarrësi i shumëdiskutuar Ron Yeffet ka pasur plan për të shtënë në dorë të drejtën e shfrytëzimit të gazit natyror në vendburimin e rëndësishëm të Delvinës. Këtë të drejtë aktualisht e gëzon kompania private Delvina Gas Company.

Regjistrimet e bisedave të janarit 2026 mes Roni Yeffetit dhe dy ukrainasve, të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, tregojnë se Yeffet kishte projektuar një skemë konkrete për këtë qëllim.

Në bisedë ai i siguron ukrainasit se “do të merret ai” me Ministrinë e Energjisë për të siguruar vendimet e nevojshme.

Më poshtë, Exit.al shpjegon skemën e propozuar nga Yeffet dhe faktet kryesore që lidhen me depozitat e gazit në Delvinë.

Skema e propozuar nga Yeffet

Yeffet u shpjegon ukrainasve se, për të shtënë në dorë të drejtën e shfrytëzimit të depozitave të gazit në Delvinë, do të zbatohet e njëjta skemë që ai ka zbatuar me KAYO-n për sigurimin e monopolit të furnizimit të ushtrisë shqiptare me një sërë produktesh ushtarake.

Skema që shpjegon Yeffet përfshin këto hapa:

— Fillimisht, qeveria do ta ndërpresë koncesionin që ka aktualisht kompania Delvina Gas Company dhe do të rimarrë kontrollin dhe të drejtën e shfrytëzimit të depozitave të gazit në zonën e Delvinës.

— Pas rimarrjes së koncesionit, e drejta e shfrytëzimit do t’i jepet një kompanie në pronësi 100% shtetërore, që do ta krijojë qeveria ose që ekziston tashmë (p.sh. Albpetrol). Cilado që të jetë kjo kompani shtetërore, Yeffet shpjegon se ajo do të jetë identike me kompaninë Kayo në fushën e mbrojtjes. Ndërsa ua shpjegon skemën ukrainasve, Yeffet flet vazhdimisht për “modelin Kayo”.

— Hapi tjetër është krijimi nga kompania shtetërore i një kompanie të re me një partner privat, në të cilën privati do të ketë shumicën e aksioneve dhe kontrollin e kompanisë. Ky partner privat do të jetë pikërisht kompania e ukrainasve.

— Së fundmi, kompania publiko-private, e kontrolluar nga ukrainasit, do të marrë të drejtën e shfrytëzimit të depozitave të gazit në Delvinë.

— Më tej, Yeffet premton se kjo kompani do të marrë edhe të drejtën për të shfrytëzuar termocentralin e Vlorës me gazin që do të prodhojë në Delvinë. Nga ana e tyre, ukrainasit premtojnë që do të ndërtojnë një tubacion për ta çuar gazin në Vlorë.

Plani i Roni Yeffetit për të marrë gazin e Delvinës

Yeffet merr përsipër vendimet e qeverisë

Pyetjeve të ukrainasve që lidhen me qeverinë, Yeffet u përgjigjet i sigurt se çdo gjë me qeverinë është e mbyllur.

Kur ukrainasit e pyesin nëse duhet të paraqesin ndonjë shprehje formale interesi në ministrinë e Energjisë për të nisur skemën e mësipërme, Yeffet u përgjigjet prerë se nuk ka asnjë nevojë për veprime formale.

“Me Ministrinë e Energjisë ma lini mua! Merrem unë me ta! Asnjë letër zyrtare, merrem unë me ta!”, u thotë me insistim Yeffet.

Ai u rithekson se ata duhet të merren vetëm me anën teknike të kompanisë private që do të bëjë ortakëri me shtetin, ndërsa të gjithë hapat për të realizuar këtë ortakëri do t’i ndërmarrë ai, në mënyrë joformale.

Në kohën kur u zhvillua biseda, në janar 2026, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë drejtohej nga Belinda Balluku.

Ajo u largua nga qeveria më 26 shkurt 2026 dhe tashmë hetohet nga SPAK për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash.

Duket se lidhja mes Yeffet dhe Ballukut vazhdon ende, edhe pasi Balluku është larguar nga ministre: në fillim të korrikut, Yeffet dhe Balluku drekuan së bashku.

