Kush e nxori Shqipërinë të parën në botë për sigurinë kibernetike: organizata vlerësuese ishte konsulente e institucioneve shqiptare që ajo vetë vlerësoi

Alba Mborja 16 Gusht 2026, 09:47

Kush e nxori Shqipërinë të parën në botë për

Kryeministri e quajti një “lajm të pabesueshëm, por 100% të vërtetë”, një “arritje historike”, një “lajm spektakolar”: “Shqipëria ka dalë e para në botë në National Security Index (NCSI)”.

Me një postim të gjatë vetëlëvdues në Facebook, ai u shpreh se, pas sulmit iranian mbi infrastrukturën digjitale të shtetit shqiptar, qeveria kishte bërë një kthesë epokale dhe kishte zhvilluar “një arkitekturë të re inovative të mbrojtjes”.

Postimi i Kryeministrit mori komente ironike dhe dyshuese: shumë qytetarë e kanë të vështirë të besojnë se ne mund të jemi më të mbrojtur se SHBA-ja, Gjermania, Finlanda apo vende të tjera pararojë të teknologjisë në botë.

Aq më tepër kur vitet e fundit janë hakeruar të dhënat e qytetarëve dhe të shtetit dhe kur agjencia që menaxhon infrastrukturën digjitale të shtetit, AKSHI, akuzohet për korrupsion dhe kapje nga krimi i organizuar.

një kundërpërgjigje ndaj tyre, Kryeministri u tregua i ashpër dhe përçmues, duke i quajtur kritikët “urrejtësit besnikë” dhe “ushtri trollash”. Ai vlerësoi përsëri seriozitetin e vlerësimit, duke u shprehur se “renditjen në National Cyber Security Index… e vendos një metodologji ndërkombëtare… mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit”.

Por shqyrtimi i metodologjisë dhe i marrëdhënieve të organizatës që ka bërë renditjen me institucionet shqiptare tregon një histori tjetër, që vë në dyshim përgatitjen e Shqipërisë në mbrojtjen kibernetike dhe rrëzon propagandën vetëlëvduese të Kryeministrit.

A ka Shqipëria mbrojtjen kibernetike më të mirë në botë?

Shqipëria ishte kryesuesja befasuese në renditjen e Indeksit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI), të hartuar nga Akademia e Qeverisjes Elektronike e Estonisë, e njohur si eGA, një organizatë joqeveritare estoneze.

Sipas indeksit, Shqipëria përmbush çdo kriter që vlerësohet: mbrojtjen e të dhënave personale; identifikimin paraprak të kërcënimeve; menaxhimin e krizave; si dhe shkollimin dhe kërkimin shkencor në fushën e sigurisë kibernetike. E vetmja mangësi është mungesa e një doktrine ushtarake kibernetike të publikuar.

Po a ka vërtet Shqipëria mbrojtjen më të mirë kibernetike në botë?

Për të hequr çdo dyshim, duhet theksuar se indeksi nuk ka për objekt këtë pyetje—ai nuk e vlerëson sigurinë dhe mbrojtjen kibernetike në praktikë.

Ai mat kryesisht “mbrojtjen në letër”—nëse ekzistojnë ligjet, institucionet, sistemet dhe aktivitetet e parashikuara nga metodologjia—por nuk mat drejtpërdrejt sa efektive janë ato në praktikë.

Prandaj, mënyra se si formulohet rezultati i indeksit është keqinformuese.

Por problemi më i madh i indeksit në lidhje me Shqipërinë është një tjetër: organizata që bën renditjen, eGA, nuk është thjesht një vlerësuese e paanshme e Shqipërisë.

Ajo ka qenë zbatuese e disa projekteve asistence për ta ndihmuar Shqipërinë të hartonte pikërisht këto ligje e strategji dhe të ngrinte kapacitetet që më pas i vlerëson po vetë si pjesë të indeksit.

eGA praktikisht ka vlerësuar vetveten

Pas sulmeve të vitit 2022, Bashkimi Europian financoi projektin “Masat e Sigurisë Kibernetike për Reagim të Shpejtë në Shqipëri, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”. Të dyja fazat e këtij projekti u zbatuan nga organizata estoneze eGA, me një buxhet 5 milionë euro.

Në Shqipëri, eGA punoi drejtpërdrejt me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Projekti ofroi pajisje dhe programe për zbulimin e dobësive dhe kërcënimeve, platforma inteligjence, trajnime dhe konsulencë.

Një njoftim i Delegacionit të BE-së, i shtatorit 2025, pohin se me nidhmën e eGA-së AKSK-ja përmirësoi aftësitë e saj duke kalaur nga procese “të fragmentuara dhe pjesërisht manuale” në një sistem të centralizuar monitorimi dhe reagimi.

Vetë eGA pohon se, që prej vitit 2022, projektet e saj kanë ndihmuar vendet e rajonit me hartimin e mbi 30 ligjeve dhe akteve nënligjore, vlerësimin e rrezikut, pajisje teknike dhe trajnimin e mbi 1 000 ekspertëve.

Kjo do të thotë se eGA ndihmoi në hartimin e kuadrit ligjor, ngritjen e kapaciteteve dhe pajisjen e institucioneve; më pas, përmes indeksit të vet, kontrolloi nëse këto ligje, institucione dhe kapacitete ekzistonin.

