
Artikulli, me titull “Flamingot, Kushneri dhe një biznesmen izraelit: në brëndësi të stuhisë politike në Shqipëri”, përshkruan protestat që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë muajit qershor si një krizë që mund të kërcënojë seriozisht pushtetin e Ramës.
Artikulli përshkruan zemërimin publik dhe protestat kundër projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, që rrezikon ekosistemin unik të lagunës dhe habitatin e flamingove.
Por raportimi thekson se protesta ka marrë edhe një dimension tjetër: marrëdhëniet e ngushta të Ramës me Izraelin dhe me biznesmenin Ron Yefet, i cili përshkruhet si mik i afërt personal i kryeministrit shqiptar dhe partner biznesi i shtetit shqiptar në sektorin e mbrojtjes.
Sipas TheMarker, Yefet ka interesa të shumta biznesi në Shqipëri në pasuri të paluajtshme, infrastrukturë dhe industri ushtarake.
Kompania e tij është partnere e kompanisë shtetërore shqiptare KAYO në një sipërmarrje që prodhon automjete të blinduara, ambulanca, kamionë zjarrfikës dhe pajisje të tjera, të cilat shiten jo vetëm institucioneve shqiptare por edhe vendeve afrikane dhe shteteve anëtare të NATO.
Artikulli rikujton gjithashtu deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili në janar të këtij viti e quajti të ashtuquajturin “projekti Kayo” një operacion korruptiv për transferimin e aseteve shtetërore në duar private.
Investigimi përmend edhe akuzat e ngritura më herët nga opozita shqiptare mbi marrëdhënien mes Ramës dhe Yefet, përfshirë pretendimet se biznesmeni izraelit ka tentuar të blejë borxhin publik shqiptar dhe ka përdorur afërsinë me kryeministrin për interesa private biznesi.
Një tjetër element i raportimit lidhet me vizitën e Ramës në Izrael disa muaj më parë. Sipas investigimit, fluturimi drejt Izraelit nuk u financua nga qeveria shqiptare, ndërsa mbetet ende e paqartë kush e pagoi udhëtimin. Kjo çështje ishte raportuar më parë edhe nga media shqiptare Reporter.al.
Në artikull përmenden gjithashtu deklaratat e fundit të Ramës, i cili ka pretenduar se protestat kundër projektit në Zvërnec po shoqërohen nga narrativa antisemitike dhe nga akuza të rreme se ai ka bërë marrëveshje me Kushner dhe Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për zhvendosjen e palestinezëve në Shqipëri — pretendime që Rama i ka quajtur publikisht “fantazi”.
Vetë Ron Yefet, në reagimin e dhënë për gazetën izraelite, ka mohuar çdo përfshirje në akuzat e ngritura ndaj tij.
“Figura të opozitës në Shqipëri po më përdorin mua dhe biznesmenë të tjerë si mjete për të sulmuar dhe dëmtuar kryeministrin e tyre,” tha ai.
Ndërsa zyra e Kryeministrit shqiptar deklaroi për gazetën se akuzat për korrupsion janë “plotësisht të pabaza” dhe se kompania shtetërore Kayo është krijuar sipas standardeve ndërkombëtare për bashkëpunim me sektorin privat.
Megjithatë, përfundimi i artikullit është politikisht domethënës.
Sipas autorëve izraelitë, lidhja e ngushtë mes biznesit privat, pushtetit politik dhe marrëdhënieve personale që është krijuar mes Ramës dhe Ron Yefet mund të bashkohet tani me zemërimin publik kundër projektit në Zvërnec — dhe potencialisht të shndërrohet në kërcënimin më serioz ndaj pushtetit të kryeministrit shqiptar.