Yeffet shpjegon si të menaxhohet reagimi amerikan

Nuk është e qartë se pse, por Yeffet duket i vetëdijshëm në bisedën me ukrainasit se marrja prej tyre e kontrollit të gazit të Delvinës mund të ngjallte reagime nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Për këtë arsye, ai u shpjegon ukrainasve se ata duhet të regjistrojnë një kompani në SHBA, e cila do përdorej si partner amerikan në ortakërinë me qeverinë shqiptare, duke fshehur kështu pronarët ukrainas.

Në këtë mënyrë, u shpjegon Yeffet ukrainasve, Ambasada Amerikane nuk do të mund të reagojë:

“Unë rekomandoj që aksionet tuaja në këtë kompani të mos jenë ukrainase, por amerikane, sepse është shumë më mirë të shfaqet si amerikane… Aksionet nuk do të zotërohen nga Igori [një nga ukrainasit], por nga një kompani amerikane e cila po hyn në partneritet me qeverinë shqiptare. Dhe kështu i mbyllim gojën Ambasadës Amerikane. I mbyllim gojën me kompaninë amerikane.”

Rezervat e gazit në Delvinë

Delvina Gas Company ka koncesionin që mbulon të ashtuquajturin Blloku i Delvinës, një sipërfaqe prej afërsisht 234 kilometrash katrorë në zonën e Delvinës.

Plani i Roni Yeffetit për të marrë gazin e Delvinës
Vendondhja e Vendburimit të Delvinës. Ilustrim nga Exit.al.

Sipas pohimeve të kompanisë, eksplorimet e deritanishme kanë identifikuar depozita të vlerësuara në rreth 40 miliardë metra kub gaz. Me çmimet e sotme, kjo sasi gazi vlerësohet në të paktën dhjetë miliardë euro në treg.

Kompania beson në zonën që ajo mbulon mund të ketë rreth 45 miliardë metra kub të tjera gazi, por verefikimi kërkon eksplorim dhe vlerësimin nëse nxjerrja e gazit ka leverdi ekonomike.

Për ta përgatitur për në treg, kompania ka ndërtuar gjithashtu një impiant të pastrimit nga sulfuri të gazit natyror që nxirret nga nëntoka.

Plani i Roni Yeffetit për të marrë gazin e Delvinës
Pamje të impiantit të pastrimit nga sulfuri. Foto nga faqja në Facebook e Ambasadës Amerikane.

Nxjerrja e gazit nuk ka filluar

Megjithëse çdo gjë është gati për të filluar shfrytëzimin, Delvina Gas nuk e ka nisur prodhimin, sepse kompania nuk ka mundësi ta transportojë gazin drejt tregjeve.

Shqipëria nuk ka rrjet gazi natyror. Familjet dhe bizneset e vogla përdorin gaz të lëngshëm (LPG), të furnizuar me bombula portative, që është një produkt tjetër nga gazi natyror. Sasia e konsumaur është relativisht e vogël.

I vetmi përdorim i leverdishëm në vend i gazit natyror do të ishte furnizimi i termocentraleve me gaz.

Aktualisht ka vetëm një të tillë, termocentrali i Vlorës, i cili nuk është vënë asnjëherë në punë që nga viti 2011, kur përfundoi ndërtimi i tij. Vënia në punë e tij kërkon investime shtesë, por qeveria shqiptare nuk ka plan të tillë, të paktën në afatshkurtër.

Ndërtimi i termocentraleve të tjera, një investim relativisht i kushtueshëm, nuk ka gjetur interes nga investitorët privatë.

Pa një konsumator të madh vendas, e vetmja leverdi tregtare e shfrytëzimit të vendburimit të Delvinës është eksportimi i prodhimit.

Eksportimi mund të bëhet përmes gazsjellësve, por TAP—i cili është gazsjellësi i vetëm që lidh Shqipërinë me vendet e tjera—nuk ka pikë hyrjeje për gaz të prodhuar në Shqipëri; kapaciteti i tij është i rezervuar kryesisht për gazin nga Azerbajxhani.

