
Muri i zyrës i veshur me flutura plot ngjyra dhe vizatimet e tij abstrakte. Ena e qelqtë e mbushur me lapsa shumëngjyrësh. Koshi i basketbollit në paradhomë apo Kopshti Eden në oborrin e Godinës së Kryeministrisë janë të preferuarat e Edi Ramës.
Brenda të njëjtës godinë ndodhet salla ku zhvillohen zakonisht mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Edhe kjo iu nënshtrua një ndërhyrjeje të fortë estetike muajt e fundit, që nga muret, ngjyrat, ndriçimi e deri te tavolina e madhe në mes dhe poltronat përreth saj.
Në këtë sallë duhet të diskutohen dhe vendosen politikat publike dhe të merren vendimet ekzekutive të shtetit. Sipas Kushtetutës (nenit 102), është detyra parësore e Kryeministrit të kryesojë mbledhjet e Këshillit të Ministrave.
Mbledhjet e Këshillit të Ministrave nuk janë një formalitet administrativ. Ato janë forumi ku ministrat duhet të diskutojnë, kundërshtojnë, përmirësojnë dhe marrin kolektivisht vendimet më të rëndësishme të qeverisë.
Por duket se Kryeministrit nuk i pëlqejnë mbledhjet e qeverisë, ndaj ai zakonisht e delegon drejtimin e tyre.
Ligjërisht, nuk ka ndonjë kufizim ligjor për delegimin e drejtimit të mbledhjeve të qeverisë. Përkundrazi, Kushtetuta e parashikon këtë mundësi, duke pranuar se Kryeministri mund të ketë herë pas here angazhime të tjera.
Ky është edhe standardi i demokracive parlamentare perëndimore: drejtimi i mbledhjeve të kabinetit konsiderohet një nga funksionet më themelore të Kryeministrit dhe delegohet vetëm në raste të veçanta.
Pra, delegimi duhet të jetë përjashtim. Kur ai bëhet praktikë e përhershme për vite me radhë, jo vetëm ndryshon mënyra se si ushtrohet në praktikë ky funksion kushtetues, por kjo mund të sjellë pasoja në standardet e qeverisjes.
Bazuar mbi të dhënat e publikuara në rubrikën e akteve në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, Exit.al ka analizuar se si është drejtuar kabineti qeveritar prej shtatorit 2013, kur nisi punën qeveria Rama, deri më 15 korrik 2026.
Nga 626 mbledhje qeverie që janë zhvilluar gjatë thuajse 13 vitesh në pushtet, Edi Rama ka drejtuar vetë dhe firmosur vendimet në vetëm 367, ose rreth 59%.
Thënë ndryshe, kryeministri nuk e ka ushtruar një nga detyrat e tij kushtetuese pothuajse gjysmën e herëve që duhet ta ushtronte.
Edhe më domethënës është fakti se pjesëmarrja e Kryeministrit ka ardhur në rënie të vazhdueshme. Në vitin e parë të qeverisjes (2013) ai drejtoi rreth 87% të mbledhjeve, ndërsa gjatë vitit të kaluar vetëm rreth një të tretën, pra afërsisht 1 në çdo 3 mbledhje qeverie.
Tabela më poshtë jep përqindjen e drejtimit të mbledhjeve nga kryeministri nga viti 2013 deri më 2025.

Tani vjen pyetja e rëndësishme: te kush e ka deleguar kryeministri drejtimin e qeverisë?
Sipas Kushtetutës, delegimi bëhet te zëvendëskryeministri.
Në mandatin e parë delegimi është ushtruar nga Niko Peleshi. Në të dytin është ndarë sipas periudhave mes Senida Mesit, Erjon Braçes dhe shumë pak te Arben Ahmetaj.
Në mandatin e tretë pothuajse i gjithë delegimi ka qenë te Belinda Balluku.
Ish-zëvendëskryeministrja Balluku ka vendosur një rekord: për disa vite rresht, në fakt gjatë gjithë kohës që ajo ka qenë në këtë post, Zonja Balluku ka drejtuar më shumë mbledhje qeverie se vetë kryeministri.
Në mënyrë spektakolare, nga 28 shkurti 2025 deri më 2 shtator 2025, për më shumë se 5 muaj, kryeministri Rama nuk ka drejtuar asnjë mbledhje qeverie—këtë pushtet e ka ushtruar zonja Balluku.
