
Kompania Meta ka nisur rikthimin e llogarive në Instagram të protestuesve kundër qeverisë, të cilat i pezulloi dy ditë më parë, përfshirë edhe atë të deputetit Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia.
Llogaria e Shehajt u rikthye pas 24 orësh, ndërsa Meta po u rikthen gradualisht aksesin edhe aktivistëve të tjerë të prekur.
Mes tyre është Gent Progni, një nga koordinuesit e protestave të Revolucionit të Flamingove.
Në një prononcim për Exit.al, ai tha se llogaria i ishte rikthyer, por kishte humbur certifikimin dhe tikun përkatës blu.
“Nuk e di pse u bllokua llogaria ime, edhe pse i kam kërkuar Meta-s një shpjegim, të cilin nuk ma kanë dhënë. Ata thjesht ma rikthyen aksesin pasi bëra ankimimin,” tha ai.
Progni e cilësoi pezullimin të pazakontë, pasi nuk kishte marrë asnjë paralajmërim për ndonjë shkelje të pretenduar. Meta nuk i dha asnjë shpjegim, as në momentin e pezullimit të llogarisë dhe as pas rikthimit të saj.
Exit.al kontaktoi Meta-n lidhur me pezullimin e llogarive të aktivistëve të protestës në Shqipëri dhe mori prej saj një përgjigje standarde:
“Shqyrtuam veprimet që kishim ndërmarrë më parë ndaj këtyre llogarive dhe rikthyem ato që ishin çaktivizuar gabimisht. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar. Ne kemi një proces ankimimi, të cilin njerëzit mund ta përdorin kur mendojnë se kemi bërë një gabim. Kjo na mundëson të rikthejmë përmbajtjen nëse konstatojmë se ajo nuk shkel rregullat tona.”
Pezullimet shkaktuan shqetësim dhe debat, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel.
Ato sollën një përplasje të ashpër mes kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike Evropiane (PDE), një grupim partish të qendrës të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.
Në një postim në rrjetet sociale të enjten, PDE-ja kërkoi “një përgjigje të menjëhershme nga qeveria e Edi Ramës dhe autoritetet shqiptare”.
“Një vend që synon të përparojë drejt anëtarësimit në BE duhet të mbrojë çdo zë kritik paqësor,” deklaroi grupimi.
Megjithëse PDE-ja ka ndikim të kufizuar politik në Bruksel, ndërhyrja e saj shkaktoi një reagim të zemëruar nga Rama në platformën X.
Kryeministri e cilësoi për të ardhur keq ndërhyrjen e grupimit dhe e akuzoi atë se po përhapte një “formë të ulët propagande”.
Duke mohuar se qeveria ka luajtur ndonjë rol në pezullimin e llogarive, Rama shkroi: “Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin marrëzira të tilla.”
PDE-ja u përgjigj se “ofendimet e kryeministrit Rama nuk u dhanë përgjigje pikëpyetjeve”, duke u shtuar se ata vetëm i kishn kërkuar transparencë Meta-s dhe Bashkimit Evropian vëmendje ndaj çështjes.
“Në një demokraci, të bësh pyetje nuk është agjitacion,” sqaroi grupimi.
Përplasja nuk përfundoi me kaq. Pak pas mesnatës, Rama botoi një tjetër reagim ndaj eurodeputetëve, këtë herë duke dënuar imazhin (e krijuar me inteligjencë artificiale) që shoqëronte postimin fillestar të PDE-së.
“Ajo që neverita ishte aludimi juaj i paturpshëm vizual, dhe fakti që refuzoni ta pranoni atë tregon pikërisht se çfarë lloj demokratësh jeni ju. Mëkat!” shkroi Rama.
Qeveria mund të mos ketë pasur vërtet rol në pezullimin e llogarive të protestuesve. Megjithatë, mbeten pikëpyetjet se përse u prekën vetëm llogaritë e protestuesve dhe kritikëve të qeverisë dhe pse u bllokimi u bë në të njëjtën kohë, sikur të ishte një operacion i përqendruar.
Meta ka pranuar se llogaritë u çaktivizuan gabimisht, por nuk ka shpjeguar se çfarë e shkaktoi këtë gabim.
Momenti kur u bënë pezullimet dhe mungesa e ndonjë shpjegimi nga Meta për këtë veprim kanë shtuar dyshimet, duke e kthyer çështjen në një temë me ndjeshmëri të lartë edhe përtej Shqipërisë.
Kompania tha se po i rishikon procedurat që u përdorën për pezullimet, por nuk ka bërë publike hollësi rreth hetimit të saj të brendshëm.
Shpërndaje te miqtë
