Kur kriza kërkon përgjegjësi, propaganda ofron platforma online

Bledar M. Kurti 6 Nëntor 2026, 16:13

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e tij të re të dialogut, por historia e 13 viteve të qeverisjes së tij ka treguar se sa herë dështimi ka kërkuar të njëjtin emër, ai ka ofruar një portal.

Kur kriza kërkon përgjegjësi, propaganda ofron platforma online

“Shumë mirë më duket. ‘Fol me kryeministrin’. Më mirë se sa ajo ‘dialogo’, se ajo krijonte pak distancë”.

Edi Rama u shfaq në zyrën e tij, duke komunikuar me kamerën dhe me stilin teatral bëri prezantimin në Facebook të portalit më të ri si përgjigje për zemërimin qytetar dhe protestat e studentëve.

Kjo platformë online, siç tha kryeministri, do t’i shërbejë cilitdo që është i dëshiruar të dialogojë me të.

Javët e fundit kryeministri ka vendosur mbi një tryezë guri përpara zyrës së tij, çdo ditë, ftesa letre për dialog.

Çdo ditë ato grisen nga studentët, të cilët, pas pesë muajsh protestash, nuk kërkojnë më të dialogojnë, por duan dorëheqjen e tij.

Për këtë arsye, kryeministri, nga ftesa mbi gur, vendosi të kalojë te dialogu dixhital.

Dritarja e dialogut virtual që paraqiti kryeministri nuk përbën më risi. Rama e ka përdorur gjithmonë këtë strategji sa herë është përballur me kriza.

Në dy vitet e para të qeverisë së Partisë Socialiste, ai u përball me një seri minikrizash politike: nga promovimi në politikë i personave me rekorde kriminale, pakënaqësinë për faturat sociale të aksioneve ndaj informalitetit në territor dhe energji, e disa çështje korrupsioni.

Për të shmangur humbjen e terrenit politik, në vitin 2015, kryeministri u detyrua të mendojë një strategji. Thelbi i saj ishte propagandimi i idesë se Rama dhe qeveria e tij po merrnin vendimet e duhura.

Problemi transferohej jashtë qeverisjes, tek abuzimi i medias dhe opozitës, që shtrembëronin realitetin.

Zgjidhja ishte një platformë elektronike e cila u prezantua në publik nga Endri Fuga, Drejtori i Komunikimit të Kryeministrit.

“Transparenca.al është portali i ri online, në të cilën ne si qeveri do të ofrojmë gjithë informacionin e nevojshëm, për çdo akuzë apo pretendim të ngritur. Qeveria do mund të komunikojë në një mënyrë sa më të drejtpërdrejtë dhe transparente me shqiptarët”, deklaroi asokohe Fuga.

Jeta e platformës rezultoi të ishte shumë e shkurtër dhe shenjat e saj sot janë veçse në arkiva.

Paralelisht, qeveria krijoi një Regjistër Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike me premtimin se do ishte një mekanizëm që qytetarët dhe grupet e interesit të jepnin koment mbi projektligje dhe politika publike.

Portali i konsultimit publik sot shërben si një magazinë dixhitale, në të cilën qeveria publikon nismat ligjore. Atë e përdorin shumë pak qytetarë dhe këtë e tregon fakti se aty mungon pikërisht konsultimi.

Në dy vitet pasuese vendi u përfshi në një krizë më të thellë politike. Rrjeti i dekriminalizimit vazhdoi të zërë të tjerë peshq dhe radhët e të zgjedhurve jo vetëm në Parlament, por edhe në pushtetin lokal.

Po ashtu, qeveria po përballëj me akuzat për kanabizim të vendit, me një dosje hetimore italiane që përfshinte Ministrin e Brendshëm të kohës në trafikun e drogës, përgjime telefonike të zyrtarëve të PS-së me dyshime për manipulim në zgjedhjet e Dibrës, akuzat për korrupsion me koncesionet qindra milionë euroshe të shëndetësisë.

Protestat e opozitës pak para zgjedhjeve të vitit 2017 kulmuan me vendosjen e çadrës para godinës së Kryeministrisë dhe ministrat teknikë të opozitës e lëkundën sërish popullaritetin e Edi Ramës.

Pavarësisht kësaj, Edi Rama fitoi zgjedhjet i vetëm.

Në tetor 2017, Rama prezantoi atë çka e cilësoi si Platforma e Bashkëqeverisjes. Nën sloganin “Shqipëria Që Duam” premtoi se ky do të ishte çelësi i suksesit. Nëse në 4 vitet e para kishte qeverisur me Ilir Metën, tashmë Rama tha se do të bashkëqeveriste me shqiptarët. U krijua gjithashtu një kanal për ankesa, kërkesa dhe ndërhyrje të qytetarëve ndaj administratës.

Protestat e naftëtarëve, greva e banorëve të Marinzës, revolta e banorëve të Kukësit për vendosjen e traut me pagesë në Rrugën e Kombit, akuzat për koncesionet e rrugëve dhe skandali i Unazës së Tiranës kulmuan me protestën e studentëve në dhjetor 2018.

Një tjetër krizë kërkonte një tjetër portal transparence dhe konsultimi.
Duke e paketuar si pjesë të të ashtuquajturit “Pakti për Universitetin”, Kryeministri prezantoi portalin “U-Transparenca.al”. Portali vazhdon të jetë në ndërtim e sipër që nga 2019, viti i krijimit të tij. Ai i shërbeu vetëm kryeministrit Rama për të kapërcyer krizën dhe aspak studentëve, që sot janë sërish në protestë.

