Paketa “Anti-Protestë” e Ramës: Masat e reja shkelin konventat ndërkombëtare dhe rrëzohen si në Kushtetuese dhe në Strasburg

Bledar M. Kurti 27 Tetor 2026, 13:22

Paketa “Anti-Protestë” e Ramës: Masat e reja shkelin

Paketa ligjore e qeverisë për masat shtrënguese anti-protestë, ka shumë mundësi që ta ketë jetën e shkurtër pasi bie ndesh me parimet tona kushtetuese dhe konventat ndërkombëtare.

Exit.al ka analizuar paketën sipas asaj që kryeministri Rama ka deklaruar në publik dhe e ka përballur atë me legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Po rendisim më poshtë masat kryesore dhe arsyet pse disa nga pikat kryesore të kontestuara, nëse miratohen nga Kuvendi në formën e prezantuar, mund të shfuqizohen lehtësisht nga Gjykata Kushtetuese apo do të krijojnë pasoja për vendin si në Strasburg edhe në Bruksel.

Krijimi i Regjistrit Elektronik të “Dhunuesve Urbanë”

Qeveria planifikon të krijojë një regjistër elektronik ku do të futen emrat e personave që janë nën hetim, që janë referuar nga policia, ose që janë dënuar për dhunë gjatë protestave dhe dëmtim prone. Këtyre personave mund t'u ndalohet lëvizja dhe dalja jashtë Shqipërisë në kufi, edhe pa iu komunikuar një arsye e ndalimit.

Problemi kryesor këtu është se në këtë listë mund të futen njerëz që nuk janë dënuar ende nga gjykata, por thjesht sepse policia i ka referuar. Kjo cenon prezumimin e pafajësisë dhe parimin se askush nuk është fajtor derisa të dënohet me një vendim përfundimtar.

Konventat ndërkombëtare që cenohen:

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) – Neni 6, pika 2: Çdo person i akuzuar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.

Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) – Neni 14, pika 2: Ndalon ndëshkimin ose demaskimin publik përpara se individi t’i nënshtrohet një procesi të rregullt gjyqësor.

KEDNj – Neni 8 (e drejta për privatësi): Mbledhja dhe ruajtja e të dhënave sensitive pa një dënim gjyqësor përbën ndërhyrje joproporcionale në jetën private.

Detyrimi për t’u larguar nga turma dhe dënimi me gjobë

Sipas paketës, çdo pjesëmarrës detyrohet të largohet menjëherë nga protesta sapo aty të ndodhin akte dhune. Nëse nuk largohet, ai rrezikon gjoba që variojnë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë. 

Kjo masë i bën të gjithë protestuesit përgjegjës për veprimet e disa individëve. Sipas praktikës ndërkombëtare, një protestues paqësor nuk e humb të drejtën e tij për të qëndruar në një tubim dhe për të protestuar thjesht sepse disa të tjerë ushtrojnë dhunë.

Kjo masë priret të përdoret për të frikësuar qytetarët, duke bërë që ata të hezitojnë në të ardhmen të marrin pjesë në protesta anti-qeveritare.

Konventat ndërkombëtare që cenohen:

KEDNj – Neni 11 (liria e tubimit): Gjykata e Strasburgut, në një çështje të shqyrtuar prej saj në vitin 2014, ka theksuar se dhuna e disa personave nuk e bën automatikisht të paligjshëm qëndrimin e të tjerëve në protestë.

ICCPR – Neni 21 (e drejta e tubimit paqësor): Kufizimet lejohen vetëm nëse janë rreptësisht të nevojshme. Dënimi me gjobë i protestuesve paqësorë konsiderohet një masë joproporcionale.

Përgjegjësia financiare e organizatorëve

Sipas paketës, organizatorët e protestës do të jenë përgjegjës financiarisht për çdo dëm që shkaktohet në pronën publike ose private gjatë zhvillimit të tubimit.

Kjo do të thotë se organizatorët duhet të paguajnë edhe për dëmet që shkaktojnë njerëz të tjerë që protestojnë, përfshirë këtu edhe individë të infiltruar apo provokatorë. Për rrjedhojë, shumë organizatorë do të hezitojnë të thërrasin protesta nga frika e faturave të mëdha financiare që qeveria mund t’u vendosë në kurriz.