Plani i Roni Yeffetit për të marrë gazin e Delvinës
Gjurma e Gazsjellësit TAP. Ilustrimi nga Exit.al.

Alternativa tjetër është lëngëzimi i gazit dhe transportimi i tij si gaz i lëngët me anije-cisterna drejt tregjeve të huaja.

Për këtë do të duheshin fabrika lëngëzimi të cilat nuk ekzistojnë aktualisht në Shqipëri. Investimi për një fabrikë të përshtatshme do të kërkonte qindra milionë euro, në varësi të kapacitetit të fabrikës.

Pavarësisht se qeveria ka folur vitet e fundit për nxitjen e investimeve në fushën e gazit të lëngët, ajo nuk ka hartuar ende ndonjë plan investimi apo politikë specifike në këtë fushë.

Me pak fjalë: nxjerrja e gazit të Delvinës në treg, në atë vendas apo të huaj, kërkon investime në infrastrukturë.

Për këtë arsye, tani për tani, Delvina Gas Company ka vendosur t’i konservojë rezervat e zbuluara derisa të gjejë mundësi për të investuar në kapacitete për lëngëzimin, transportin dhe eksportin e gazit.

Cila është Delvina Gas Company

Delvina Gas Company u regjistrua në Shqipëri në janar 2016 si degë e një kompanie të huaj me të njëjtin emër e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Sipas deklarimit të pronarëve përfitues, deri në vitin 2025, aksioner me 90% të kompanisë ka qenë sipërmarrësi shqiptar Sokol Meqemeja. Pronarët e pakicës qëndronin të fshehur pas një sërë kompanish offshore.

Delvina Gas e mori të drejtën e koncesionit për shfrytëzimin e bllokut të Delvinës në vitin 2016, vetëm pak muaj pas krijimit, nga kompania TransAtlantic Albania.

TransAtlantic e kishte këtë të drejtë që nga viti 2014, kur ajo bleu kompaninë Stream Oil & Gas, e cila në vitin 2007 mori koncesion për disa vendburime gazi e naftës, një prej të cilave ishte ai i Delvinës.

Ndërsa të drejtat e Delvinës u transferuan tek Delvina Gas, të drejtat e tjera të TransAtlantic/Stream Oil & Gas u rimorën nga shteti.

Për këto veprime të qeverisë, më 2020, Stream Oil & Gas (përmes kompanisë GBC Oil,që e kishte blerë atë më 2016) fitoi arbitrazhin kundër qeverisë shqiptare. Shteti shqiptar është i detyruar t’i paguajë kompanisë rreth 12,7 milionë dollarë.

Pasi qeveria ka refuzuar të paguajë, kompanitë e lidhura me Stream Oil siguruan, në mars 2026, një urdhër ekzekutimi kundër Shqipërisë në Gjykatën Federale të Uashington DC-së në SHBA.

Qeveria është duke u përpjekur me kërkesa teknike pranë kësaj gjykate për të shmangur sekuestrimin e pasurive të Shqipërisë në SHBA me qëllim pagimin e dëmshpërblimit.

Plani i Roni Yeffetit për të marrë gazin e Delvinës
Sokol Meqemeja, themeluesi dhe bashkëpronar i Delvina Gas Company. Imazh nga një intervistë në Eurones Albania.

Konflikti i ri mes qeverisë dhe koncesionarit aktual

Në korrik 2025, pronari i Delvina Gas, Sokol Meqemeja, u shpall në kërkim ndërsa dy inxhinjerë të kompanisë u ndaluna pas një kallëzimi nga Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit dhe Inspektorati i Mjedisit, që pretendonin se kompania po ndërtonte pa leje në tokë publike një termocentral për prodhim energjie.

Hetimet u pushuan për mungesë provash, por kompania pretendoi se akuzat ishin të pabazuara dhe veprimet e policisë ishin vetëm akti më i fundit në një seri presionesh për të marrë kompaninë për llogari të interesave private të lidhura me qeverinë.

Kompania pretendon, gjithashtu, se qeveria nuk i ka dhënë një leje zhvillimi të detyrueshme nga marrëveshja e koncesionit, i ka mohuar leje të tjera aktiviteti, i ka vendosur gjoba, etj.

