Krimi u rrit me 17 për qind gjatë vitit 2025. Pikat kryesore të raportit të DASH për Shqipërinë

Stafi i theExit 28 Korrik 2026, 16:20

Krimi u rrit me 17 për qind gjatë vitit 2025. Pikat kryesore të

Departamenti Amerikan i Shtetit e vlerëson Shqipërinë si një vend me rrezik mesatar për krimin që prek interesat e qytetarëve amerikanë.

Ky është vlerësimi më i fundit i Këshillit Këshillimor të Sigurisë Jashtë Vendit (OSAC) në lidhje me kushtet me të cilat do të ndeshen udhëtarët amerikanë në Shqipëri.

Raporti nxjerr në pah ndikimin e krimit të organizuar, korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, reagimin e ngadaltë të policisë, pasigurinë rrugore dhe mangësitë e shërbimit shëndetësor.

Kriminaliteti

Kriminaliteti i përgjithshëm në Shqipëri u rrit me rreth 17 për qind gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024.

Në të njëjtën kohë:

  • grabitjet ranë me 21 për qind;
  • vrasjet ranë me rreth 3 për qind;
  • nuk evidentohen rreziqe të veçanta për rrëmbime.

Krimi në rrugë është i përhapur në zonat urbane, kryesisht gjatë natës. Rastet më të zakonshme përfshijnë vjedhjet në banesa të pabanuara dhe automjete, si dhe grabitjen e çantave.

Megjithatë, grabitjet me armë dhe krimet e tjera të dhunshme ndaj udhëtarëve të huaj konsiderohen të rralla.

Raporti evidenton gjithashtu sulme me mina të telekomanduara, të cilat zakonisht shënjestrojnë persona të përfshirë në konflikte ose mosmarrëveshje.

Krimi i organizuar

Sipas raportit, krimi i organizuar ka ndikim të dukshëm në Shqipëri.

Në vend vepron një rrjet organizatash kriminale të përfshira në:

  • trafikun e drogës;
  • zhvatje;
  • ryshfet;
  • pastrim parash;
  • prostitucion;
  • trafikim të qenieve njerëzore.

Shumë prej armëve të paligjshme që qarkullojnë në Evropë e kanë origjinën nga Shqipëria ose kalojnë tranzit përmes saj.

Zgjedhjet dhe stabiliteti politik

Raporti vëren se zgjedhjet në Shqipëri kanë pasur më parë elemente të krimit të organizuar dhe korrupsionit në procesin e votimit.

Megjithatë, sipas tij, zgjedhjet e fundit kanë treguar një proces më të balancuar dhe më të drejtë. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u zhvilluan kryesisht në qetësi, ndërsa u raportuan raste të izoluara parregullsish.

Problemet e evidentuara përfshijnë:

  • përdorimin e burimeve publike nga partia në pushtet;
  • gjuhën përçarëse të dy partive kryesore;
  • mungesën e transparencës në financimin e fushatës.

Protestat

Protestat politike janë të zakonshme në Shqipëri. Ato zhvillohen përgjithësisht në mënyrë paqësore, por në të kaluarën ka pasur edhe raste dhune.

Raporti përmend protestat e vitit 2026 kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Sipas tij, protestat nisën në nivel lokal dhe me karakter mjedisor, por më pas u zgjeruan duke përfshirë thirrje kundër korrupsionit qeveritar. Në disa raste, ato u shndërruan në protesta të dhunshme.

Korrupsioni dhe zbatimi i ligjit

Korrupsioni dhe sistemi gjyqësor, i cili vazhdon të jetë në reformim, kufizojnë efektivitetin e zbatimit të ligjit në Shqipëri.

SPAK-u trajton çështje komplekse që lidhen me terrorizmin, korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Ai bashkëpunon me agjencitë kryesore ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe me prokuroritë partnere.

Raporti vëren se Shqipëria ka një kuadër të mirë ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve.

Megjithatë, investitorët e huaj vazhdojnë të identifikojnë si probleme kryesore:

  • korrupsionin, përfshirë atë në sistemin gjyqësor;
  • mungesën e transparencës;
  • problemet në prokurimet publike;
  • mungesën e konkurrencës;
  • ekonominë e madhe informale;
  • zbatimin e dobët të kontratave.

Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Megjithëse krijimi i SPAK-ut në vitin 2019 ka rritur arrestimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që kryejnë abuzime, shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi vazhdojnë t’i shmangen ndjekjes penale.

Korrupsioni mbetet problem edhe në burgje, veçanërisht në lidhje me aksesin në punë dhe programet e posaçme të lirimit.

Reagimi i policisë

Policia ka prani të dukshme në Tiranë dhe në qytetet e tjera të mëdha.

Megjithatë, reagimi ndaj incidenteve është shpesh i ngadaltë për shkak të mungesës së burimeve dhe personelit.

Siguria rrugore

Drejtimi i automjeteve në Shqipëri mund të jetë i vështirë. Shumë drejtues nuk respektojnë rregullat e qarkullimit, ndërsa aksidentet janë të shpeshta dhe shpesh shkaktojnë plagosje të rënda ose viktima.

Infrastruktura rrugore është përmirësuar gjatë viteve të fundit. Rrugët kryesore ndërmjet qyteteve janë përgjithësisht të asfaltuara, por shumë rrugë në fshatra dhe lagje mbeten të paasfaltuara dhe në gjendje të dobët.

Drejtimi i automjetit gjatë natës konsiderohet i rrezikshëm për shkak të mungesës së ndriçimit rrugor.

Karburanti dhe shërbimet e riparimit gjenden lehtësisht në zonat e banuara, por Shqipëria nuk ka një sistem të mirëfilltë asistence rrugore.

Shërbimet e emergjencës konsiderohen të pamjaftueshme. Personeli i ndihmës së parë ka trajnim dhe pajisje të kufizuara, ndërsa në shumë raste të aksidentuarit transportohen drejt spitalit me automjetet e kalimtarëve.

Transporti publik

Transporti publik në Shqipëri është i kufizuar dhe përgjithësisht nuk rekomandohet për vizitorët.

  • Transporti hekurudhor është i kufizuar, me infrastrukturë të dobët dhe shërbim jo të besueshëm.
  • Autobusët lidhin shumicën e qyteteve kryesore, kryesisht gjatë ditës, por oraret mund të ndryshojnë.
  • Transporti urban me autobus është përmirësuar, por vjedhjet e xhepave janë të shpeshta.

Shërbimi shëndetësor

Kujdesi shëndetësor në disa zona të Shqipërisë është i pamjaftueshëm, ndërsa shërbimet e urgjencës janë shumë të kufizuara.

Jashtë Tiranës nuk ka spitale të specializuara për trajtimin e traumave dhe vendi ka pak ambulanca. Në raste të rënda, të plagosurit ose të sëmurët mund të transportohen drejt spitalit me taksi ose automjete private.

Udhëtarëve u rekomandohet të marrin me vete sasi të mjaftueshme të barnave që përdorin rregullisht, pasi farmacitë shqiptare mund të mos kenë markën ose llojin e nevojshëm.

Raporti këshillon gjithashtu përdorimin vetëm të ujit të ambalazhuar, pasi uji i rubinetit në Shqipëri nuk i plotëson standardet amerikane për cilësinë e ujit të pijshëm.

Shpërndaje te miqtë