
Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë dënoi të mërkurën katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur më shumë se tre vjet.
Hashim Thaçi, ish kryeministër dhe ish President i Kosovës u dënua me 25 vite burg, ndërsa Jakup Krasniqi, ish kryetar i Kuvendit të Kosovës me 25 vite burg.
Kadri Veseli, ish drejtues i shërbimit sekret dhe më pas ish Kryetar i Kuvendit të Kosovës u dënua me 18 vite burgim dhe Rexhep Selimi, ish komandant i UÇK-së, ministër dhe deputet u dënua me 13 vite burg.
Në këto dënime do të llogaritet edhe koha që të katërt kanë kaluar në paraburgim që nga nëntori 2020.
Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra Speciale e Prokurorisë janë u themeluan përmes një procesi të gjatë politik dhe juridik, që nisi me kërkesën dhe nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar dhe u përmbyll me vendime kushtetuese të vetë shtetit të Kosovës.
Dhomat e Specializuara do të shërbenin për të gjykuar krimet e pretenduara të kryera në kontekstin e luftës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës votoi më 3 gusht 2015 miratimin e Gjykatës Speciale, e cila u bë funksionale në vitin 2017. Për shkak të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe ruajtjes së neutralitetit, u vendos që ajo të ishte jashtë Kosovës, në Hagë.
Rasti ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit përfshinte ngjarje në Kosovë, por edhe të tjera në Kukës dhe Cahan në veri të Shqipërisë.
Zyra Speciale e Prokuroria nuk arriti të provonte ekzistencën e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj një popullsie civile, duke rrëzuar akuzat për krime kundër njerëzimit.
Megjithatë, gjykata arriti në përfundimin se ishin provuar disa krime lufte dhe se katër të akuzuarit mbanin përgjegjësi penale individuale për to.
Sipas trupit gjykues, Prokuroria provoi se gjatë luftës në Kosovë u kryen arrestime dhe ndalime të paligjshme, tortura dhe vrasje nga pjesëtarë të UÇK-së. Gjykata konstatoi se 96 persona u vranë dhe të paktën 385 persona u ndaluan në mënyrë të paligjshme.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së i kanë mohuar akuzat gjatë gjithë procesit.
Gati gjashtë vite në Hagë
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023. Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave në prill 2025, ndërsa procedurat e provave u mbyllën në dhjetor të të njëjtit vit. Deklaratat përfundimtare u mbajtën në shkurt 2026. Në proces dëshmuan 134 persona.
Në total, Prokuroria kishte ngritur ndaj katër ish-drejtuesve 10 akuza: gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.
Prokuroria kishte kërkuar dënim deri në 45 vite burg për secilin prej tyre. Mbrojtja kishte kërkuar shpalljen të pafajshëm të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Vendimi pritet të apelohet
Vendimi është vendim i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë.
Procesi në Hagë është ndjekur me vëmendje të madhe në Kosovë. Mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë dhe në Hagë në mbështetje të katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në Prishtinë, qytetarët protestuan deri në orët e vona të mbrëmjes. Në Hagë, shqiptarët e mbledhur përpara Gjykatës protestuan dhunshëm dhe u përleshën me policinë.
Shpërndaje te miqtë
