
Kryeministri Edi Rama shkarkoi të martën drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, menjëherë pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) urdhëroi pezullimin dhe vendosjen e saj në arrest shtëpiak.
Vendimi i gjykatës u mor pasi ajo akuzohet për zbulim të sekretit shtetëror dhe se ka ndihmuar një person, autor I dyshuar i një vepre penale.
Kryeministri, i cili aktualisht ndodhet në Nju Jork për sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cilësoi çështjen si një “çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, duke shkruar se "askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye."
Ai theksoi se çdo person duhet të konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar gjyqësor, por mbrojti gjithashtu qeverinë e tij nga çdo përpjekje për ta përfshirë politikisht në këtë çështje,
Rama shkruajti se “veprimet e drejtësisë nuk mund të kthehen në aktakuza kundër shumicës qeverisëse” dhe se ”qeveria nuk bën "avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë."
Sipas kryeministrit, pas kthimit në Tiranë, ai do të konsultohet me presidentin e vendit për emërimin e një drejtori të ri për shërbimin inteligjent — siç shkroi vetë ai: "do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit."
Dy të tjerë të arrestuar, kontrolle në Durrës
Pak orë përpara se Edi Rama ta shkarkonte nga detyra Vlora Hysenin, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi të martën se Hyseni ishte pezulluar nga detyra dhe ishte urdhëruar të qëndrojë në arrest shtëpiak, ndërsa dy persona të tjerë janë vënë nën masën "arrest në burg" në kuadër të të njëjtit hetim.
Hyseni dyshohet se ka ndihmuar një person në arrati të dyshuar për vepra penale, si dhe ka nxjerrë informacione sekrete gjatë ushtrimit të detyrës — një akuzë që parashikon deri në pesë vjet burg.
Sipas raportimeve, në momentin e urdhrit ajo ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, dhe SPAK bëri me dije se policia kishte ekzekutuar vetëm dy nga tri urdhrat e gjykatës, çka sugjeron se arresti shtëpiak ende nuk ishte vënë në zbatim.
Hyseni i është vetëdorëzuar autoriteteve të martën në mbrëmje në pikën kufitare të Morinës në Kukes, pasi ishte kthyer nga Azerbajxhani me një fluturim në aeroportin e Prishtinës.
Hyseni ka drejtuar SHISH-in që nga viti 2023, duke qenë gruaja e parë që mban këtë post. Përpara emërimit në Shqipëri, ajo kishte kaluar vite në shërbimet e sigurisë të Kosovës, ku për një kohë të shkurtër ishte edhe në krye të tyre, para se të shkarkohej nga Kryeministri Albin Kurti në qershor 2021. Pak kohë më pas, Rama e emëroi këshilltare të tij për sigurinë, ndërsa në 2023 e promovoi në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Në deklaratën e saj, SPAK përmendi edhe dy të dyshuar që nuk kishin figuruar më parë në raportimet mediatike: një drejtues në Institutin e Policisë Shkencore — agjencia e ekspertizës kriminalistike e Policisë së Shtetit — i dyshuar gjithashtu për zbulim sekreti shtetëror, dhe një punonjës i një biznesi agroturistik, i akuzuar për një vepër tjetër.
SPAK nuk sqaroi lidhjen mes këtyre dy personave apo me Hysenin.
Gjykata autorizoi gjithashtu kontrollin e banesës dhe të vetë personit të ish-drejtuesit të lartë të policisë, i identifikuar nga media si Ilir Proda, që drejtoi Policinë e Shtetit për 17 muaj, para se të shkarkohej në mars 2026.
Pyetje që mbeten pa përgjigje
Deklarata e SPAK-ut nuk përmend Ergys Agasin, të dyshuarin si drejtues i një grupi kriminal që operonte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që administron infrastrukturën dixhitale dhe bazat e të dhënave të qeverisë.
Disa media kanë lidhur operacionin e sotëm me atë hetim. Gazetarja Klodiana Lala raportoi se prokurorët kanë gjetur në telefonat e sekuestruar nga Agasi prova që përfshijnë zyrtarë të lartë.
Prokuroria nuk ka sqaruar ende çfarë informacioni dyshohet se ka zbuluar Hyseni, apo kujt dyshohet se i ka ardhur në ndihmë. Gjithashtu nuk është bërë e qartë nëse Proda është vënë në hetim, apo çfarë është gjetur gjatë kontrollit në banesën e tij.
As Hyseni, as Proda nuk kanë dhënë ende ndonjë koment publik.
Shpërndaje te miqtë
