Mbyllëm kapitullin e shkencës. Por shkencë nuk kemi.

Megi Duka 23 Korrik 2026, 18:27

Mbyllëm kapitullin e shkencës. Por shkencë nuk kemi.

Mbyllja e shumëpritur e kapitullit të parë të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së nuk i shpëtoi ironisë.

Ishte kapitulli për shkencën dhe kërkimin. Por zor se mund të ketë ndonjë fushë tjetër ku Shqipëria të jetë më pas BE-së sesa shkenca dhe kërkimi.

Atëhere çfarë u mbyll në të vërtetë?

Mbyllja (e përkohshme) e kapitullit do të thotë një gjë të thjeshtë: Shqipëria ka harmonizuar legjislacionin për shkencën dhe ka aftësi të marrë pjesë në programet evropiane të kërkimit dhe shkencës.

Por mbyllja nuk do të thotë se universitetet tona kanë arritur nivelin evropian. Nuk do të thotë se laboratorët tanë janë të financuar mirë. Nuk do të thotë se prodhimi ynë shkencor është konkurrues me atë të BE-së.

Rasti i Malit të Zi e tregon më së miri qasjen e ngushtë institucionale të negociatave. BE-ja dhe Mali i Zi i hapën dhe i mbyllën negociatat brenda së njëjtës ditë—më 18 dhjetor 2012, një dekadë e gjysmë më parë.

BE-ja vlerësoi se për Malin e Zi nuk kishte nevojë për të vendosur objektiva shtesë—po përse? Sepse detyrimet evropiane në këtë fushë janë të pakta.

Prandaj plotësimi i tyre dhe mbyllja e shpejtë e kapitullit nuk varen dhe nuk provojnë se shkenca e vendit është në nivel evropian.

Në fakt, këtë e thotë edhe vetë BE-ja, e cila vlerëson se, edhe pse kapitulli është mbyllur përkohësisht, shumë nga problemet kryesore të vendit në fushën e shkencës mbeten të hapura dhe duhet të përballen.

Shqipëria duhet të vazhdojë të reformojë arsimin e lartë dhe kërkimin; të rrisë financimin për shkencën në nivelin e 1% të prodhimit të vendit, brenda vitit 2030; të sigurojë që fondet për shkencën të shpenzohen me efikasitet; të forcojë lidhjen mes universiteteve dhe biznesit; të prodhojë statistika më të besueshme.

Në mënyrë domethënëse, BE-ja kërkon, gjithashtu, mbikëqyrje më të fortë kundër korrupsionit në shkencë dhe kërkim.

Pra, mbyllja e kapitullit për shkencën dhe zhvillimin nuk ka të bëjë me cilësinë e universiteteve, me cilësinë dhe arritjet shkencore dhe as me fuqinë e ekonomisë së dijes.

Prandaj, kapitulli është mbyllur, por hendeku me BE-në është i hapur.

Hendeku fillon te paratë

Statistikat tregojnë më qartë se deklaratat politike se ku ndodhet Shqipëria. Në vitin 2024, Shqipëria shpenzoi për kërkim dhe zhvillim rreth 0,19% të prodhimit të vendit (PBB); mesatarja e vendeve të BE-së ishte 2,24%.

Pra, përpjesëtimisht me ekonominë, Shqipëria shpenzon 12 herë më pak për kërkim dhe zhvillim sesa niveli mesatar i BE-së. Rumania, vendi i BE-së që shpenzon më pak se të tjerat, prapë shpenzon 2,4 herë më shumë se ne.

Në vitin 2024, shpenzimet e përgjithshme të BE-së për kërkim dhe zhvillim ishin 403 miliardë euro, ose rreth 897 euro për çdo banor.

Shpenzimet e Shqipërisë shin rreth 48 milionë euro, ose rreth 20 euro për banor. Pra, 45 herë më pak!

Kjo statistikë është domethënëse: financimi përcakton nëse një kërkues ka kohë për të bërë kërkim, nëse mund të blejë pajisje, të mbledhë të dhëna, të marrë pjesë në konferenca, të punësojë asistentë dhe të ndërtojë një ekip që funksionon për më shumë se një projekt.

Pa financim të qëndrueshëm, shkenca mbetet aktivitet sporadik dhe i izoluar.

Mungesa e hulumtuesve dhe studiuesve

Shqipëria ka studiues të aftë. Madje një pjesë e tyre i kanë konfirmuar me sukses aftësitë në mjediset më të përparuara shkencore në botë.

Por në Shqipëri kanë mbetur shumë pak kërkues shkencorë.

Të dhënat e Bankës Botërore dhe UNESCO-s tregojnë se Shqipëria ka numrin më të vogël të kërkuesve në rajon, disa herë më pak se Serbia dhe gati dy herë më pak se Mali i Zi, që ka vetëm rreth 600 mijë banorë.