Burime të informuara i pohuan Exit.al se përballë këtyre presioneve të pretenduara politike, pronari kryesor i kompanisë kërkoi partnerë të huaj që mund t’i ofronin kompanisë mbrojtje dhe mundësi zhvillimi.

Në të vërtetë, në mesin e vitit 2025, struktura e pronësisë së kompanisë ndryshoi. Pas disa ndryshimesh të mëtejshme, tashmë pronarët janë të fshehur pas kompanish guackë të regjistruara në disa vende përfshi Holandën dhe Qipron.

I vetmi individ pronar i deklaruar është një shtetas holandez me emrin Hein Frens. Ndërkohë, Exit.al ka mësuar se pronar indirekt i kompanisë para disa muajsh është bërë edhe një shtetas amerikan me lidhje politike në Uashington.

Duket se këto ndryshime pronësie mund të kenë dhënë rezultat pasi, në mars 2026, në një ceremoni në një nga kantieret e kompanisë morën pjesë ambasadori holandez dhe e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë.

Postimin e fotografive të vizitës në Facebook, ambasada amerikane e shoqëroi me tekstin: “Presidenti Trump po nxit një epokë të re të rritjes së prodhimit energjetik amerikan, me investimet amerikane që forcojnë sigurinë energjetike globale.”

Ndoshta siç ishte qëllimi, prania e dy diplomatëve u përceptua në publik si mbështetje për një biznes me investitorë holandezë dhe amerikanë.

Plani i Roni Yeffetit për të marrë gazin e Delvinës
Gjatë vizitës së ambasadorit hollandez (i treti nga e majta) dhe të ngarkuarës me punë amerikane (qendër) në kantjerin e Delvina Gas. Foto nga faqja në Facebook e Ambasadës Amerikane.

Lobimi i koncesionarit në SHBA

Por lëvizjet e mësipërme nuk kanë qenë e vetmja masë mbrojtëse ndaj trysnisë së pretenduar politike mbi kompaninë.

Që në shtator 2025, Delvina Gas Company punësoi kompaninë e lobimit Mercury Public Affairs në SHBA.

Objekti i kontratës është tregues indirekt i presionit nën të cilin mund të gjendet kompania: Mercury do të ndërtojë një strategji “mbrojtjeje të investitorëve” të Delvina Gas dhe një narrativë mbi kontributin e saj në sigurinë energjetike transatlantike me qëllim ndikimin e qarqeve të larta politike amerikane.

Sipas kontratës që vazhdon ende, kompania lobuese do të marrë një pagesë fikse prej 100 mijë dollarësh çdo muaj, plus mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe të tjera.

Kjo është një nga kontratat më të mëdha të lobimit me lidhje me Shqipërinë dhe një rast i rrallë lobimi nga një kompani që operon në Shqipëri.

A do të zbatohet skema e Yeffet tani që është zbuluar?

Në janar 2026, kur Yeffet diskutonte me ukrainasit, pronësia e Delvina Gas ishte përforcuar me investitorët hollandezë dhe kompania lobuese amerikane kishte disa muaj që punonte për të.

Fakti që Yeffet shprehet i bindur se mund t’ua sigurojë ukrainasve vendburimin, pa kërkesë formale dhe pavarësisht pronësisë së huaj dhe lobimit në Uashington, tregon se ai ishte i bindur se kishte ndikim të madh mbi qeverinë.

Tashmë bisedat e tij me ukrainasit janë bërë publike dhe “modeli klientelist Kayo” është ekspozuar në publik.

A do të mund të realizohet në këto kushte plani i Yefettit?

Kjo mbetet për t’u parë.

Por një gjë është e qartë: nëse qeveria ndërpret marrëveshjen ekzistuese të koncesionit, me shumë gjasa, ky veprim do ta çonte çështjen në arbitrazh, ku Shqipëria do të përballej me kërkesa dëmshpërblimi prej dhjetëra e ndoshta qindra milionë euro.

Në një skenar të tillë do të dilnin të fituar vetëm Yeffet dhe ukrainasit. Humbësit e mëdhenj do të ishin sërish qytetarët shqiptarë.

 

 

Shpërndaje te miqtë