Kuvendi miraton brenda pak orësh huanë prej 302 milionë dollarësh për armatime amerikane

Stafi i theExit 27 Korrik 2026, 20:15

Kuvendi miraton brenda pak orësh huanë prej 302 milionë

Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi sot, brenda pak orësh, një marrëveshje për 302 milionë dollarë hua nga SHBA-ja për blerjen e armatimeve amerikane për ushtrinë.

Shuma e huasë është pothuajse sa 1% e prodhimit të brendshëm të vendit (PBB).

Detajet e marrëveshjes janë mbajtur konfidenciale dhe nuk ka informacion publik për kushtet e kredisë, llojin dhe sasinë e armatimeve që do të blihen.

Sipas burimeve nga Kuvendi, marrëveshja u miratua në një mënyrë të pazakontë.

Megjithëse qeveria e kishte miratuar në parim huanë më 24 korrik, deputetët u njohën me tekstin e marrëveshjes vetëm sot.

Marrëveshja u fut sot në rendin e ditës, u shqyrtua dhe u miratua në tri komisione parlamentare dhe më pas u votua në seancë plenare. E gjithë procedura përfundoi brenda pak orësh.

Deputetët u detyruan, gjithashtu, të nënshkruanin një deklaratë konfidencialiteti për të mos bërë publike përmbajtjen e marrëveshjes.

Deputetëve nuk iu dha kopje fizike e marrëveshjes, por u detyruan ta lexonin tekstin e vendosur në një dhomë të posaçme.

Marrëveshja që u ratifikua ishte nënshkruar nga Ministria jonë e Financave dhe Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes e SHBA-së (DSCA), agjencia qeveritare amerikane për shitjen e armatimeve dhe trajnimin e forcave të huaja.

Huaja është dhënë në kuadër të programit amerikan Financimi i Ushtrive të Huaja (Foreign Military Financing), përmes të cilit SHBA-ja u siguron vendeve partnere grante ose hua për blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve ushtarake amerikane.

Departamenti i Shtetit përcakton vendet përfituese dhe shumat e financimit, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes, përmes DSCA-së, administron zbatimin e programit.

Vendet e interesuara për këtë lloj financimi ia paraqesin interesin e tyre Departamentit të Shtetit, bashkë me listën e armëve amerikane që duan të blejnë dhe sasinë e financimit që duan të marrin hua për këto blerje.

Kjo kërkesë vlerësohet dhe financohet nga buxheti vjetor që Kongresi i cakton Departamentit të Shtetit për këtë lloj financimi. Prioritet kanë vendet që janë anëtare të NATO-s.

Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur Shqipëria është kritikuar për mospërmbushjen e detyrimit për të shpenzuar rreth 2% të prodhimit të brendshëm për mbrojtjen.

Media të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Reuters, DW, Bloomberg dhe Politico, raportuan para disa javësh se mospërmbushja e këtij detyrimi mund të vinte në diskutim mbajtjen e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, sikurse u vendos para më shumë se një viti në Samitin e Amsterdamit.

Në Samitin e javës së shkuar në Turqi nuk pati ndonjë konfirmim për kohën dhe vendin ku do të mbahet samiti i ardhshëm.

 

Shpërndaje te miqtë