Edhe zinxhiri që duhet të prodhojë brezin e ardhshëm të kërkuesve është i dobët. Në Tabelën Evropiane të Inovacionit 2026, Shqipëria renditet e fundit në Evropë (e 40-ta) për doktoraturat e reja në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. (Indeksi krahason numrin e doktoraturave për çdo 1 mijë banorë të moshës 25–34 vjeç).

Kjo tregon se prodhimi i doktorëve të rinj të shkencës është shumë i dobët. 

Një sistem shkencor nuk ndërtohet me disa individë, qoftë edhe të jashtëzakonshëm, që sfidojnë kushtet dhe mjedisin.

Duhet një masë kritike kërkuesish. Duhet një rrugë e qartë karriere. Duhen kushte që i bëjnë të rinjtë ta zgjedhin kërkimin si profesion.

Sot, kërkimi në Shqipëri mbështetet shumë te këmbëngulja personale. Dhe shumë pak te sistemi.

Prova më e fortë e hendekut: fondet evropiane që nuk i thithim dot

Ka një tregues që mishëron prapambetjen në të gjithë treguesit e mësipërm: grantet që Shqipëria tërheq në fushën e shkencës nga programet e BE-se.

Shqipëria është përfituese e programit Horizon Europe—programi kryesor i BE-së për kërkimin. Institucionet dhe kërkuesit shqiptarë kanë të drejtë të konkurojmë njësoj si vendet e BE-së. Paratë janë aty.

Rezultati? Nga viti 2022 deri në fund të vitit 2025, Shqipëria siguroi vetëm 46 kontrata për një shumë totale prej 7,3 milionë eurosh. Volum minimal!

Kjo gjendje vazhdon prej kohësh. Në periudhën 2014–2017, Shqipëria tërhoqi vetëm 1,9 milionë euro nga fondet evropiane të kërkimit (nga të gjitha programet), ndërkohë që Serbia tërhoqi mbi 60 milionë.

Dera e financimeve nga BE është e hapur. Problemi është se universitetet, qendrat kërkimore dhe kompanitë private kanë pak individë dhe ekipe që mund të konkurrojnë dhe të fitojnë fonde kërkimore.

Ku renditet Shqipëria?

Tabela Evropiane e Inovacionit 2026 e rendit Shqipërinë të 35-tën mes 40 vendeve të vlerësuara, me një nivel të inovacionit sa 41,6% e mesatares së BE-së.

Treguesit e kërkimit që ka vlerësuar raporti janë edhe më keq.

Bashkëpunimet shkencore ndërkombëtare? Vetëm 14,5% e mesatares së BE-së.

Publikime në 10% më të cituarat në botë? 28,7%.

Bashkëpublikimet mes sektorit publik dhe privat? Vetëm 10,2%.

Shpenzimi i biznesit për kërkim? 2,1%.

Eksportet e shërbimeve intensive në dije? Vetëm 1,3% e nivelit mesatar të BE-së.

Tabloja nuk është krejt e zezë.

I njëjti raport tregon diçka interesante. Bizneset e vogla dhe të mesme shqiptare dalin mirë në disa tregues.

Kompanitë që shesin produkte të reja të tyret apo të reja për vetë tregun është vlerësuar mbi mesataren e BE-se. 

Niveli i bashkëpunimi mes bizneseve inovative gjithashtu është vlerësuar mbi mesataren e BE-së.

Kjo ka rëndësi. Sepse tregon se Shqipëria nuk është pa ide dhe pa sipërmarrje inovative.

Problemi është tjetërkund. Këto biznese nuk lidhen mjaftueshëm me universitetet, laboratorët dhe sistemin publik të kërkimit.

Universitetet tona nuk janë qendra kërkimi

Ka edhe një të vërtetë që duhet thënë hapur. Universitetet shqiptare janë ende kryesisht shkolla, vende ku jepet mësim. Jo vende ku prodhohet dije e re.

Kërkimi shkencor në to është aktivitet dytësor. Bëhet individualisht, kur pedagogu gjen kohë.

Nuk ka grupe kërkimi. Nuk ka fonde bazë. Nuk ka laboratorë funksionalë. Dhe nuk ka karrierë të qartë për studiuesit e rinj.

Një universitet nuk bëhet kërkues sepse ka staf me tituj akademikë. Bëhet kërkues kur ka fonde, kohë, laboratorë, grupe shkencore, standarde etike dhe mekanizma vlerësimi.

Ne kemi titujt. Na mungon gjithçka tjetër.

Shkencë pa sektor privat

Në BE, pjesa më e madhe e kërkimit nuk realizohet nga shteti, por nga sektori privat.

Rreth dy të tretat e shpenzimeve për kërkim në BE vijnë nga sektori privat. Kompanitë e teknologjisë, farmacisë, energjisë dhe industrisë investojnë miliarda çdo vit.

