
Kryeministri Edi Rama njoftoi të mërkurën se personat që ai akuzon për dhunë gjatë protestave do të përfshihen në një regjistër të posaçëm dhe do t’u kufizohet përdorimi i transportit dhe hyrja në hotele. Familjet e të miturve të përfshirë në dëmtimin e pronës publike ose private do të penalizohen.
Ai u betua gjithashtu se do të përdorë teknologjinë për të identifikuar protestuesit e maskuar dhe të bashkëpunojë me vendet e BE-së për t’u ndaluar hyrjen personave të akuzuar për dhunë.
“Ata që kanë ngritur dorë kundër shtetit … që kanë dëmtuar pronën publike dhe private do ta kenë hijen e shtetit nga pas deri kur të shlyejnë dëmin që kanë bërë”, paralajmëroi Rama në fjalën para nje grupi drejtuesish bankash.
Masat shkojnë përtej ndëshkimit të përgjegjësve për sulme ndaj policisë ose dëmtim të pronës. Ato kërcënojnë familjarë të pafajshëm dhe u japin autoriteteve kompetenca të gjera për të kufizuar jetën e përditshme të qytetarëve.
Shqipëria ka detyrimin t’i garantojë këto të drejta. Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1996, dhe traktatet e tjera ndërkombëtare përkatëse krijojnë detyrime të panegociueshme, jo standarde fakultative që qeveria mund t’i shtyjë deri pas anëtarësimit në BE.
Ndëshkimi i gjithë familjes
Kërcënimi më i rëndë iu drejtua familjeve të të miturve që dëmtojnë pronën: fatura do t’i shkojë familjes dhe ajo nuk do të marrë më asnjë shërbim nga shteti.
Ligji mund t’i detyrojë prindërit të dëmshpërblejnë dëmet e fëmijëve përmes një procesi të rregullt ligjor. Por heqja e shërbimeve për gjithë familjen do të ndëshkonte edhe njerëz që nuk kanë kryer shkelje. Vëllezërit dhe motrat do të vuanin pasojat e veprimeve të një fëmije tjetër. Edhe prindërit, përfshirë ata të pamundur, mund të mbeteshin pa shërbime, pavarësisht përgjegjësisë së tyre.
Rama nuk tha cilat shërbime do të hiqen, për sa kohë apo nëse do të ketë përjashtime.
“Shërbimet shtetërore” përfshijnë edhe nevoja jetike. Mohimi i shkollimit do të cenonte të drejtën për arsim. Heqja e përfitimeve që i takojnë dikujt me ligj mund të cenonte të drejta pasurore të mbrojtura. Mohimi i kujdesit shëndetësor të domosdoshëm mund të kishte pasoja edhe më të rënda.
Konventa për të Drejtat e Fëmijës kërkon mbrojtjen e fëmijëve nga ndëshkimi për veprimet e familjarëve dhe vendos interesin më të lartë të fëmijës si konsideratë parësore në vendimet që e prekin. Ndëshkimi i gjithë familjes do t’i rrezikonte të dyja këto detyrime. Konventa për të Drejtat e Fëmijës, nenet 2–3.
Vënia përpara përgjegjësisë e autorit të një shkeljeje nuk i jep qeverisë të drejtën të ndëshkojë familjen e tij.
Një listë e zezë që pengon jetën e përditshme
Regjistri i propozuar për personat e cilësuar si të dhunshëm do të shoqërohet me kufizime në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti.
Këto ndalime mund t’i pengojnë njerëzit të punojnë, të studiojnë, të vizitojnë familjarët ose të udhëtojnë, edhe shumë kohë pas përfundimit të protestave.
Rama nuk shpjegoi kush do të vendosë për përfshirjen në regjistër, nëse do të kërkohet një vendim dënimi, sa kohë do të qëndrojnë emrat aty ose si mund të hiqen.
Liria e lëvizjes mbrohet nga neni 2 i Protokollit nr. 4 të Konventës Europiane. Ajo mund të kufizohet për sigurinë publike dhe parandalimin e krimit, por kufizimet duhet të jenë të ligjshme, të domosdoshme dhe në përpjesëtim me rrezikun. Etiketimi i dikujt si “i dhunshëm” nuk i jep qeverisë pushtet të pakufizuar mbi lëvizjet e tij.
Çdokush duhet të ketë mundësi reale t’i kundërshtojë kufizimet. Kur preken të drejta civile ose vendosen masa me karakter penal, zbatohen edhe garancitë për një proces të rregullt gjyqësor. Regjistri nuk mund të anashkalojë gjykatat duke e quajtur ndëshkimin masë administrative.
Edhe ndalimi i hyrjes në BE ka kufizime të vendosura nga BE-ja. Shqipëria nuk mund ta kthejë regjistrin e vet në listë të zezë europiane. Ndalimi i hyrjes në zonën Shengen për arsye të sigurisë publike kërkon vendim nga një shtet pjesëmarrës, shqyrtim individual të çdo rasti dhe të drejtën e ankimit. Akuza e qeverisë shqiptare nuk mund ta zëvendësojë këtë procedurë.
Identifikimi dhe ndalimi i maskave
Rama premtoi të zbulojë kush qëndron pas profileve në rrjet që nxisin dhunë dhe të përdorë teknologjinë për të identifikuar protestuesit e maskuar, edhe kur e kanë fytyrën plotësisht të mbuluar.
