Kuvendi zgjedh në sekondat e fundit Justina Shiroka Pulën Presidente të Kosovës pas marrëveshjes për ligjin e gjykatës speciale

Stafi i theExit 7 Tetor 2026, 11:06

 

Kuvendi zgjedh në sekondat e fundit Justina Shiroka Pulën Presidente

Kuvendi i Kosovës zgjodhi Justina Shiroka Pulën presidenten e re të vendit mesnatën e së martës.

Zgjedhja erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentin e fundit mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës. Marrëveshja mundësoi miratimin e ndryshimeve ligjore që kufizojnë kompetencat e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatës së krimeve të luftës me seli në Hagë, në këmbim të votave për zgjedhjen e Presidentit.

Seanca u thirr në mënyrë urgjente në orën e fundit të skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Votimi nisi vetëm gjashtë minuta para afatit kushtetues të mesnatës. Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga televizionet tregojnë përgatitjen me shpejtësi të procedurave të votimit dhe kryeministrin Albin Kurti që sheh disa herë orën.

Mosvotimi në kohë për Presidentin do të kishte sjellë shpërndarjen automatike të parlamentit dhe të tjera zgjedhje të parakohshme — të katërtat në më pak se dy vjet.

Pas votimit në kohë rekord, Justina Shiroka Pula siguroi 81 vota në raundin e parë, duke kaluar me një votë më shumë pragun e nevojshëm prej 80 votash të nevojshme në legjislaturën me 120 deputetë.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza u sakrifikuan”, u shpreh presidentja e re pas zgjedhjes.

Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Bedri Hamza, kishte këmbëngulur që Kuvendi të miratonte së pari ndryshimet për gjykatën speciale, e pas këtij votimi, deputetët të zgjidhnin presidentin. Kryeministri Albin Kurti kishte këmbëngulur për procedurën e kundërt.

Pas negociatave publike dhe shkëmbimit të propozimeve e refuzimeve nëpër konferenca shtypi, zgjidhja erdhi me ofertën e fundit të Kurtit: ai propozoi si kandidate për presidente Justina Shiroka Pulën, ish-deputete e PDK-së, dhe pranoi që votimi për ligjin e gjykatës të mbahej i pari.

Amendimet në ligjin për Gjykatën Speciale u propozuan nga PDK pas dënimit më 16 shtator për krime lufte të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndryshimet kufizojnë ndjeshëm juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ato vendosin maksimumin e dënimit me burg në 15 vjet, kërkojnë që vuajtja e dënimit të kryhet në Kosovë dhe i japin të drejtë Presidentit të dekretojë falje për personat e dënuar me vendime të formës së prerë.

Ato ngushtojnë gjithashtu nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 kohën për të cilën Dhomat e Specializuara kanë juridiksion të hetojnë dhe të zhvillojnë procese gjyqësore, duke përjashtuar vitet e luftës.

Miratimi i ndryshimeve ligjore në Kuvend nuk mjafton që ato të hyjnë menjëherë në fuqi. Ekspertët ligjorë si në Kosovë dhe jashtë saj kanë paralajmëruar se Kosova duhet të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe se ndryshimet kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese.

Të hënën, ngërçi politik dhe dështimi për të votuar ligjin e Dhomave të Specializuara çoi në përplasje midis protestuesve të zemëruar jashtë parlamentit dhe policisë. Protestuesit hodhën gurë, shishe dhe sende të tjera drejt ndërtesës, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë ata.

Sipas raportimeve, të paktën 5 policë dhe 11 protestues u plagosën si pasojë e përplasjeve.

Në mbrëmjen e së martës, protestuesit u mblodhën jashtë parlamentit në një situatë më të qetë dhe duartrokitën pasi deputetët miratuan ndryshimet.

Presidentja e re, Justina Shiroka Pula, 72 vjeçe, është presidentja e parë katolike në vendin me shumicë muslimane, Ajo është ekonomiste dhe gruaja e parë që ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Më parë ka shërbyer si ministre e energjisë dhe minierave nga viti 2008 deri në 2011 dhe si deputete e PDK-së nga 2011 deri në 2014.

Shpërndaje te miqtë