
Debati nëse është forcuar leku apo është dobësuar euro është i pakuptimtë. Të dy pohimet përshkruajnë të njëjtën dukuri.
Pyetja që ka rëndësi është tjetër:
Pse është forcuar leku dhe cilat janë pasojat për ekonominë?
Kush humbet nga forcimi i lekut?
Nga viti 2013 deri më sot, leku është forcuar kundrejt euros nga rreth 140 lekë për 1 euro në rreth 96 lekë për 1 euro sot. Vetëm në pesë vitet e fundit, euro ka humbur rreth 25% të vlerës kundrejt lekut.

Nga ky ndryshim kanë humbur familjet shqiptare që mbështeten te dërgesat e emigrantëve. Çdo euro e dërguar sot blen ndjeshëm më pak mallra dhe ushqime se më parë. Të prekura janë veçanërisht familjet që i kanë dërgesat burimin e vetëm apo kryesor të të ardhurave.
Të humbur janë eksportuesit. Ata i marrin të ardhurat kryesisht në euro, ndërsa pagat, taksat dhe një pjesë të kostove i kanë në lekë. Hyrjet nga eksporti tani mbulojnë një pjesë më të vogël të shpenzimeve të tyre se më parë. Për një ekonomi pak konkurruese si e jona, zhvlerësimi i euros e ul më tej aftësinë e tyre për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
Jo vetëm për këtë shkak, por edhe për faktorë të tjerë, eksportet tona ranë nga rreth 4 miliardë euro në vitin 2022 në rreth 3,5 miliardë euro më 2025. Ndërkohë, importet mbeten të larta, dhe deficiti tregtar (eksporte minus importe) arriti rekordin historik vitin e shkuar me rreth minus 5,5 miliardë euro.
E ndikuar negativisht është edhe ekonomia e turizmit. Zhvlerësimi i euros ka shtrenjtuar koston e pushimeve në Shqipëri. Kjo mund të ketë frenuar rritjen apo të ulë ardhjet e vizitorëve që janë të ndjeshëm ndaj çmimeve. Është fakt që gjysma e vizitorëve vjetorë në Shqipëri janë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilët bëjnë pjesë pikërisht te grupi i ndjeshëm ndaj kostos së udhëtimit.
Nën presion është edhe konkurrueshmëria e turizmit shqiptar. Zhvlerësimi i euros i ka bërë relativisht më tërheqëse vendet e tjera me të cilat Shqipëria konkurron, si për turistët e huaj, edhe për ata vendas. Duhet vënë në dukje se shpenzimet jashtë vendit nga banorët e Shqipërisë janë rritur, duke shënuar mbi 3 miliardë euro vitin e shkuar. Ndërkohë, shpenzimet në Shqipëri nga turistët e huaj dhe shqiptarët e diasporës ishin rreth 5,7 miliardë euro.
Forcimi i lekut ka bërë gjithashtu më pak tërheqëse investimet e reja nga jashtë—pavarësisht faktorëve të tjerë. Në fakt, struktura e investimeve të huaja në Shqipëri është shqetësuese.
Nga rreth 1,6 miliardë euro investime të huaja më 2025, gjysma ishin riinvestim i fitimeve të kompanive ekzistuese (pra, kapital i krijuar në Shqipëri nga kompanitë e huaja ekzistuese), pra vetëm rreth 800 milionë euro hynë nga jashtë si kapital i ri. Por edhe shumica e këtyre të fundit shkoi për blerje pasurish të paluajtshme (560 milionë euro) dhe vetëm 240 milionë euro shkuan për aktivitete të tjera ekonomike.
Duke përmbledhur, zhvlerësimi i euros ka sjellë pasoja negative për familjet që presin dërgesa nga familjarët, për eksportuesit, për industrinë e turizmit dhe për investimet e huaja.
Kush përfiton?
Përfiton qeveria. Zhvlerësimi i euros ka ulur koston e borxhit në valutë të qeverisë (mbi 40 për qind e borxhit publik është i jashtëm). Qeveria i ka të ardhurat në lekë, ndërkohë që borxhin e jashtëm e paguan kryesisht në euro—prandaj të njëjtat pagesa të borxhit tashmë kërkojnë më pak fonde buxhetore.
Njësoj si qeveria përfitojnë bizneset vendase që kanë marrë kredi në euro—kostoja e këtyre kredive në lekë ka rënë ndjeshëm.
Përfitojnë importuesit. Ata i blejnë mallrat në euro jashtë vendit dhe i shesin në lekë brenda vendit. Për të njëjtin çmim në euro, një mall i importuar blihet me rreth 25% më pak në lekë se pesë vjet më parë. Fakti që çmimet në Shqipëri dhe në vendet kryesore të importit janë rritur përafërsisht njësoj gjatë kësaj periudhe tregon se importuesit i kanë mbajtur për vete të paktën një pjesë të përfitimeve nga kostoja e ulur e blerjeve të importit.
