
Kryeministri Edi Rama e përdori fjalimin e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara mbi rreziqet e manipulimit të informacionit për t’i paraqitur protestat masive kundër qeverisë së tij si pasojë të një fushate mashtrimi me inteligjencë artificiale.
Rama foli për një fushatë të pretenduar që përhapte lajme të rreme për një pushtim izraelit të bregdetit shqiptar. Sipas tij, versione të ndryshme të kësaj historie u përshtatën për të nxitur frikën nga tradhtia kombëtare, provokimi fetar dhe pushtimi i huaj.
“Qytetarët protestuan kundër një armiku fantazmë”, tha ai. “Stereotipe antisemitike u futën në diskursin tonë publik.”
“Frika u kthye në zemërim, zemërimi në mobilizim dhe trillimi në realitet politik.”
Rama nuk e përmendi me emër Revolucionin e Flamingove në fjalën e tij.
Ai nuk përmendi se protestat nisën kundër një projekti për resort luksoz në peizazhin e mbrojtur të Zvërnecit dhe nuk e përmendi asnjëherë emrin e Xhared Kushnerit dhe lidhjen e tij me projektin.
Rama nuk përmendi se protestat qe nisën si idninjatë ndaj rrahjes barbare të një protestuesi shumë shpejt u kthyen ne protesta kundër korrupsionit qeveritar, lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar dhe pushtetit të oligarkëve, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Në gjithë rrëfimin e Ramës në Kombet e Bashkuara, protestuesit u shfaqën si njerëz që u mashtruan për t'i nxjerrë në rrugë.
Ai e përdori këtë rrëfim për të promovuar një “Pasqyrë” digjitale shqiptare, të bazuar në inteligjencën artificiale. Sipas tij, ajo do të zbulonte manipulimin dhe do t’i ndihmonte qytetarët të kuptonin se si u mbërrinte informacioni.
Ai këmbënguli se e vërteta duhet të mbështetet në prova dhe të jetë e hapur ndaj shqyrtimit e kundërshtimit.
Megjithatë, në fjalim ai nuk paraqiti asnjë provë për pretendimin e tij se protestat ishin shkaktuar nga një fushatë manipulimi.
Në mënyrë arbitrare, ai e lidhi zemërimin publik me një pushtim të trilluar izraelit dhe me narrativa antisemitike, duke zëvendësuar shkaqet e vërteta me një shpjegim të pambështetur në prova.
Ky rrëfim e paraqiti qeverinë e tij si mbrojtëse të qytetarëve nga mashtrimi, në vend të një qeverie së cilës i kërkohej llogari për keqqeverisjen e saj.
Në një fjalim që paralajmëronte kundër dezinformimit, Rama u përpoq të dezinformonte për një ngjarje tashmë të mirënjohur nga e gjithë bota.
Shpërndaje te miqtë