Pastaj, përmes indeksit që administron vetë, ajo i dha Shqipërisë pothuajse pikët maksimale dhe e renditi në vendin e parë.

Kush e nxori Shqipërinë të parën në botë për

Indeksi mat vetëm rregullat në letër, me përgjigje “po” ose “jo”

Përtej konfliktit të interesit, vetë metodologjia e hartimit të indeksit është e tillë që nuk mat drejtpërdrejt efektivitetin real të mbrojtjes kibernetike.

Indeksi NCSI mbështetet në vlerësimin e 49 treguesve që lidhen me sigurinë kibernetike.

Por çdo tregues është formuluar si pyetje faktike: “A ka [një ligj apo strategji apo program apo institucion]?”. Nëse përgjigjja është “po”, ky tregues vlerësohet me pikët maksimale.

Si provë për çdo përgjigje mjaftojnë dëshmi formale: një ligj, një dokument qeveritar ose një faqe online e ndonjë institucioni.

Kjo shpjegon rezultatet e indeksit që, në pamje të parë, bien ndesh me përvojën apo perceptimin e publikut shqiptar.

Në mbrojtjen e të dhënave personale, Shqipëria merr pikët maksimale vetëm sepse ka një ligj për të dhënat personale dhe një Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Indeksi nuk vlerëson nëse në Shqipëri mbrohen vërtet të dhënat personale.

Në analizën e kërcënimeve, vendi merr pikët e plota sepse ligji i vitit 2024 ia ngarkon këtë detyrë AKSK-së dhe sepse ky autoritet publikon të paktën një njoftim teknik në vit. Indeksi nuk pyet nëse Shqipëria ka arritur vërtet të zbulojë në kohë goditje potenciale.

Për arsimin dhe kërkimin shkencor, indeksi mjaftohet me ekzistencën e të paktën një programi studimi universitar. Shqipëria ka marrë pikët maksimale sepse Universiteti i Ballkanit Perëndimor (Western Balkans University) ofron një program studimesh bachelor për siguri kibernetike. Indeksi nuk vlerëson as studentët, pedagogët, laboratorët, financimin apo rezultatet kërkimore të këtij programi.

Në treguesin e ekzistencës së shoqatave profesionale, Shqipëria ka marrë pikët maksimale sepse ekziston një shoqatë, Women4Cyber Albania, të cilën, në fakt, e drejton një punonjëse e AKSK-së.

Duke përmbledhur, vlerësimi i Shqipërisë bazohet në plotësimin e një liste formale treguesish në letër, jo efektivitetin real të mbrojtjes.

Të dhënat i vetëdeklaron institucioni që vlerësohet

Sipas faqes së NCSI-së, të dhënat e Shqipërisë janë dërguar kryesisht nga AKSK-ja—agjencia që është objekti kryesor i vlerësimit.

Metodologjia shpjegon se furnizuesi i të dhënave i ngarkon drejtpërdrejt ato në faqen e indeksit dhe është ai që mban përgjegjësi për saktësinë e tyre. Më pas, materialet e ngarkuara verifikohen nga dy ekspertë të NCSI-së.

Pra, informacioni për renditjen e Shqipërisë është vetëdeklaruar nga institucioni shqiptar përgjegjës për sigurinë kibernetike, AKSK-ja, dhe institucioni kryesor që indeksi vlerëson.

Siç u theksua më sipër, ky informacion u vlerësua nga eGA, e cila, prej vitit 2022, ka ndihmuar drejtpërdrejt AKSK-në me financim të BE-së, pa ndonjë vlerësim të jashtëm dhe të pavarur që teston funksionimin e sistemeve.

Jo domosdoshmërisht manipulim

Shpjegimet e mësipërme nuk provojnë se vlerësimi i Shqipërisë ështw falsifikuar. Ligjet dhe institucionet e cituara mund të ekzistojnë realisht, ndërsa ndihma e BE-së mund ta ketë përmirësuar ndjeshëm sistemin shqiptar.

Por është e qartë se roli i dyfishtë i eGA-së krijon konflikt interesi në vlerësimin e Shqipërisë. eGA është e interesuar të tregojë se projekti i saj në Shqipëri ka qenë i suksesshëm dhe ka dhënë rezultate. Pikërisht renditja e Shqipërisë në krye të indeksit shërben si provë e këtij suksesi.

Për më tepër, suksesi në Shqipëri i shërben organizatës si joshje për donatorët dhe klientët e ardhshëm.

Ky konflikt interesi apo kjo marrëdhënie me Shqipërinë duhej të deklarohej qartë nga eGA në botimin e renditjes: eGA po vlerësonte edhe rezultatet e punës së vet dhe të partnerit të saj, AKSK-së.

Pa këtë sqarim, lexuesi krijon përshtypjen e një vlerësimi plotësisht të pavarur.

Përfundimi i saktë nuk është se Shqipëria ka mbrojtjen kibernetike më të fortë në botë. Është se Shqipëria ka dokumentuar pothuajse të gjitha ligjet, institucionet dhe mekanizmat që kërkon lista e eGA-së—një organizatë që kishte ndihmuar vetë në krijimin e një pjese të tyre.

 

Shënim: Exit.al iu drejtua organizatës eGA me një sërë pyetjesh në lidhje me konfliktin e mundshëm të interesit në renditjen e Shqipërisë, por nuk mori përgjigje deri në momentin e botimit të këtij artikulli.

 

 

Shpërndaje te miqtë