Përfitojnë ata që udhëtojnë jashtë. Sikurse theksova më herët, udhëtimi jashtë tashmë është më i lirë dhe u jep mundësinë më shumë qytetarëve të udhëtojnë.
Përfitojnë në përgjithësi të gjithë ata që të ardhurat i kanë në lekë dhe shpenzimet i kanë në euro, siç mund të jëne familjet që financojnë shkollimin e fëmijëve jashtë.
Duke përmbledhur: nga zhvlerësimi i euros përfitojnë kryesisht qeveria, importuesit dhe ata që udhëtojnë jashtë; humbasin familjet që marrin dërgesa nga emigrantët, eksportuesit, investitorët e huaj dhe turistët e huaj.
Ndikimi përfundimtar
Në nivelin e gjithë ekonomisë, pohimet e mësipërme tregojnë se forcimi i lekut e ka bërë ekonominë më pak konkurruese dhe Shqipërinë më pak tërheqëse për kapitalin e huaj. Të kuptohemi, forcimi i lekut nuk është shkaku i vetëm i konkurrueshmërisë së ulët, por ai e ka përkeqësuar më tej atë.
Nga ana tjetër, rritja reale e ekonomisë gjatë gjithë kohës kur euro ka pësuar rënie drastike ka qenë mesatare, gjë që përforcon më tej përfundimin se forcimi i lekut nuk është shenjë e forcimit të ekonomisë.

Pse është zhvlerësuar euro?
Kursi i këmbimit përcaktohet drejtpërdrejt nga kërkesa dhe oferta për valutë. Këto, nga ana e tyre, ndikohen nga tregtia, turizmi, remitancat, investimet, huamarrja dhe lëvizjet e tjera financiare që pjesërisht i diskutova më sipër.
Për të dhënë një ide të përgjithshme, po bëj një vlerësim të përafërt të kërkesë-ofertës për valutë vetëm për vitin 2025.
Bilanci tregtar i Shqipërisë ishte negativ: për importet u shpenzuan (dolën) rreth 5,5 miliardë euro më shumë sesa u përfituan (hynë) nga eksportet.
Flukset neto të turizmit ishin pozitive: turistët dhe shqiptarët me banim jashtë harxhuan në Shqipëri rreth 2,7 miliardë euro më shumë sesa harxhuan banorët e Shqipërisë jashtë vendit.
Emigrantët dërguan në Shqipëri rreth 1,2 miliardë euro, ndërsa kapitali në valutë i hyrë nga jashtë nga investitorët e huaj ishte rreth 800 milionë euro (siç shpjegova më sipër).
Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë bleu 1 miliard euro për të rritur rezervën në valutë (pra, nuk i përdori).
Shqipëria ripagoi borxh të huaj të marrë më parë pothuajse aq sa mori borxh të ri—afërsisht 950 milionë euro përkundrejt 900 milionë eurove—ndaj po e konsideroj zero efektin e borxhit të jashtëm në kërkesë-ofertën për euro.
Një sërë fluksesh të tjera—riatdhesimi i fitimeve të kompanive të huaja në Shqipëri; investimet e kompanive shqiptare jashtë vendit; fondet e ardhura nga donatorët e huaj; dhe bilanci tregtar i shërbimeve (veç turizmit që e mbulova më sipër)—kanë pasur efekt total neutral (thuajse zero) në kërkesë-ofertën për euro, sipas të dhënave (të pakta) që ekzistojnë për to.
Një sërë faktorësh më pak të rëndësishëm po i lë gjithashtu jashtë llogaritjeve (kryesisht favorizojnë kërkesën për euro).
Duke hequr vizën e totalit të llogarive për vitin 2025: në treg u blenë (dolën) rreth 6,5 miliardë euro dhe u shitën (futën) rreth 4,7 miliardë euro.
Pra, gjatë vitit 2025, përafërsisht, kërkesa për euro ishte rreth 1,8 miliardë euro më e madhe se oferta. Për rrjedhojë, euro duhej të ishte forcuar kundrejt lekut.
E kundërta ndodhi: euro u zhvlerësua, madje ndjeshëm.
Kjo do të thotë se, përveç dinamikës së mësipërme, në treg ka pasur futje eurosh jashtë kanaleve apo deklarimeve formale. Sasia dhe origjina e këtyre rrjedhjeve mund të hamendësohen dhe të spekulohen nga kushdo, dhe unë nuk do të ndalem fare.
Përfundimi është i qartë: qeveria ka të drejtë, leku është forcuar.
Por ky forcim nuk e ka forcuar ekonominë, sepse nuk ka rritur produktivitetin, eksportet, konkurrueshmërinë apo kapacitetet prodhuese të vendit.
Përkundrazi, forcimi i lekut ka ushtruar presion shtesë mbi eksportet, turizmin dhe investimet e reja nga jashtë.
Forcimi i lekut nuk është provë zhvillimi dhe nuk është lajm i mirë për ekonominë tonë.
