GJKKO rrëzon paditë për shpifje ndaj drejtuesve të opozitës

Stafi i theExit 21 Shtator 2026, 17:48

GJKKO rrëzon paditë për shpifje ndaj drejtuesve të

Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rrëzuar të hënën paditë për shpifje ndaj Sali Berishës, familjarëve të tij dhe eksponentëve të opozitës.
Gjykata e Posaçme ka pushuar padinë e Taulant Ballës, duke liruar Sali Berishën nga akuzat për fyerje dhe shpifje të kryer botërisht.
Gjykata, përveç mbylljes së çështjes, i ka ngarkuar zotit Balla edhe shpenzimet gjyqësore.

Padia ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është depozituar në fund të muajit prill të këtij viti.
Zoti Berisha kishte publikuar një “mesazh të qytetarit digjital”, sipas të cilit akuzohej kryetari i grupit parlamentar socialist se kishte liruar nga burgu i Peqinit Mario Çelën.
Mario Çela është vëllai i Suel Çelës, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia në Shqipëri për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike dhe porositjes së vrasjeve.

Opozita dhe vetë zoti Berisha kanë akuzuar shpeshherë eksponentë socialistë dhe zotin Balla në veçanti për bashkëpunim me krerët e bandave kriminale, përfshirë Suel Çelën, të dale, sipas tyre, edhe nga përgjimet në aplikacionet ilegale Sky ECC dhe EncroChat.

Po në të njëjtën ditë, e njëjta Gjykatë ka liruar nga të njëjtat akuza për fyerje dhe shpifje të kryer botërisht edhe dhëndrin e zotit Berisha, zotin Jamarbër Malltezi, si dhe deputetin e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
Zoti Malltezi dhe zoti Këlliçi ishin akuzuar nga gazetari dhe botuesi i Shqiptarja.com dhe Report TV, zoti Karlo Bolino.

Zoti Bolino kishte paditur Malltezin dhe Këlliçin pasi ata e kishin akuzuar atë për grabitje të pronës publike përmes marrjes së godinës ku ushtron aktivitetin media e tij, si dhe për përfitime nga afera e inceneratorëve.
Pushimi i padisë u bë për shkak të mospjesëmarrjes së palëve në proces. Avokati i zotit Bolino e justifikoi mungesën e tij me bojkotin e avokatëve që kundërshtojnë rregulloren e re të GJKKO-së për mosmbajtjen e celularit.
Pretendimi nuk është pranuar nga Gjykata, e cila më pas ka vendosur të rrëzojë akuzat ndaj Malltezit dhe Këlliçit.
Edhe në këtë rast, Gjykata ia ka lënë paditësit, zotit Bolino, pagesat e shpenzimeve gjyqësore.

 

Shpërndaje te miqtë