Kryeministri Rama përballet me gazetaren për projektin "e mahnitshëm" që shkaktoi Revolucionin e Flamingove. Transkripti i intervistës së tij me televizonin britanik Channel 4

exit.al 30 Korrik 2026, 15:27

Ky është transkripti i intervistës që Kryeministri i Edi Rama i dha korrespondentes ndërkombëtare të Channel 4, Lindsey Hilsum, për protestat që vazhdojnë prej 60 ditësh dhe për projektin që i nisi të gjitha. Intervista u transmetua të mërkurën.

Kryeministri Rama përballet me gazetaren për projektin "e

Lindsej Hilsum: Së pari, ju falënderoj shumë që na pritët, zoti Kryeministër. Protestuesit janë këtu prej afro 60 ditësh. Si ndiheni kur keni protestues jashtë zyrës suaj natë pas nate?

Kryeministri Rama: Është e mahnitshme për vendin, për shoqërinë, sepse në të njëjtin bulevard, jo shumë kohë më parë, rreth 15 vjet më parë, njerëzit u vranë me plumba teksa protestonin paqësisht. Kam reflektuar shumë për këtë protestë dhe kam arritur të kuptoj se për njerëzit, me të drejtë, ajo nuk ka të bëjë me faktet; bëhet fjalë për pritshmëritë më të larta, të cilat i nxjerrin njerëzit në rrugë. Dhe është OK.

Lindsej Hilsum: Kjo gjë që nuk është diçka e keqe!

Kryeministri Rama: Kjo është e mahnitshme. Prandaj është kaq fantastike—kështu që i kuptoj.

Lindsej Hilsum: A keni rimenduar ndonjë nga politikat tuaja për shkak të këtyre protestave?

Kryeministri Rama: Cilat politika?

Lindsej Hilsum: Politikat për projektin në Sazan dhe Zvërnec, me të cilin nisi gjithçka, për shkak të rrezikimit të habitatit të flamingove dhe habitateve të tjera atje.

Kryeministri Rama: Jo, nuk ka nisur asnjë projekt.

Lindsej Hilsum: Epo, unë e kam parë.

Kryeministri Rama: Jo.

Lindsej Hilsum: Atëherë, çfarë paskam parë? Nuk duhet t’u besoj syve të mi?

Kryeministri Rama: Do t’ju tregoj se çfarë keni parë. Por nuk ka nisur asnjë projekt. Dhe, për të filluar me Sazanin, që ju e përfshitë në pyetjen tuaj, në Sazan nuk ka asnjë projekt, nuk ka asnjë marrëveshje. Përfshirja e Sazanit është krejtësisht e panevojshme, sepse ende nuk kemi asgjë në Sazan.

Lindsej Hilsum: Por, sigurisht, zoti Kushner dhe zonja Trump i lidhën të dyja bashkë, apo jo? Ata thanë se të dy projektet janë të lidhura.

Kryeministri Rama: Po, ideja është e lidhur.

Lindsej Hilsum: Atëherë, më tregoni si qëndron puna? Sepse shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku projekti kishte nisur dhe më pas ishte ndalur.

Kryeministri Rama: Jo, projekti nuk kishte nisur në Zvërnec.

Lindsej Hilsum: Atëherë, çfarë pashë unë me gardhet dhe të tjerat?

Kryeministri Rama: Do t’ju tregoj. Nuk ka filluar projekt. Janë vetëm përshtatjet për të kryer punimet paraprake, përpara se të jepej leja, bazuar në vlerësimin mjedisor, gjeologjik, hidrologjik.

Lindsej Hilsum: Por, normaja është që të bëhet një vlerësim mjedisor përpara se të futen buldozerët, sepse buldozerët mund ta dëmtojnë mjedisin. Pra, normalisht, do të çonit disa shkencëtarë që të shkonin atje dhe ta shqyrtonin.

Kryeministri Rama: Buldozerët atje janë përdorur për të hapur rrugëkalim për njerëzit, për komunitetin, për të lejuar hapjen e një rruge për komunitetin përmes pronës private, për të mos i penguar njerëzit që të shkojnë e të vijnë. Pra, nuk është...

Lindsej Hilsum: Por njerëzit shkonin e vinin, gjithsesi, në rrugën me rërë. Pra, nuk ishin të bllokuar më parë, por u bllokuan më pas, sepse u bllokuan nga gardhi.

