Gjykata e Tiranës lë në burg aktivisten turke me status refugjati në Francë

Stafi i Exit.al 8 Gusht 2026, 10:30

Gjykata e Tiranës lë në burg aktivisten turke me status refugjati

Gjykata e Tiranës caktoi të premten masën e sigurisë “arrest në burg” për aktivisten turke Julide Jazici (Jülide Yazıcı), e kërkuar nga autoritetet turke për të vuajtur pjesën e mbetur të një dënimi për ndihmë ndaj një organizate terroriste.

32-vjeçarja do të mbahet në burg derisa autoritetet shqiptare të shqyrtojnë kërkesën e Turqisë për ekstradimin e saj.

Jazici u arrestua më 4 gusht në aeroportin e Rinasit, ku mbërriti nga Franca, pasi Policia Kufitare zbuloi se ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Turqia.

Sipas autoriteteve turke, ajo është dënuar me katër vjet e dy muaj burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Stamboll për propagandë dhe ndihmë për një organizate terroriste. Asaj i kanë mbetur pa shlyer rreth tre vjet e gjyswm burg.

Por Jazici ka statusin e refugjates në Francë, ku jeton prej gjashtw vjetwsh.  

Nw nwtor 2020, Gjykata Kombëtare Franceze për të Drejtën e Azilit vendosi se, nëse Jazici do të kthehej në Turqi, ajo rrezikonte të përndiqej për shkak të aktivitetit të saj politik.

Sipas BIRN, Jazici ka marrë pjesë në protestat e parkut Gezi kundër qeverisë së Presidentit Rexhep Tahip Erdogan në vitin 2013 dhe ka mbështetur Partinë Demokratike të Popujve, një forcë e majtë prokurde.

Ajo u arrestua në Turqi në janar 2016, kur ishte studente e filozofisë në Universitetin Boğaziçi. Fillimisht u akuzua për anëtarësim në një organizatë të armatosur, por më pas akuza u ndryshua në ndihmë me vetëdije ndaj një organizate terroriste, pa qenë pjesë e strukturës së saj.

Kërkesa për ekstradimin e Jazicit në Turqi do të shqyrtohet nga drejtësia shqiptare në javët e ardhshme. Përballë kërkesës së Ankarasë qëndron detyrimi ndërkombëtar i Shqipërisë për të mos kthyer një person në një vend ku rrezikon përndjekje, torturë ose trajtim çnjerëzor.

 

Shpërndaje te miqtë