Komisioni Evropian propozon rregulla të reja për anëtarësimin. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë

Alba Mborja 6 Tetor 2026, 10:29

Strategjia e re e Komisionit Evropian synon një rrugë më të qartë drejt BE-së, me më pak mundësi për bllokime. Por vitet e para të anëtarësimit mund të vijnë me masa mbrojtëse më të forta se më parë.

Komisioni Evropian propozon rregulla të reja për

Bashkimi Evropian mund të ndryshojë mënyrën e pranimit të anëtarëve të rinj. Një strategji e re e Komisionit Evropian, të cilën Exit e ka parë para publikimit zyrtar, tregon se si BE-ja synon të përgatitet për zgjerimin e mëtejshëm. Propozimet nuk janë ende rregulla të miratuara.

Synimi është i thjeshtë: zgjerimi duhet ta forcojë BE-në. Për këtë qëllim, Komisioni propozon që BE-ja të përshtatë disa nga qasjet e veta dhe të vendosë garanci shtesë për vendet e reja.

BE-ja mund të zgjerohet pa ndryshime të traktateve

Debati nëse BE-ja duhet të reformohet nga brenda përpara se të pranojë anëtarë të rinj ka vazhduar prej vitesh. Një pjesë e tij lidhet me ndryshimin e traktateve themelore, që shërbejnë si “kushtetuta” e BE-së.

Komisioni ka arritur në përfundimin se shumica e politikave ekzistuese të BE-së mund të përballojnë më shumë anëtarë. Ndryshimet e nevojshme janë të vogla dhe Komisioni beson se shumica mund të bëhen pa ndryshuar traktatet.

Në përgatitje për zgjerimin, buxheti afatmesëm 2028–2034 i BE-së do të përfshijë një dispozitë për rishikimin e tij kur pranohen anëtarë të rinj.

Kostoja e përgjithshme e çdo zgjerimi do të varet nga negociatat, veçanërisht për bujqësinë dhe fondet për zhvillimin e rajoneve. Për Malin e Zi, Komisioni vlerëson se hyrja e tij do t’i kushtonte çdo qytetari të BE-së më pak se një euro në vit.

Më pak veto, vendime më të shpejta

Një nga problemet kryesore të një unioni më të madh është vendimmarrja. Në disa fusha, vendimet mund të merren vetëm me unanimitet. Duke u rritur numri i anëtarëve, rritet edhe mundësia që një vend i vetëm të bllokojë vendimet.

Për këtë arsye, Komisioni propozon që të përdoret më shpesh votimi me shumicë të cilësuar, përfshirë në politikën e jashtme dhe vendosjen e sanksioneve. Përdorimi i dispozitave të posaçme për të kaluar nga unanimiteti në këtë mënyrë votimi kërkon fillimisht miratim unanim.

Komisioni propozon që votimi me shumicë të cilësuar të vlejë edhe për hapat e ndërmjetëm të negociatave me vendet kandidate. Aktualisht, hapja dhe mbyllja e kapitujve bëhet me miratimin e të gjitha vendeve, dhe çdo vend mund ta ndalë këtë pjesë të procesit.

Sipas propozimit, këto hapa do të vendoseshin me shumicë të cilësuar. Vendimi përfundimtar për anëtarësimin do të kërkonte ende miratimin e të gjitha vendeve anëtare.

Për vendet kandidate, kjo mund të nënkuptojë më pak bllokime dhe një rrugë më të parashikueshme, nëse ndryshimi miratohet.

Mbikëqyrje më e fortë pas anëtarësimit

Pas anëtarësimit, qasja e propozuar bëhet më e rreptë. Komisioni kërkon garanci që anëtarët e rinj do t’i mbajnë angazhimet e marra gjatë negociatave. Synimi është të shmanget kthimi pas: një vend bën reformat që duhen për të hyrë, por pasi hyn i zhbën ose nuk i zbaton më.

Komisioni propozon katër masa kryesore mbrojtëse.

E para, anëtarëve të rinj mund t’u kërkohet të angazhohen politikisht që të mos bllokojnë vendimet që kërkojnë unanimitet për një periudhë të caktuar pas anëtarësimit. Këtu përfshihen edhe vendimet për pranimin e vendeve të tjera.

E dyta, mekanizmat mbrojtës ekzistues do të shtirhen më shumë në kohë. Ata i lejojnë BE-së të ndërhyjë nëse një anëtar i ri shkakton probleme serioze në ekonomi, në tregun e përbashkët ose në drejtësi dhe siguri. Komisioni propozon zgjatjen nga tre në dhjetë vjet pas anëtarësimit, por kohëzagjatja e saktë nuk është vendosur ende.