Kryeministri Rama: Po e përsëris, tani, nëse i doni faktet, unë po ju tregoj faktet.

Lindsej Hilsum: Zoti Kushner tha se ju ishit në jaht me ta kur e gjetën ishullin në vitin 2020.

Kryeministri Rama: Më ftuan t’u bashkohesha disa njerëzve në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant, rrugës për në Mal të Zi.

Lindsej Hilsum: Ky ishte jahti i Nat Rothçajllditt?

Kryeministri Rama: Po. Më ftuan të shkoja. Shkova. Dhe u takova me Xharedin dhe Ivankën. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë ndonjë gjë për Shqipërinë, por me siguri mund t’ju them se nuk ishin të interesuar për asgjë rreth Shqipërisë në kuptimin e interesave të drejtpërdrejta. Ata ishin shumë të interesuar për historinë dhe vendin ku ndodheshim e kështu me radhë.

Së dyti, kur ndodhi kjo — kur, disa muaj më vonë, në Davos, takova Xharedin dhe ai shprehu interesin e tij dhe tha se do të ishte i interesuar të shqyrtonte mundësinë e investimit — sigurisht që unë thashë po. Si mund të thosha jo? Thashë po. Për mua është gjëja më normale.

Kjo do të jetë një nga gjërat më të mahnitshme që do t’i ndodhë Europës prej shumë kohësh; prej ca kohësh nuk i kanë ndodhur shumë gjëra të mahnitshme Europës.

Lindsej Hilsum: Përse është e mahnitshme?

Kryeministri Rama: Sepse nuk do të jetë ajo që njerëzit imagjinojnë, gabimisht, dhe sepse nuk do të jetë ajo që ju imagjinoni, gabimisht.

Lindsej Hilsum: Epo, unë nuk po imagjinoj. Thjesht kam parë atë që Xhared Kushner publikoi në Instagramin e tij dhe kam parë disa nga planet e tjera. Por e kuptoj se ato nuk janë planet përfundimtare.

Kryeministri Rama: Ajo që u publikua në Instagram ishte thjesht një postim ngacmues. Projekti ka evoluar, dua të them, procesi ka evoluar; tani janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe arkitektë peizazhi që janë të famshëm për punën me ligatinat, shumë të famshëm.

Dhe, në të njëjtën kohë, ne po kryejmë vlerësimin e ndikimit në mjedis në mënyrë të pavarur prej tyre. Pra, projekti nuk synon të brutalizojë një vend të bukur. Ai synon ta rigjenerojë atë.

Lindsej Hilsum: Komisioni Europian ka shprehur shqetësim dhe, natyrisht, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është shumë i rëndësishëm për ju. Komisioni është i shqetësuar për ligjet mjedisore dhe është gjithashtu i shqetësuar për ndryshimin e ligjit për mjedisin në vitin 2024, i cili krijon, si të thuash, një lloj hapësire ligjore për investimet strategjike. Mendoni se ndoshta mund ta rishikoni atë?

Kryeministri Rama: Dëgjoni, është mirë, është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar dhe nuk mund të jetë ndryshe.

Dhe, meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian, kështu që vetëm ideja se mund të ecim në një drejtim me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet europiane, është absurde.

Pra, për projektin po them vetëm: qetësohuni, flisni për faktet dhe për faktet e përbashkëta dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke treguar se sa katastrofike është gjithçka...

Lindsej Hilsum: Ju dukeni mjaft i lënduar personalisht nga këto akuza...

Kryeministri Rama: Jo, jo, jo, jo. Nuk jam i lënduar...

Lindsej Hilsum: Epo, por duket se e merrni shumë... Është interesante...

Kryeministri Rama: Nuk jam i lënduar...

Lindsej Hilsum: Sepse duket se e merrni mjaft personalisht.

Kryeministri Rama: Dëgjoni, gjithçka është personale. Kushdo që e bën punën e tij ose të saj me pasion, ka një lidhje personale me të. Nuk është... Por unë nuk... Nuk jam i lënduar.

Kjo më ka ndihmuar; jua thashë edhe më parë, për mua kjo protestë, ajo e qershorit, jo kjo, kanë qenë të dyja, ka qenë pohimi se vendi është në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se për çfarë duhet të reflektojmë.

 

 

Shpërndaje te miqtë