
Ajo që fillimisht u cilësua si simboli i marrëdhënieve të ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, sot ka shërbyer si një pasqyrë e mangësive shumëvjeçare mbi të cilat është ngritur sistemi politik shqiptar.
Projekti i Zvërnecit, i lidhur me emrin e Xhared Kushner, u promovua si një sukses diplomatik dhe si dëshmi se vendi është në gjendje të tërheqë kapital pranë qendrave të vendimmarrjes amerikane.
Sot, ky projekt është kthyer në shkakun e protestave më të mëdha që Shqipëria ka përjetuar në tre dekadat e fundit.
Pasojat e këtij dështimi nuk kufizohen vetëm te reagimi publik. Mënyra se si ky investim u miratua dhe po mbrohet ka krijuar një distancë pikërisht nga ajo që pretendoi të afronte, nga investitorët amerikanë dhe nga vetë Amerika.
Problemi nuk qëndron te vetë investimi, por te mënyra se si është dhënë. Baza ligjore e këtij procesi është ligji i vitit 2015 për investimet strategjike. Akt i miratuar fillimisht si masë e përkohshme, por i zgjatur tashmë gjashtë herë.
Përmes këtij mekanizmi, investitorët e certifikuar si strategjikë përfitojnë një trajtim i veçantë, ku shteti u mundëson shfrytëzimin e pasurive publike dhe u lehtëson proceset e konkurrimit, lejeve dhe miratimeve sektoriale.
Vendimi për përfitimin e këtij statusi merret nga Komiteti i Investimeve Strategjike, një organ i drejtuar nga kryeministri.
Sipas deklaratave publike të Kushnerit, interesi i tij për Shqipërinë lindi pas një takimi privat në një jaht me kryeministrin në vitin 2021.
Tre vjet më pas, në dhjetor të vitit 2024, Komiteti i Investimeve Strategjike, nën drejtimin e vetë kryeministrit, i dha projektit statusin strategjik. Ajo që filloi si një diskutim privat u shndërrua në një vendim zyrtar shtetëror, pa u filtruar nga asnjë institucion i pavarur.
Kur i gjithë procesi varet nga një zyrë e vetme, edhe transparenca varet nga vullneti i saj. Dhe ky vullnet për transparencë ka munguar deri më sot.
Pas javësh vëmendjeje mediatike dhe protestash të përditshme përpara Kryeministrisë, pyetjet kryesore mbeten ende pa përgjigje.
Nuk është bërë e qartë nëse ekziston një leje ndërtimi, një projekt i miratuar apo një strukturë e përcaktuar pronësie. I vetmi sqarim zyrtar erdhi këtë javë, kur kryeministri deklaroi për Reuters se vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk është kryer ende dhe se do të realizohet paralelisht me zhvillimin e projektit.
Ndërkohë, pyetjet që nuk po marrin përgjigje në atë zyrë kanë filluar të kërkohen diku tjetër.
Çështja ndodhet nën hetim nga SPAK, i cili ka lëshuar urdhër arresti për një nga pronarët e tokës në Zvërnec (lidhur me një çështje tjetër), ndërsa Komisioni Evropian paralajmëroi këtë javë se projekti mund të cenojë detyrimet e Shqipërisë në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Brukseli kërkoi rishikimin e ligjit për investimet strategjike dhe respektimin e standardeve mjedisore të Kapitullit 27.
Dhe këtu qëndron dëmi i vërtetë, ai që shkon përtej një projekti të vetëm. Ajo që dosja e Zvërnecit i tregon çdo investitori që vëzhgon Shqipërinë nuk është se vendi mirëpret kapitalin amerikan. Është se në Shqipëri mundësitë nuk fitohen në treg, por jepen nga qeveria.
Kapitali serioz lexon të kundërtën e asaj që qeveria përpiqet të komunikojë. Ai kërkon mbi të gjitha qendrueshmëri dhe parashikueshmëri: rregulla që nuk ndryshojnë me ciklin elektoral, prona të garantuara dhe procedura të parashikueshme.
Për çdo investitor racional, një vend ku suksesi varet nga afërsia me kryeministrin është një vend i rrezikshëm, sepse kryeministrat ndërrohen.
Statusi që sot jepet përmes një takimi privat mund të rishikohet nesër me një vendim po aq privat. Privilegjet mund të sjellin një investim. Ato nuk ndërtojnë një klimë investimi.
Investitori serioz nuk kërkon trajtim të veçantë. Ai kërkon garancinë se nuk do t'i duhet kurrë.
Prandaj akuza duhet kthyer nga ana e duhur.
Nuk ishin protestat ato që e larguan Shqipërinë nga Amerika. Ato thjesht nxorën në pah një largim që kishte ndodhur shumë më herët, në heshtje, në të njëjtën zyrë ku nisi gjithçka.
Sepse Amerika nuk përfaqësohet nga një investitor i vetëm, por nga vlerat mbi të cilat u ndërtua. Barazia para ligjit, mundësitë e njëjta për të voglin dhe të madhin, siguria që investimi mbetet i mbrojtur edhe kur ndryshon qeveria.
Amerika nuk vjen me avion privat e as zbret nga një jaht.
Ajo shfaqet përmes parimeve dhe ato nuk kërkojnë ftesë, kërkojnë vullnet.
