
Shumica socialiste ka vendosur të mbrojë zyrtarët e korruptuar nga ekspozimi publik i hetimeve ndaj tyre, përfshirë provat që prokuroria ka mbledhur kundër tyre.
Me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të propozuara nga qeveria, publiku nuk do të mësojë asgjë konkrete për hetimet për korrupsion ndaj politikanëve derisa hetimet të kenë ëprfunduar dhe ata të dalin në gjyq. Kjo mund të ndodhë vite pas nisjes së hetimit.
Nëse çështja pushohet, publiku mund të mos mësojë kurrë asgjë.
Nëse këto ndryshime do të ishin në fuqi, publiku nuk do të mësonte dot, për shëmull, se prokurorët kanë gjetur vila që besohet se i përkasin ish-zëvendëskryeministres Balluku deri në seancën e parë të gjykimit ndaj saj, nëse do të ketë gjykim. Nëse çështja pushohet, nuk do ta mësonte kurrë.
Për më tepër, sipas këtyre ndryshimeve, kushdo që do ta kishte bërë publik këtë informacion—një individ në faqen e tij në Facebook, një media, një organizatë joqeveritare apo edhe një avokat në proces—do të rrezikonte të paditej për dëmshpërblim. Madje avokati do të përballej edhe me masa disiplinore deri në humbjen e licensës.
Disa nga ndryshimet e propozuara janë të arsyeshme. Ndalohet publikimi i emrave dhe fotove të fëmijëve të përfshirë në procese penale, mbrohen viktimat dhe nuk lejohen më pamjet e të arrestuarve me pranga. Këto mbrojnë privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve.
Por pjesa tjetër e ndryshimeve në lidhje informimin për hetimet penale do të sjellë pasoja të rëndësishme.
Kodi aktual e ndalon publikimin e akteve hetimore, por parashikon masë vetëm për nëpunësin e shtetit që i nxjerr këto të dhëna: prokurorin, gjyqtarin, hetuesin ose punonjës të tjerë të drejtësisë. Për këdo tjetër nuk ka pasoja.
Prandaj, deri më sot media i ka publikuar lirisht dokumentet që i kanë ardhur nga burimet e saj.
Ndryshimet e reja i drejtohen çdokujt dhe mbi të gjitha medias.
Ato i përcaktojnë medias çfarë mund të shkruajë, kur mund ta botojë dhe çfarë pasojash ka nëse nuk i zbaton këto rregulla.
Çfarë ndryshon, me fjalë të thjeshta
Askush nuk publikon pa leje gjykate. Ndalimi i publikimit shtrihet te çdokush, nga zyrtarët dhe avokatët deri te qytetari i thjeshtë. Askush nuk mund të publikojë fakte dhe dokumente hetimore, as në rrjetet e veta sociale, pa marrë më parë leje nga gjykata.
Heshtja zgjat me vite. Dokumentet e hetimit nuk mund të publikohen deri në seancën e parë të gjyqit. Nëse çështja mbyllet pa gjyq, ndalimi mund të vazhdojë edhe një vit tjetër.
Vendimet e arrestit nuk publikohen më. Vendimi i gjykatës për arrestimin ose paraburgimin e një zyrtari nuk mund të bëhet publik deri në gjyq.
Botimi i përgjimeve ndalohet pothuajse plotësisht. Bisedat e përgjuara nuk mund të publikohen, përveç pjesëve që i citon vetë gjykata në vendim ose që përdoren në gjyq.
Gazetarit do t’i duhet leja e gjyqtarit. Nëse një gazetar ka në dorë një dokument nga një hetim, nuk mund ta publikojë pa i kërkuar më parë leje gjykatës. Kjo vlen edhe për dokumentet që media i ka marrë para se të hyjë në fuqi ligji.
SPAK-u duhet të flasë më pak. Prokuroria mund të njoftojë publikun vetëm kur është “rreptësisht e nevojshme” dhe pa treguar asnjë dokument.
Mbyllet dera e informimit zyrtar. Gazetarët nuk mund t’i drejtohen më Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe as të marrin kopje të dosjeve, sepse nuk kanë “interes të lidhur me procedimin”.
Media mund të paditet. Kushdo që publikon në kundërshtim me këto rregulla mund të paditet për dëmshpërblim, edhe nga vetë personi që po hetohet.
Një shembull hipotetik: si do të funksiononte në praktikë
Le të marrim një rast të ngjashëm me ato që kemi parë vitet e fundit: një ministër imagjinar, X. SPAK-u dyshon se ai ka manipuluar një tender prej 50 milionë eurosh në favor të një kompanie të afërt.
Dita e arrestimit. SPAK-u e arreston ministrin. Sot, publiku do të mësonte nga vendimi i gjykatës se për çfarë akuzohet, cilat janë provat kryesore dhe pse gjykata vendosi ta mbajë në paraburgim.
