
Kryeministri Edi Rama deklaroi se dhuna gjatë protestave të studentëve është orkestruar nga aktorë brenda dhe jashtë vendit. Ai fajësoi Antifën, krimin e organizuar, partitë opozitare, pedagogët, televizionet, fuqi të huaja dhe ata që nxisin urrejtjen fetare.
Komentet krueministri i bëri të mërkurën, në një takim me përfaqësues të bankave tregtare të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë.
Rrëfimi i tij shkoi shumë përtej protestave dhe përshkroi një vend që përballet me armiq të shumtë. Ai u përqendrua pothuajse tërësisht te organizatorët dhe mbështetësit e supozuar të dhunës, ndërsa shqetësimeve që qëndrojnë pas protestave u kushtoi shumë më pak vëmendje.
Rama e quajti atë “një dhunë e orkestruar” dhe “e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm”. Ai tha se dhuna “mori peng Tiranën” dhe krijoi idenë e një përshkallëzimi që “mund të merrte përpara me flakë dhe me gurë gjithë Shqipërinë”.
Armiqtë, sipas listës së Ramës
Antifa: Ai e lidhi dhunën me trazirat në kryeqytete të tjera evropiane, të cilat ia atribuoi Antifës, “një lëvizjeje anarkiste neokomuniste”. Ai kujtoi se Antifa është “shpallur organizatë terroriste nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara”.
Të rinjtë e radikalizuar: Ai foli për vajza dhe djem “të ekstremizuar”, që bëjnë thirrje “si në kohën e mesjetës apo si në kohën e pasluftës” për burgosjen dhe internimin e këjtdo që sipas tyre përfaqëson të keqen. Sipas tij, ata duan t’u imponojnë të tjerëve botën e tyre “me gurë”, “me zjarr” dhe “me kërcënime”.
Krimi i organizuar: Ai foli për “kriminalitetin e vogël të lagjeve dhe të periferive”, i cili, sipas tij, “mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar”.
Partitë opozitare: Ai tha se “subjekte të tjera politike” e sponsorizuan dhunën krahas krimit të organizuar, përmes “pagesave nën dorë” për “djem të çoroditur periferish” dhe për “të mitur që vijnë dhe ngrenë gurin”. Ai nuk i përmendi me emër.
Fuqitë e huaja: Ai tha se forca të huaja i kanë dhënë dhunës “një mbështetje të jashtëzakonshme”, të cilën e quajti “të provuar”, sepse janë “të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë” dhe Europën. Ai nuk i identifikoi këta aktorë dhe nuk shpjegoi si funksionon kjo mbështetje. Ai foli gjithashtu për “ndërhyrje malinje të lidhura me pozicionin e Shqipërisë”.
Nxitësit e urrejtjes fetare: Ai tha se ka “një përpjekje djallëzore për të yshtur urrejtje fetare” dhe shprehu neverinë për ata që “i fryjnë zjarrit të urrejtjes, të antisemitizmit”. Këtë e lidhi me miqësinë e Shqipërisë me Izraelin, duke këmbëngulur se Shqipëria është po aq mike e Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite dhe Turqisë. Ai nuk tha se kush qëndron pas kësaj përpjekjeje.
Pedagogët: Ai fajësoi “kinse pedagogët” e universitetit, të cilët i quajti “një pjesë shumë e vogël e pedagogëve në tërësi”. Ai tha se ata i japin mbështetje dhunës dhe “nuk bëjnë asgjë për t’u distancuar” prej saj, dhe se “përpara se të jenë pedagogë janë flamurtarë të një partie opozitare”. Sipas tij, atyre u janë bashkuar “gjithfarë njerëzish që nuk kanë lidhje fare me universitetin”.
Televizionet: Ai tha se në ekrane “hymnizohet dhuna” dhe “sulmohet shteti përmes sulmeve mbi policinë”. Në Itali, tha ai, ata që bëjnë dhunë quhen “vandalët e vegjël”, ndërsa “këtu janë heronjtë e lëvizjes pseudo-studentore”.
Ai tha se qeveria kishte informacion për skenarë që synonin të provokonin “një tjetër 21 janar”, protestën e opozitës në vitin 2011 ku u vranë katër persona. Qëllimi, sipas tij, ishte ta shtynin policinë të reagonte “në mënyrë disproporcionale”.
Ai tha gjithashtu se autoritetet kanë neutralizuar një “sulm me dron me eksploziv ndaj Kryeministrisë”. Ai nuk dha detaje.
Më vonë, Rama foli me më shumë dashamirësi për të rinjtë me kapuç. I quajti “fëmijët e këtij vendi” dhe tha se “janë të verbër, janë manipuluar, janë të braktisur”, disa ndoshta “edhe nga vetë familja e vet”.
Rama pranon pakënaqësi të ligjshme
Rama tha gjithashtu se studentët dhe të tjerët kanë “të gjitha arsyet e veta legjitime” për të protestuar. Ai pranoi se jashtë perimetrit të protestës ka “një Shqipëri që ka halle, e cila ka probleme, e cila ka nevoja”.
Ai përmendi rritjen e qirave në Tiranë, të cilat studentët nuk mund t’i paguajnë “pa u marrë tërësisht frymën prindërve”.
Ai foli gjithashtu për punësimin, arsimin, financimin e bizneseve të vogla dhe strehimin. Këto i paraqiti si probleme që qeveria do t’i adresojë, pa shpjeguar nëse kanë ndikuar në shpërthimin e protestave.
Përgjigja e tij kryesore ishte një ligj për strehimin që qeveria ia ka dërguar parlamentit. Ligji parashikon që shteti të paguajë gjysmën e qirasë për studentët që plotësojnë kriteret, kredi me interes zero për një numër çiftesh të reja dhe kredi me interes të ulët për profesionistët e rinj.
Rama nuk e identifikoi shkakun e drejtpërdrejtë të protestave. Edhe pse pranoi se ka shqetësime legjitime, shpjegimi i tij për trazirat u përqendrua te armiqtë që i akuzoi se i shfrytëzuan ato.
Shpërndaje te miqtë
