Gjoba, listë e zezë dhe kufizim të protestave: Studentët sfidojnë në Kushtetuese masat represive të Ramës

Bledar M. Kurti 5 Nëntor 2026, 14:04

Vetëm në tre ditët e fundit, Policia e Tiranës ka vendosur të paktën 83 gjoba nga 5 mijë lekë secila ndaj protestuesve, për një total prej 415.000 lekësh.

Gjoba, listë e zezë dhe kufizim të protestave: Studentët

Studentët kërkojnë rrëzimin në Gjykatën Kushtetuese të masave ligjore të kryeministrit Rama për kufizimin e protestave.

Përmes një deklarate, “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor” deklaruan se përmes tyre kryeministri Rama dhe shumica qeverisëse “synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin”.

Gjoba, listë e zezë dhe kufizim të protestave: Studentët

Studentët kërkojnë që “Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi” dhe, deri në “vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e akteve” edhe nëse Kuvendi i miraton ato.

Padia e studentëve mbështetet edhe nga katër organizata të mëdha të shoqërisë civile: Qendra Res Publica, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania.

Për studentët tre vendimet kanë një mesazh të përbashkët: kushdo që ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat.

“Qeveria thotë se me këtë paketë ‘protesta paqësore mbrohet’ dhe se ‘përgjegjësia është gjithnjë vetjake’, por paketa ‘antidhunë’ ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”.

Çfarë thonë konkretisht tre masat e qeverisë:

Akti Normativ për “Ndryshime në Ligjin ‘Për tubimet’”

  • Drejtori i policisë, me miratim të prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë protestat në një perimetër rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore për 72 orë ose më shumë.
  • Policia mund të urdhërojë largimin e personave nga zona të caktuara deri në 48 orë.
  • Pjesëmarrja në tubim të ndaluar gjobitet me 10.000 – 100.000 lekë.
  • Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për shpërndarje gjobitet deri në 200.000 lekë.
  • Mosbindja ndaj urdhrit të policisë kur personi ka identitet të fshehur (maskë) gjobitet 50.000 – 500.000 lekë, ose me rreth 10 paga minimale.
  • Bllokimi i rrugëve gjobitet 5.000 lekë për çdo person dhe për çdo ditë bllokimi.
  • Fshehja e identitetit, përfshirë gazetarët, gjobitet 10.000 – 100.000 lekë.
    Policia mund të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjetet sociale sipas vlerësimit të saj.

Akti Normativ për kompensimin e dëmeve të protestave

  • Përgjegjësia financiare bie mbi personat që kanë shkaktuar dëmin.
  • Organizatorët e protestës.
  • Prindërit, nëse dëmi është shkaktuar nga të mitur.
  • Shteti paguan fillimisht dëmin dhe më pas kërkon kthimin e parave nga personat dhe organizatorët e identifikuar.
  • Skema zbatohet edhe për dëme të shkaktuara para hyrjes në fuqi të aktit.

Vendimi për Krijimin e Regjistrit të Posaçëm Elektronik

  • Ky vendim krijon një “listë të zezë” nga policia për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale me dhunë gjatë protestave.
  • Regjistri administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
  • Përmban të dhëna personale dhe procedurale të personave të referuar në prokurori për akte dhune gjatë tubimeve.
  • Policia Kufitare ka akses dhe mund të refuzojë administrativisht daljen jashtë vendit të personit të regjistruar, edhe nëse nuk ka vendim gjykate për masë sigurie “ndalim i largimit jashtë shtetit”.
  • Të njoftojë autoritetet e shtetit ku personi udhëton, edhe nëse i lejohet dalja.
  • Policia njofton edhe hotelet dhe strukturat akomoduese për personat e përfshirë në regjistër.
  • Emri fshihet vetëm nëse prokuroria njofton për mosfillim ose pushim të procedimit penal.

Studentët shprehen se “një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë.”

“Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik.”

Gjoba, listë e zezë dhe kufizim të protestave: Studentët

Vetëm në tre ditët e fundit, Policia e Tiranës ka vendosur të paktën 83 gjoba nga 5 mijë lekë secila ndaj protestuesve, për një total prej 415.000 lekësh.

Të gjitha këto gjoba janë vendosur për bllokim të rrugës dhe pengim të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugën e Durrësit.

Në disa raste, policia ka proceduar penalisht edhe persona të tjerë, përfshirë të mitur, për mosbindje ndaj urdhrave të saj.

Shpërndaje te miqtë