Hetimi i kërcënimeve dhe i nxitjes së dhunës është detyrë e ligjshme e policisë. Por kërkon kufij të qartë, sidomos kur qeveria akuzon pedagogë, media dhe përfaqësues të opozitës se mbështesin dhunën.
Gjurmimi i pjesëmarrësve në veprimtari politike mund të cenojë privatësinë e tyre dhe t’i dekurajojë ata të shprehen e të protestojnë ligjërisht. Këto të drejta mbrohen nga nenet 8, 10 dhe 11 të Konventës Europiane.
Rama nuk përcaktoi teknologjinë apo garancitë që do të pengonin përdorimin e saj kundër kritikëve paqësorë.
Pavarësisht, nëse bëhet fjalë për identifikimin e fytyrës, çështja Glukhin kundër Rusisë është paralajmërim i qartë kundër kësaj përpjekje. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se përdorimi i kësaj teknologjie për të identifikuar dhe gjetur një protestues paqësor kishte shkelur privatësinë e tij. Ajo theksoi nevojën për garanci të forta kundër abuzimit me këtë teknologji.
Në kërcënimin e tij, Rama shkoi edhe më tej, duke kërkuar që vetë mbulimi i fytyrës në tubim të përbëjë shkelje.
Por maska, përveçse mund të fshehë identitetin e dikujt që kryen dhunë, mund të jetë edhe për të mbrojtur shëndetin e dkujt. Më e rëndësishmeja është se ajo mund të mbrojë një protestues paqësor nga hakmarrja politike.
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i ka njohur si të drejta këto arsye dhe kërkon që, si rregull, të lejohet pjesëmarrja anonime, përveç rasteve kur ka arsye bindëse për ta kufizuar.
Ndalimi i maskave pa asnjë përjashtim do ta zhdukte dallimin mes fshehjes së një krimi dhe mbrojtjes së identitetit.
Fajtor vetëm se ndodhesh pranë
Rama sugjeroi se protestuesit paqësorë që qëndrojnë pranë personave që hedhin gurë janë në anën e tyre.
Por afërsia nuk të bën përgjegjës për veprimet e tjetrit. Pjesëmarrësit paqësorë nuk mund ta humbasin automatikisht të drejtën për të protestuar sepse të tjerët bëhen të dhunshëm.
Argumenti i Ramës ia kalon përgjegjësinë turmës. Ai i trajton protestuesit paqësorë si bashkëfajtorë sepse vazhdojnë të qëndrojnë aty, në vend që t’i kërkojë policisë t’i dallojë nga autorët e shkeljeve.
Ky dallim është thelbësor për lirinë e tubimit paqësor. Përndryshe, veprimet e një pakice do t’u lejonin autoriteteve t’i linin pa mbrojtje të gjithë pjesëmarrësit legjitimë.
Asnjë fjalë për përgjegjësinë e policisë
Premtimet e Ramës për llogaridhënie u ndalën te kordoni i policisë. Ai i mbrojti foract policore pa paralajmëruar hetim për përdorimin e tepruar të forcës.
Ky fakt tregon njëanshmërinë e fjalimit: ndëshkime të rënda për qytetarët, pa një angazhim të ngjashëm për shqyrtimin e veprimeve të policisë.
Vandalizmi duhet hetuar dhe autorët duhen ndjekur penalisht. Por po kështu duhet hetuar edhe dhuna e paligjshme policore. Duhet shqyrtuar si nisën dhe u përshkallëzuan përplasjet, përfshirë faktin nëse policia i provokoi ose i acaroi pjesëmarrësit.
Kjo kërkon shqyrtimin e vendimeve për përdorimin e gazit lotsjellës, makinave të ujit, spërkatësve me piper ose plumbave të gomës, si dhe të mënyrës së përdorimit të tyre.
Këto mjete nuk janë automatikisht të paligjshme, por prania e protestuesve të dhunshëm nuk lejon përdorimin e tyre pa dallim.
Forca e tepruar mund të shkelë nenin 3 të Konventës Evropiana, që ndalon trajtimin çnjerëzor ose poshtërues. Pretendimet e besueshme për keqtrajtim të rëndë nga policia kërkojnë hetim efektiv.
Gjykata Europiane ka sqaruar se, edhe në demonstrata të dhunshme, mjetet për hedhjen e gazit lotsjellës duhen përdorur me garanci kundër abuzimit dhe dëmtimeve të shmangshme.
Qeveria që u kërkon llogari protestuesve duhet të pranojë të njëjtin kontroll mbi efektivët e saj.
Shembujt europianë nuk janë justifikim
Rama përmendi Francën dhe Italinë për të mbështetur planet e tij. Por huazimi i një mase nga një vend europian nuk provon se ajo respekton të drejtat themelore. Rëndësi ka si zbatohet, kë prek dhe nëse mund të përligjet.
Qeveria mund të ndjekë penalisht dhunën dhe të kërkojë shlyerjen e dëmit. Por nuk mund të ndëshkojë familjarë të pafajshëm apo të vendosë kufizime të gjera pa i përligjur dhe pa u dhënë të prekurve mundësinë e ankimit.
Rama premtoi se “hija e shtetit” do t’i ndjekë shkelësit. Konventa Europiane përcakton deri ku mund të shtrihet ajo hije dhe i mbron qytetarët edhe nga abuzimet e vetë shtetit.
Shpërndaje te miqtë
