
Studentët në Tiranë kanë bojkotuar masivisht mësimin dhe protestuan gjatë gjithë ditës përpara Ministrisë së Arsimit, të cilën e kanë pagëzuar tashmë me emrin “Ministria e Emigrimit” dhe rrugëve të Tiranës.
Në ditën e dytë të protestës, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama është bërë qendrore, krahas kërkesave për përmirësimin e kushteve në universitete dhe drejtësi për protestuesit e dhunuar një godinë më parë.
Protestuesit kanë djegur katet e para të disa ministrive në Tiranë dhe kanë qëlluar med mjetet piroteknike zyrën e kryeministrit Edi Rama në mbrëmje.
Protestuesit nuk kanë pranuar që atyre t’u bashkohen deputetët e Partisë Demokratike, duke larguar nga tubimi me forcë deputetin Edi Paloka. E njëjta situatë ndodhi edhe med deputetin tjetër të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, pak më vonë, edhe pse ky i fundit e mohoi.
Thirrjet e të rinjve janë ato që dëgjohen prej më shumë se tre muajsh në rrugët e Tiranës dhe drejtohen ndaj të gjithë establishmentit politik të vendit.
“Rama në burg, Berisha në burg” ka qenë motivi i protestës së Flamingove dhe vazhdon të jetë slogan edhe i protestave të studentëve.
Dhuna joproporcionale e policisë të martën, rrahjet brutale, uji dhe gazi lotsjellës kanë krijuar efekt të kundërt, duke shtuar edhe më shumë numrin e studentëve dhe të rinjve në protestën e së mërkurës.
Ditën e dytë, protestës i janë bashkuar studentë nga disa fakultete në Tiranë dhe jashtë saj. Studentët kanë bojkotuar masivisht mësimin. Bojkoti është shtrirë edhe në disa gjimnaze të Tiranës.

Gjatë protestës përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe grupet e tjera rinore kanë shkulur hekurat ndarës të rrugëve, duke krijuar barrikada mes tyre dhe forcave të policisë.
Policia, ditën e dytë, ka qenë më e përmbajtur në përdorimin e forcës. Shoqërimet kanë qenë më të pakta dhe policët janë treguar më të përmbajtur në përdorimin e dhunës fizike.
Policia ka përdorur ujin me presion, të përzier me kimikate, në distancë, për të larguar protestuesit nga godina e ministrisë.
Për shumë orë protesta është përqendruar vetëm përpara ministrisë së Arsimit apo rrugës që të çon drejt saj.

Në orët e pasdites protestuesit janë zhvendosur në qendër të Tiranës, ku kanë djegur stolat plastikë e më pas në godinat qeveritare.
Ata kanë sulmuar zyrat në katin përdhes të ministrisë së Financave, për t’u zhvendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përpara ish-Piramidës, duke djegur dhe shkatërruar bizneset rreth saj.
Protestuesit kanë hedhur gurë, bomba artizanale dhe i kanë vënë zjarrin çdo objekti që kanë gjetur përpara.
Policia ka hedhur ujë me presion dhe gaz lotsjellës dhe ka vijuar shoqërimet edhe pasditen e të mërkurës, pas përshkallëzimit të situatës.
Asnjë nga masat e policisë nuk ka qenë efektive, pasi zemërimi i protestuesve nuk është ndalur dhe në orët e mbrëmjes ata kanë rrethuar kryeministrinë duke mos u larguar prej saj.
“Kërkojmë drejtësi për protestuesit e djeshëm. Duam kushte më të mira, nuk kemi laboratorë për të kryer mësimin. Jemi shumë në disavantazh me studentët europianë”, tha një studente e Mjekësisë.
Një student u shpreh se kërkesa kryesore e protestës është largimi i kryeministrit.
“Kërkesat janë ato që kemi thënë në 135 ditë. Duam dorëheqjen e Ramës”, tha ai.
Dy vajza të tjera shtuan se ndodhen në rrugë për të protestuar, sepse si gjendja e cilësisë së arsimit, ashtu edhe ajo ekonomike kanë shkuar në pikën ku nuk mbajnë më.
“Protestojmë sepse në shkollë mungon meritokracia, ka korrupsion. Ekziston një shprehje mes nesh: dhjetë me mik apo dhjetë me pikë”, tha një student i Fakultetit të Drejtësisë.
“Nëse më pyet mua, nëse pyet të gjithë këta studentë dhe të rinj këtu, të gjithë duam të ikim nga Shqipëria, sepse nuk kemi kushte as për të studiuar dhe as për të jetuar. Prandaj, edhe kësaj godine i kemi vënë emrin ‘Ministria e Emigrimit’”, shtoi i njëjti student, duke drejtuar gishtin nga godina e Ministrisë së Arsimit.
Për studentët, nuk mund të jetë kryeministri Rama ai që mund t’u japë zgjidhje problemeve të tyre, sepse është ai që ua ka krijuar ato. “Për ne, ky vend është bërë i pajetueshëm”, tha një tjetër vajzë, studente e vitit të parë nga Saranda.
Pas protestës së 13 tetorit, mbi 13 persona u lënduan, mes tyre protestues, punonjës policie, gazetarë dhe kalimtarë. Disa prej tyre vijojnë të marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës.
Policia ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht dhjetëra të tjerë, sipas njoftimeve dhe raportimeve mediatike. Autoritetet i lidhin procedimet me dhunën ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Ndërkohë, pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia kanë nxitur kërkesa për hetim dhe llogaridhënie.
Deri më sot, vetëm katër efektivë policie dhe një oficer janë vënë nën hetim për ngjarjen flagrante, në të cilën ata shfaqeshin në video duke tërhequr zvarrë një 19-vjeçar me këmbë të thyer, si pasojë e dhunës së ushtruar prej tyre ndaj protestuesit.
Delegacioni i Bashkimit Europian ka dënuar përshkallëzimin e dhunës dhe ka deklaruar se liria e shprehjes dhe e tubimeve janë të drejta themelore. Delegacioni tha se është vënë në dijeni të rasteve të dhunës ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, u shpreh zyra e BE-së në Tiranë.
Në orët e mbrëmjes ambasada e Britanisë së Madhe dënoi përshkallëzimin e dhunës dhe në anën tjetër shkatërrimin e pronës publike duke kërkuar vetëpërmbajtje nga të gjitha palët.
Shpërndaje te miqtë