Në Shqipëri, sektori privat nuk investon fare në kërkim shkencor.

Dhe kjo ka një shpjegim.

Ekonomia jonë mbështetet te shërbimet, ndërtimi, tregtia dhe turizmi. Këta janë sektorë me vlerë të shtuar të ulët.

Ata konkurrojnë me çmime të lira, jo me ide të reja.

Kjo duket edhe te tregu i punës.

Një studim i para pak javëve ka matur sa njerëz punojnë në profesione shkencore, teknike dhe profesionale, pra, inxhinierë, kërkues, mjekë, juristë. Këto janë profesione të ekonomisë së dijes: paguhen më mirë dhe nuk zhvendosen lehtë jashtë.

Tirana, rajoni ynë më i zhvilluar, ka vetëm 3,8% të punonjësve në këto fusha.

Beogradi ka 11,2%. Gati tre herë më shumë. Edhe Shkupi na kalon, me 5,8%.

Këtu qëndron një e vërtetë e thjeshtë: një vend nuk mund të ketë kërkimin shkencor të BE-së me strukturën ekonomike të një vendi që konkurron me kosto të ulët, jo me inovacion.

Për vite, avantazhi ynë ishte krahu i lirë i punës. Por pagat po rriten dhe pa inovacion. Ky model po shterohet.

Kërkimi i përjashtuar nga politikë-bërja dhe vendim-marrja

Si merren vendimet për shëndetësinë? Për arsimin? Për mjedisin, urbanistikën, migracionin, punësimin?

Shpesh, pa asnjë bazë shkencore vendase.

Shkaku nuk është vetëm se punimet shkencore në politikat publike janë të pakta. Problemi është se shteti nuk kërkon të mbështesë politikëbërjen mbi studime apo baza shkencore.

Shteti vepron vetëm me vlerësime projektesh dhe analiza konsulence.

Këto bëhen për një donator, mbarojnë me projektin dhe harrohen.

E vërteta është se në Shqipëri nuk ka infrastrukturë të qëndrueshme kërkimi që ushqen politikat publike vit pas viti.

Në Evropë, para se të ndryshohet një politikë, pyeten institutet kërkimore. Në Shqipëri, shpesh vendoset më parë dhe pastaj kërkohen studime për ta justifikuar.

Doktoratura si biznes

Kjo është pjesa më e dhimbshme.

Në Evropë, doktoratura është puna më e vështirë e një shkencëtari. Zgjat vite. Kontrollohet nga ekspertë.

Në Shqipëri, doktoratura është kthyer në mall.

Hetimet e medias kanë treguar se një temë diplome mund të “prenotohet” online për 150 deri në 200 euro.

Kjo tregti bëhet para syve të universiteteve dhe të Ministrisë së Arsimit.

Në vitin 2018 shpërtheu skandali i madh i plagjiaturave. Që atëherë është zbuluar se qindra politikanë e drejtues të lartë—përfshi dhjetëra ministra e deputetë—dhe profesorë e drejtues universitarë kishin kopjuar doktoraturat e tyre. Në disa raste, deri në mbi 70–80% të punimit ishte i kopjuar.

Çfarë ndodhi?  Pothuajse asgjë. Të gjithë, pa asnjë përjashtim, i mbajtën titujt dhe postet.

Nga viti 2011, në Gjermani janë zbuluar tre minsitra me doktoratura plagjiaturë (të pjesshme). Të tre dhanë menjëherë dorëheqjen, ndërsa universitetet u anuluan titujt.

Qeveria jonë premtoi një zgjidhje të pergjithshme: ngritjen e Arkivit Digjital të Doktoraturave, me kontroll antiplagjiaturë.

Realiteti: nuk ka as arkive dhe Ministria nuk tregon dot çfarë programi kontrolli antiplagjiaturë po përdor.

Çfarë do të thotë kjo për ne?

Mbyllja e kapitullit 25 për shkencën dhe zhvillimin nuk është certifikatë suksesi. Është thjesht një nivel minimal formal.

Kur të jemi pjesë e BE-së, universitetet tona do të konkurrojnë drejtpërdrejt me ato evropiane. Për të njëjtat fonde. Për të njëjtët studentë. Për të njëjtët kërkues.

Siç jemi, kjo garë është e humbur.

Anëtarësimi në BE nuk do të na dhurojë shkencë. Vetëm do të hapë dyert e mundësive.

Për të mos i humbur këto mundësi duhen disa gjëra: më shumë para për kërkimin, kushte që i kthejnë shkencëtarët në atdhe, universitete ku titulli fitohet me punë dhe jo me para, një ekonomi që investon në ide dhe jo vetëm në beton dhe një shtet që i merr vendimet mbi baza shkencore.

Deri atëherë, le të mos gënjejmë veten. Kemi mbyllur një kapitull në Bruksel. Kapitullin e vërtetë të shkencës shqiptare ende nuk e kemi hapur.