
SPAK bastis shtëpinë e Roni Yeffet dhe bashkëpunëtorëve të tij një ditë pas publikimit të audiopërgjimit të fundit i cili tregon se si biznesmeni izraelit diskuton shit-blerjen e armëve nga Sudani përmes Shqipërisë, duke propozuar madje edhe hapjen e një linje prodhimi.
Audiopërgjimi e qartëson skemën që propozon Roni Yeffet për biznesin e armëve. Ai kërkon njerëz për financimin dhe menaxhimin në terren, ofron kontakte dhe flet hapur se puna në Sudan tashmë ka nisur.
Në dialogun me Tatianën dhe biznesmenët ukrainas, Yeffet thotë: “Ne mundemi, mund t’i blejmë dhe ti shesim këto, por paralelisht me këto mendoj se do të ishte shumë e mençur që të hapnim një fabrikë atje.”
Ai shton se i duhet dikush që të drejtojë bizneset e tregtisë apo prodhimit të armëve në Sudan.
Nga dialogu kuptohet se Tatiana ka dyshime dhe e pyet se si do të vepronin me shitjen me pakicë në Sudan, pasi ata nuk kanë punuar kurrë në Afrikë dhe se “paketimi i armëve është i vështirë”.
Për këtë çështje, Yeffet përgjigjet se i duhet ndihma e tyre. Kur Tatiana përmend nevojën e lejes për biznesin e armëve, ai e garanton me lidhjet e tij në Sudan dhe e fton të shkojnë atje.
“Udhëto me mua atje… Unë sa u ktheva nga atje, Arjeta (Puca) dhe njerëz të tjerë po punojnë me mua atje. Do të jap të gjitha marrëdhëniet, lidhjet dhe gjithçka, dhe ti do ta ndjekësh nga ai moment. Nuk kam kohë ta ndjek.”
Edhe në përgjimet e mëparshme, Yeffet kishte folur për prodhim municionesh në Afrikë, duke përmendur Nigerinë dhe Sudanin.
Ai kishte propozuar paketimin e armëve në Shqipëri dhe shitjen e mëtejshme në vende në konflikt të armatosur, duke e përshkruar si biznes me potencial të lartë fitimi.
Roni Yeffet është aksioner së bashku me Arjeta Pucën e përmendur në përgjim në kompaninë Timak Defence dhe Advanced Arms Technology. Të dy këto kompani u krijuan në partneritet me shtetin shqiptar përmes kompanisë KAYO.
Shteti mban 20 për qind të aksioneve, ndërsa privatët pjesën tjetër. Kjo skemë e bën aktivitetin të dyshimtë pasi e nxjerr jashtë çdo kontrolli financiar prej institucioneve shtetërore dhe jashtë llogaridhënies publike.
Sudani është nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara për tregtinë e armëve.
Përgjimet e publikuara javët e fundit kanë shkaktuar reagime politike në Shqipëri. Opozita ka kërkuar hetim dhe komision parlamentar.
SPAK nga ana tjetër ka marrë audiopërgjimet e publikuara dhe tha se ka nisur hetiimet.
Të premten, vetëm 24 orë pas publikimit të përgjimit të fundit, agjentë të BKH-së kanë kontrolluar shtëpinë e Roni Yeffet në periferi të Tiranës, shtëpinë dhe biznesin e Arjeta Pucës, ortakes së tij, dhe ka sekuestruar telefonin e drejtorit të KAYO, Ardi Veliu.
Agjentët e BKH-së kanë marrë në këto kontrolle materiale të vlefshme për hetimin që po kryejnë..
Zyrtarë të KAYO dhe Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë shprehur për audiopërgjimet e Roni Yeffet, por kanë mohuar përfshirjen e shtetit në aktivitet të paligjshëm.
Shpërndaje te miqtë