Me ligjin e ri, SPAK-u mund të japë vetëm një njoftim të shkurtër. Vendimi i gjykatës nuk mund të publikohet. Publiku di vetëm që një ministër është arrestuar, por jo pse.
Disa ditë më vonë. Një gazetar merr nga një burim transkriptin e një përgjimi ku ministri i thotë biznesmenit “mos u merakos, tenderi është yti”. Sot, kjo bisedë do të ishte lajm kryesor. Me ligjin e ri, gazetari duhet t’i kërkojë leje gjykatës për ta publikuar. Gjykata mund ta refuzojë, ose mund të vendosë pas javësh apo muajsh, kur lajmi ka humbur vlerën.
Nëse gazetari e publikon pa leje, media mund të paditet nga vetë ministri për dëmshpërblim.
Ndërkohë, ministri flet. Ligji i lejon të pandehurit të tregojë publikisht “këndvështrimin e tij” për ngjarjet. Kështu ministri, vetë ose përmes avokatit, mund të thotë se është “viktimë e një gjuetie politike” dhe se “nuk ka asnjë provë”.
Gazetari që ka provën në dorë nuk mund ta publikojë. Publiku dëgjon vetëm një version: atë të të akuzuarit.
Dy vjet hetim. Hetimet e mëdha për korrupsion zgjasin shpesh një deri në tre vjet para se të fillojë gjyqi. Gjatë gjithë kësaj kohe, dokumentet e çështjes mbeten të mbyllura.
Nëse në mes ka zgjedhje, votuesit shkojnë në kutitë e votimit pa ditur asgjë konkrete për akuzat ndaj një ministri ose kandidati.
Nëse çështja mbyllet. Supozojmë se çështja pushohet, për shembull nga parashkrimi.
Ndalimi i publikimit mund të vazhdojë edhe një vit. Vendimi i pushimit nuk mund ta paraqesë ministrin si fajtor, edhe nëse provat ishin të forta.
Publiku nuk mëson kurrë çfarë ndodhi realisht me tenderin prej 50 milionë eurosh.
“Kështu kërkon Europa”
Qeveria do të thotë se këto ndryshime vijnë nga direktiva e BE-së për prezumimin e pafajësisë. Por direktiva u kërkon autoriteteve, prokurorëve, policisë dhe zyrtarëve, që të mos e paraqesin të dyshuarin si fajtor para vendimit të gjykatës. Ajo nuk u kërkon gazetarëve të marrin leje nga gjyqtari para se të publikojnë një lajm.
Pasojat e ndryshimeve në praktikë
Ndryshimet që propozojnë socialistët do të kenë pasoja të ndjeshme për hetimin e korrupsionit dhe për informimin e publikut mbi qeverisjen.
Publiku mëson vetëm atë që i lejohet. Informacioni për hetimet e zyrtarëve do të kalojë përmes filtrit të gjykatës dhe njoftimeve minimale të prokurorisë.
Pabarazi mes të akuzuarit dhe medias. Zyrtari i hetuar mund të flasë lirisht për pafajësinë e vet. Gazetari nuk mund të tregojë provat që e kundërshtojnë narrativën e të hetuarit.
Burimet heshtin. Nëse çdo dokument kërkon leje gjykate, burimet e kanë më të vështirë të ndihmojnë gazetarët, dhe gazetarët e kanë më të vështirë t’i mbrojnë burimet e tyre.
Frika nga paditë. Veçanërisht mediat e vogla investigative nuk kanë burime dhe mundësi për t'u përballur me gjyqe të gjata dëmshpërblimi. Rreziku i një padie nga një zyrtar i fuqishëm mjafton që shumë prej këtyre mediave të heqin dorë vetë, pa pasur nevojë që dikush t’i ndalojë.
SPAK-u izolohet. Mbështetja publike për hetimet kundër korrupsionit varet nga fakti që qytetarët shohin çfarë po ndodh. Pa informacion, hetimet bëhen më të lehta për t’u sulmuar si “politike”.
Në përfundim
Nën emrin e privatësisë, ligji i propozuar nuk mbron kryesisht qytetarin e thjeshtë.
Ai mbron më shumë ata që kanë pushtet dhe janë nën hetim, sepse u jep vite heshtjeje, kontroll mbi rrëfimin publik dhe një mjet ligjor kundër gazetarëve që i hetojnë.
Pyetja që duhet bërë nuk është nëse duhen mbrojtur të drejtat e të pandehurve, sepse ato duhen mbrojtur.
Pyetja është pse kjo mbrojtje kërkon që publiku të mos dijë asgjë për hetimet ndaj zyrtarëve për vite me radhë!
Shpërndaje te miqtë