Konventat dhe standardet ndërkombëtare që cenohen:

Udhëzimet e OSBE/ODIHR mbi Lirinë e Tubimit Paqësor: Organizatorët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e pjesëmarrësve të tjerë. Shteti mban përgjegjësinë kryesore për të identifikuar autorët specifikë të dëmeve.

KEDNj – Neni 11: Nëse e drejta e tubimit kthehet në një rrezik të madh financiar, ajo bëhet de facto e pamundur për t’u ushtruar.

Zgjerimi i kompetencave të policisë dhe ndalimi i maskave

Policia, sipas paketës, do të ketë më shumë kompetenca për të shoqëruar apo arrestuar njerëz që mbajnë maska, kapuçë ose sende që mund të përdoren si armë, edhe përpara se të ndodhë ndonjë incident në protesta.

Ligji për tubimet e ndalon fshehjen e fytyrës kur vërtetohet se ka një qëllim kriminal. Por, nëse arrestimet bëhen pa kritere të qarta ligjore dhe pa arsye të forta, policia rrezikon të ndalojë në mënyrë arbitrare protestuesit e thjeshtë.

Konventat ndërkombëtare që cenohen:

KEDNj – Neni 10 (liria e shprehjes): Përdorimi i maskave ose veshjeve butaforike me mesazhe politike mbrohet si formë shprehjeje. Ndalimi i tyre duhet të jetë i kufizuar dhe i mirëpërcaktuar.

ICCPR – Neni 9 (liria dhe siguria personale): Shoqërimet preventive pa dyshime të bazuara në prova individuale shkelin të drejtat e individit në protestë dhe konsiderohen ndalime arbitrare.

Çfarë rrezikon Shqipëria nëse këto masa miratohen dhe kthehen në ligj?

Nëse këto ndryshime kthehen në ligj në formën që i prezantoi kryeministri Rama, pa u përshtatur tërësisht me standardet ndërkombëtare, Shqipëria mund të përballet med disa pasoja serioze.

Së pari, ajo mund të ketë probleme në negociatat me Bashkimin Evropian.

Shqipëria rrezikon të ndërlikojë ecurinë në Klasterin 1 (Themeloret), posaçërisht në Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitullin 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria).

Në këtë kontekst, Komisioni Evropian mund t’i vlerësojë këto masa si “hapa prapa” në rrugën e integrimit.

Problemi tjetër mund të jetë ai i padive masive në Gjykatën e Strasburgut.

Qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile mund të padisin Shqipërinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shqipëria rrezikon t’i humbasë këto çështje për shkelje të neneve 6, 8 dhe 11 të KEDNj-së, duke u detyruar të paguajë dëmshpërblime të konsiderueshme nga buxheti i shtetit.

Një tjetër masë politike mund të jetë ajo e vendosjes në monitorim të fortë nga Këshilli i Evropës dhe OSBE.

Si OSBE, ashtu edhe Këshilli i Evropës mund ta klasifikojnë Shqipërinë si një vend ku hapësira e qytetarëve për të protestuar është kufizuar ndjeshëm.

Dërgimi i ndryshimeve ligjore në Gjykatën Kushtetuese

Në Shqipëri, paketa rrezikon të shpallet antikushtetuese. Nenet 17, 30 dhe 47 të Kushtetutës së Shqipërisë garantojnë lirinë e tubimit, prezumimin e pafajësisë dhe kërkojnë që kufizimet e të drejtave të jenë proporcionale me shkallën e dëmit.

Në një rast të mëparshëm në vitin 2021, kur ka shqyrtuar një iniciativë të qeverisë për ndryshimin e ligjit për tubimet, Gjykata Kushtetuese ka sanksionuar se liria e tubimit nuk mund t’i nënshtrohet asnjë formaliteti miratimi apo lejeje paraprake nga Policia e Shtetit.

Sipas Gjykatës, vendimin për të protestuar e merr vetë qytetari dhe policia nuk ka autoritet ta lejojë apo ta ndalojë atë, përveç rasteve ekstreme të sigurisë kombëtare të provuara qartësisht. Kjo rrëzon çdo tentativë për ndalime preventive nga policia.

Gjykata ka shpallur antikushtetuese penalizimet e përgjithshme, duke theksuar se pjesëmarrja në një tubim paqësor nuk mund të konsiderohet vepër penale, për sa kohë tubimi mbetet paqësor.

Shpërndaje te miqtë