Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Lartë vendosi këtë të martë, 15 shtator, të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Çështja ishte rikthyer në Gjykatën e Lartë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja kishte kërkuar që të rishqyrtohej masa e sigurisë dhe të argumentohej më qartë përse arresti në burg ishte proporcional, duke marrë parasysh edhe faktin që Veliaj vazhdon të mbajë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Megjithatë, pas rishqyrtimit, Gjykata e Lartë vendosi që masa të mos ndryshojë dhe Veliaj të vijojë të qëndrojë në burg.
Si nisi çështja ndaj Veliajt
Erion Veliaj ndodhet në burg që prej 10 shkurtit 2025, pasi Gjykata e Posaçme caktoi ndaj tij masën “arrest në burg”, me kërkesë të SPAK.
Hetimi lidhet me dyshime për korrupsion, pastrim parash, fshehje ose mosdeklarim pasurie dhe shpërdorim detyre. Sipas SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dyshohen se kanë përfituar në mënyrë të parregullt nga kompani dhe organizata që kishin marrë fonde publike ose leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës.
Në shtator 2025, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve dhe e dërgoi çështjen për gjykim. Veliaj i ka kundërshtuar akuzat, ndërsa fajësia e tij mund të përcaktohet vetëm me një vendim përfundimtar të gjykatës.
Përplasja për mandatin e kryebashkiakut
Qëndrimi i Veliajt në burg hapi edhe debatin për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Në shtator 2025, Këshilli Bashkiak propozoi shkarkimin e tij nga detyra, ndërsa më pas qeveria miratoi shkarkimin dhe u caktuan zgjedhje të pjesshme për Tiranën.
Veliaj e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Në nëntor 2025, Kushtetuesja rrëzoi vendimin për shkarkimin dhe anuloi zgjedhjet e parashikuara për Bashkinë e Tiranës.
Për këtë arsye, Veliaj vazhdon formalisht të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, edhe pse prej më shumë se një viti e gjysmë ndodhet në burg.
Çështja e masës së sigurisë vazhdoi ndërkohë në gjykata. Në maj 2026, Gjykata Kushtetuese vendosi që Gjykata e Lartë duhej ta rishqyrtonte çështjen dhe të argumentonte më mirë nevojën për mbajtjen e Veliajt në burg.
Kjo solli edhe shqyrtimin e kësaj të marte, por vendimi nuk ndryshoi: Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në “arrest në burg”.
Ndërkohë, vendimet e dy gjykatave, Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi shkarkimin e tij, dhe Gjykatës së Lartë që e mbajti Veliajn në masë sigurie në burg, kanë krijuar një hapësirë që është shfrytëzuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës për t’u futur në ngërç përditshmërinë e Bashkisë. Pak javë më parë ai i hoqi delegimin e firmës nënkryetares Anduela Ristani, duke shkarkuar edhe atë edhe të gjithë nënkryetarët e tjerë të Bashkisë.
Këto vendime, që ngjanin edhe me një larje hesapesh të klaneve të pushtetit socialist, i paraprinë seancës së Gjykatës së Lartë me shpresën se do të shërbenin si argument për lirimin e Veliajt, për sa kohë askush nuk merrte dot vendime apo firmoste në Bashki.
Aktualisht të drejtën e firmës e ka vetëm kryetari i Bashkisë, që këtë muaj, vendimet për pagat dhe ndihmën sociale i ka bërë nga burgu.
Shpërndaje te miqtë