E treta, propozohet një klauzolë e re financiare. Nëse mangësitë në shtetin e së drejtës prekin ose rrezikojnë fondet apo interesat financiare të BE-së, Komisioni do të mund të propozojë masa proporcionale deri në pezullimin e fondeve ëpr vendin përkatës.

E katërta, një klauzolë e re institucionale. Nëse një anëtar i ri shkel rëndë vlerat e BE-së ose detyrimin për të bashkëpunuar me institucionet dhe vendet e tjera, Këshilli mund t’i pezullojë përkohësisht disa të drejta, përfshirë të drejtën e votës në Këshill. Vendimi për këtë do të merret me shumicë të cilësuar.

Duke përmbledhur: strategjia e re propozon mbikëyrje më të fortë dhe masa shtesë mbrojtëse gjatë viteve të paa të anëtarësimit për vendet e reja.

Integrim hap pas hapi

Strategjia kërkon të zbatojë në praktikë “integrimin gradual”.

Vendet kandidate do të mund të marrin përfitime para anëtarësimit, duke u bërë gradualisht pjesë e programeve, tregjeve dhe strukturave të BE-së, në varësi të përparimit që bëjnë.

Fushat prioritare për t’u përfshirë janë mbrojtja dhe siguria kibernetike, kërkimi shkencor, rrjetet energjetike, shërbimet dixhitale dhe sistemi evropian i pagesave në euro.

Rregulli është: për të njëjtin nivel përgatitjeje, mundësi të ngjashme. Niveli i pjesëmarrjes do të varet nga përparimi i reformave.

Vendet kandidate do të mund të marrin pjesë më herët edhe në punën e institucioneve të BE-së. Në varësi të përparimit, që gjatë negociatave, vendet anëtare do të marrin pjesë si vëzhguese në grupe ekspertësh, komitete dhe agjenci të BE-së.

Pas përfundimit të negociatave, propozohet që vendet të marrin pjesë si vëzhguese në Këshillin Evropian dhe organet e tjera vendim-marrëse të BE-së.

Komisioni sugjeron, gjithshtu, të shqyrtohet mundësia që, pas nënshkrimit të traktatit të anëtarësimit, një vend të caktojë një komisioner për të marrë pjesë në punën për çështje përkatëse para anëtarësimit zyrtar.

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë

Shqipëria përmendet me emër në dokument. Bashkë me Malin e Zi, përshkruhet si vend i përparuar në negociata. Për të dyja, Komisioni thotë se prioriteti është të përfundojnë negociatat.

Për Shqipërinë, strategjia sjell dy ndikime kryesore.

E para, një udhërrëfyes specifik. Nëse përparimi mbetet i kënaqshëm, Komisioni parashikon të paraqesë udhërrëfyes të veçantë për Shqipërinë (sikurse edhe për Malin e Zi, Ukrainën e Moldavinë) në Paketën e Zgjerimit 2026.

Udhërrëfyesi do të rendisë reformat që mbeten për t’u bërë, piketat kryesore që duhet të përmbushen dhe radhën e hapave që duhet të ndërmerren.

E dyta, Shqipëria mund të jetë më pak e ekspozuar ndaj bllokimeve gjatë negociatave pasi asnjë shtet i vetëm nuk do të mund të bllokojë mbylljen e kapitujve. Por secili do të ruante të drejtën për të kundërshtuar pranimin përfundimtar.

Një rrugë më e qartë me garanci më të forta

Komisioni propozon një rrugë më të qartë drejt anëtarësimit, me më pak mundësi për bllokime gjatë negociatave dhe me përfitime që mund të vijnë para hyrjes në BE.

Në të njëjtën kohë, kërkon garanci më të forta që reformat të vazhdojnë të funksionojnë edhe pas anëtarësimit.

Për Shqipërinë, strategjia është njëkohësisht mundësi dhe paralajmërim.

Përfundimi i negociatave mbetet përparësi, por nuk ka një datë të garantuar anëtarësimi.

Nëse propozimet miratohen, BE-ja do të ketë mjete më të forta për të reaguar ndaj kthimit pas edhe pasi Shqipëria të ketë hyrë.

Anëtarësimi do të sjellë të drejta të reja, por nuk do ta mbyllë detyrimin për të mbajtur angazhimet dhe për të zbatuar reformat.

Shpërndaje te miqtë