Gjatë kësaj kohe, dhe në fakt si gjithmonë, Zoti Rama ka qenë në mënyrë konstante aktiv në rrjetet sociale me video, biseda dhe komente.
Kur delegimi kthehet nga përjashtim në rregull, ngrihen pikëpyetje për funksionimin real të pushtetit ekzekutiv. Kur mbledhjet ku merren vendime të rëndësishme politike, ekonomike ose të sigurisë drejtohen nga dikush tjetër, mund të mendohet arsyeshëm se vendimmarrja qeverisëse nuk zhvillohet sipas përcaktimeve kushtetuese.
Nëse Kryeministri shfaqet vetëm në komunikime publike apo në rrjetet sociale, ndërsa ministrat mund të debatojnë dhe marrin vendime pa udhëheqjen dhe koordinimin e duhur, minohet cilësia e qeverisjes dhe dobësohet përgjegjësia politike.
Megjithatë, argumenti se delegimi ka dobësuar rolin dhe kontrollin e Kryeministrit duket në përgjithësi i pabazë.
Paçka se nuk ka drejtuar mbledhjet e qeverisë, nuk ka pasur asnjë provë apo shenjë se kryeministrit i ka rrëshqitur dominimi i plotë mbi qeverinë.
Çdo vendim, masë dhe politikë qeverie apo aksion politik publik është paraqitur, shpjeguar dhe mbrojtur kurdoherë nga kryeministri dhe pa asnjë përjashtim është paraqitur si ide dhe vullnet i tij.
Kjo sugjeron një tjetër shpjegim të mundshëm: vendimmarrja e vërtetë ndodh jashtë kanaleve normale institucionale.
Diskutimet dhe vendimet ekzekutive përcaktohen në takime informale ose në rrethe të ngushta dhe mbledhjet e qeverisë shërbejnë për formalizimin e vendimeve të paracaktuara.
Nw disa raste vendimet merren në kanale private. Fakte të bëra publike nga hetimet e SPAK-ut dhe informacione të tjera, përfshi botimin e Dosjeve Shqiptare (The Albanian Files), kanë dokumentuar raste kur vendime të rëndësishme janë diskutuar dhe dakordësuar në takime ose komunikime private, përpara formalizimit të tyre institucional.
Kjo nënkupton se Kryeministri kontrollon krejtësisht pushtetin vendimmarrës, por e ushtron atë në mënyrë jashtë-institucionale—institucionet, përfshi mbledhjet e qeverisë, shërbejnë vetëm për formalizimin apo noterizimin e vendimmarrjes private.
Prandaj Zoti Rama e sheh të panevojshme të marrë pjesë në mbledhje qeverie.
Megjithatë, edhe pse vendimet e qeverisë mund të jenë vullnet final i kryeministrit, edhe kur autoriteti politik mbetet i përqendruar te Kryeministri, delegimi i vazhdueshëm i kompetencave formale krijon hapësira më të mëdha ndikimi për vartësit e tij, qendra të tjera pushteti dhe, për pasojë, abuzim të mëtejshëm të pushtetit.
Edhe pse nuk mund të thuhet se delegimi është shkaku direkt apo i vetëm për këto zhvillime, fakti është se periudha kur Balluku drejtoi më shumë mbledhje të qeverisë se vetë Zoti Rama (2021–2025) përkon me periudhën që sot është objekt i hetimeve më serioze të SPAK për abuzim të detyrës dhe korrupsion.
Zonja Balluku vetë akuzohet për një seri urdhrash dhe ndikimesh të paligjshme në shkelje të ligjeve të prokurimit publik, ndërsa drejtuesit e AKSHI-t akuzohen për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal për të përfituar nga fondet publike.
Një kryeministër mund të ushtrojë pushtet edhe pa drejtuar mbledhjet e qeverisë. Por një shtet modern nuk ndërtohet vetëm mbi autoritetin personal. Ai ndërtohet mbi institucione që funksionojnë rregullisht, sipas roleve dhe përgjegjësive të përcaktuara.
Kur pushteti personal zëvendëson institucionin, kryeministri mund të bëhet më i fortë, por qeverisja bëhet më e dobët dhe, bashkë me të, edhe vetë shteti.