Nëse studentët u qetësuan në atë kohë, opozita politike u radikalizua. Bojkoti i Parlamentit, djegia e mandateve, protestat e dhunshme, publikimi i përgjimeve të dosjeve 339 dhe 184 i hodhën benzinë zjarrit.

Skepticizmi në rritje u tejkalua falë dy fatkeqësive të mëdha: tërmetit të nëntorit dhe pandemisë Covid-19.

Por në ndërkohë, dekriminalizimi njohu viktima të tjera mes kryebashkiakëve edhe në 2019.

Protestat për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe prishja e tij, protestat që përfshinë kryeqytetin pas vrasjes nga policia të të riut Klodian Rasha, skandali i patronazhistëve në prag të zgjedhjeve të 2021 e rikthyen qeverinë në gjendje alarmi teksa reagimi popullor u rizgjua.

Edi Ramës i duhej një tjetër fabul për të rishpikur veten.

Menjëherë pasi fitoi mandatin e tretë qeverisës, Edi Rama premtoi se tashmë e kishte gjetur zgjidhjen për hallet e shqiptarëve. Gjithçka që nuk i kishte funksionuar me administratën dhe korrupsionin do t’i zgjidhte teknologjia.

Përmes një digjitalizimi masiv të shërbimeve publike në platformën E-Albania, Rama premtoi se qytetarët nuk do kishin më nevojë për asgjë: vetëm një kompjuter dhe një tastierë.

Bashkëqeverisja u fut në një kornizë ligjore duke u lidhur me atë që u quajt Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që Duam”, shqiptarët do të ishin vetë ata që do të përcaktonin se si do të qeverisej vendi.

Nisja e punës nga SPAK solli në pak kohë një valë arrestimesh mes kryetarëve të Bashkive socialiste dhe ish-ministrave të qeverisë për korrupsion.

Në media shpërtheu skandali “McGonigal”, rrjeta e SPAK-ut përfshiu ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Vjedhja masive e fondeve të BE-së për IPARD vuri në radarin europian qeverinë Rama, ndërsa situata u ndërlikua edhe më shumë me arrestimet e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.

Skandali i incineratorëve që kishte djegur miliona euro pa produkt po përcillonte edhe imazhin publik të Ramës dhe qeverisë së tij. Arrestimet e Lefter Kokës, Ilir Beqajt, Vangjush Dakos dhe Erion Veliajt kishin rritur perceptimin për korrupsionin në qeverisje.

Për të bindur shqiptarët në pastërtinë e qeverisë, Edi Rama e tentoi një zgjidhje të ngjashme. Ai prezantoi platformën “Transparent Albania”.

Duke dashur të bindë shqiptarët se korrupsioni është çështje sistemi dhe jo individi e se përgjegjësia është gjithnjë personale e asnjëherë politike, platforma e re sipas Ramës garanton transparencë buxhetore për shpenzimet publike dhe investimet, ndërsa qytetarët do të kishin akses të plotë për të ditur si i përdor qeveria taksat.

Teksa shqiptarët ftoheshin të klikonin mbi platformë, skandalet shtoheshin edhe më shumë. Më fort se sa qeveria, transparencën po e bënin prokurorët speciale.

Në pak kohë SPAK po zbërthente korrupsionin endemik në administratë, mpleksjen gjithnjë e më të fortë mes grupeve kriminale dhe industrisë së ndërtimit për pastrimin e parave, deri te dy skandale të mëdha, në AKSHI dhe në zyrën ngjitur Edi Ramës.

SPAK konstatoi grup të strukturuar kriminal në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit me protagonistë treshen Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj e Ermal Beqiraj. Ndërkohë, zv.kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie e ndikim në tendera publikë.

Në këtë mjedis të rënduar, një incident në Zvërnec shënoi shkëndijën e një proteste të madhe qytetare.

Përballë mijëra shqiptarëve që i kërkojnë dorëheqjen, Edi Rama fillimisht agresiv e arrogant u detyrua të ndryshonte tonalitetin dhe strategjinë duke zbuluar magjinë e empatisë. Zgjidhja e krizës? Dy platforma dhe një portal online.

Pak muaj para zgjedhjeve lokale, me mijëra qytetarë në shesh, “Besa”, “Prania Besnike”, “Pasqyrë Albania” dhe “Flamingo Mirror” synojnë t’i bëjnë shqiptarët të besojnë se problemi nuk është Edi Rama, por se problemi është gjithçka tjetër përveç Edi Ramës.

Pasi nuk i dëgjoi për muaj të tërë, kryeministri u dha protestuesve flamingo një hapësirë dixhitale ku, sipas tij, bëhet transparenca e vendimeve të qeverisë për Zvërnecin, ndërsa shqiptarëve një portal ku të qajnë hallet dhe të presin që dikush pas një kompjuteri t’u japë përgjigje.

Por pa i vënë ende në funksion të plotë ato, qeveria u përball në tetor me një tjetër valë zemërimi. Edhe më të fortë, edhe më të vendosur. Protestat e studentëve treguan se sado portale dhe pasqyra të prezantojë qeveria, problemi – dhe aq më tepër zgjidhja – nuk janë dixhitale.

Një qeveri nuk izolohet nga qytetarët e saj për mungesë platformash komunikimi, por për mungesë besimi.
Besimi fitohet me vepra dhe humbet me fjalë.

Shpërndaje te miqtë