Gazetari holandez van Gerven Oei prangoset dhe merret në pyetje nga policia pas protestës në Tiranë

Leonora Ukaj 8 Nëntor 2026, 13:02

Vincent van Gerven Oei, kritik i hershëm i kryeministrit Edi Rama, u shoqërua në mbrëmje pas protestës dhe u lirua pa akuzë pas më shumë se dy orësh.

Gazetari holandez van Gerven Oei prangoset dhe merret në pyetje nga policia

Policia e shtetit shoqëroi dje në mbrëmje gazetarin dhe autorin e njohur holandez Vincent van gerven Oei, në mbrëmje vonë pasi protesta kundër qeverisë po shpërndahej. Ai u prangos dhe dërgua në Rajonin e Policisë Nr. 3, ku u mbajt për më shumë se dy orë. Në rajon policët e morën në pyetje në mënyrë agresive para se t’i komunikonin të drejtat e tij dhe më pas e liruan pa asnjë akuzë.

Vincent W.J. van Gerven Oei, i cili ka jetuar në Shqipëri pjesën më të madhe të dekadës së fundit dhe ka shkruar gjerësisht për politikën shqiptare, tregoi se pasi protesta kishte mbaruar, ai po ecte në bulevard para Parkut Rinia duke shkuar në një takim kur u ndalua nga një grup policësg.

Ai u tha policëve se ishte gazetar dhe shtetas holandez. Kur e pyetën se çfarë po bënte aty, u përgjigj se kishte ndjekur protestën dhe se po shkonte në një takim. Megjithatë, një epror urdhëroi që ai të shoqërohej. Sipas Van Gerven Oei, dhe siç tregojnë pamjet e arrestimit, pasi u prangos ai pyeti disa policët për arsyen e shoqërimit. Askush nuk i dha përgjigje.

Alisa Braho, gazetare që ndodhej aty pranë, ndërhyri duke u thënë policëve disa herë se Van Gerven Oei ishte gazetar dhe duke u kërkuar atyre ta lëshonin, por ata e injoruan. Ndërsa ajo filmonte arrestimin, një polic i hodhi spruco me piper djegës duke e lëndeuar Një pjesë e sprucos  i ra në fytyrë edhe Van Gerven Oei, i cili mbeti për pak çaste i vrbuar, ndërkohë që ishte ende i prangosur. Sipas tij, policia nuk i ofroi asnjë ndihmë mjekësore.

Pamjet e regjistruara nga Braho tregojnë Van Gerven Oei duke u përsëritur vazhdimisht policëve se është shtetas holandez, gazetar dhe autor librash.

Atë e futën në një furgon të policisë, ku e kontrolluan atë dhe çantën e shpinës. Më pas ai u dërgua në Komisariatin nr. 3, ku iu mor telefoni dhe u vendos në dhomën e shoqërimit.

Sipas tij, policët e morën në pyetje në mënyrë agresive pa i komunikuar më parë të drejtat. Ata pretenduan se kishin pamje ku ai hidhte gurë, si dhe video të tjera komprometuese.

Van Gerven Oei mohoi se kishte hedhur gurë apo se kishte kryer ndonjë akt dhune. Ai tha se policia ia komunikoi të drejtat vetëm pas këtij raundi pyetjesh, dhe pas kësaj toni i tyre u zbut. Ai u lirua pas më shumë se dy orësh, pa iu ngritur akuzë dhe pa iu vendosur gjobë. Policia nuk ia ktheu telefonin dhe nuk dha asnjë shpjegim.

Shoqërimi ndodhi në kuadër të një fushate gjithnjë e më të ashpër të policisë kundër protestave që kanë përfshirë Tiranën prej javësh.

Pas përplasjeve të dhunshme të 24 tetorit, kryeministri Rama paralajmëroi masa të rënda ndëshkuese ndaj protestuesve. Ato përfshijnë gjoba deri në 500 mijë lekë për këdo që qëndron në një tubim pasi policia urdhëron shpërndarjen, edhe nëse personi nuk ka kryer vetë asnjë akt dhune.

Qeveria i miratoi masat me akt normativ para dy javësh dhe që atëherë, policia ka shoqëruar dhe gjobitur protestues pothuajse çdo natë. Disa prej të gjobiturve më 3 nëntor deklaruan se kishin protestuar në mënyrë paqësore. Në një rast tjetër, një turist i huaj ishte mes tre personave të shoqëruar nga turma para Kryeministrisë.

Van Gerven Oei, filolog dhe botues, është një nga themeluesit e Exit.al.

Ai është gjithashtu kritik i qeverisë. Një ndër librat e tij të fundit është Rënia e së ardhmes: Arti, korrupsioni dhe fundi i tranzicionit shqiptar, një përmbledhje esesh prej 422 faqesh mbi mënyrën se si arti, korrupsioni dhe politika u ndërthurën në tranzicionin e vështirë të Shqipërisë pas rënies së komunizmit veçanërisht pas ardhjes në pushtet të Kryeministrit Rama.

Së bashku me fotografin Marco Mazzi, ai ka realizuar edhe përmbledhjen me ilustrime Lapidari, një studim në disa vëllime mbi monumentet e periudhës komuniste në Shqipëri.

Gjatë muajve të fundit, van Gerven Oei ka botuar një seri artikujsh mbi Dosjet Shqiptare (The Albanian Files), një libër luksoz prej 750 faqesh me parathënie nga Rama, që prezanton arkitektët ndërkombëtarë pas bumit të ndërtimit në Shqipëri.

Ai ka argumentuar se libri nuk është dëshmi e ndonjë rilindjeje arkitektonike, por një katalog i klientelizmit të kryeministrit.

Në libër, arkitektë të njohur të huaj tregojnë se si janë rekrutuar personalisht nga kryeministri, përmes mesazheve në Instagram dhe telefonatave në orët e vona të natës. Disa prej tyre rrëfejnë se si shkonin drejtpërdrejt te Rama për të anashkaluar rregullat e planifikimit urban. Në një nga kontributet, arkitekti holandez Reinier de Graaf i shkruante Ramës se do të ishte më mirë për profesionin nëse zgjedhjet e vitit 2025 do të anuloheshin dhe ai do të qeveriste përjetë. De Graaf deklaroi më vonë se letra ishte satirike.

Aktivistë dhe politikanë të opozitës e kanë dorëzuar librin në SPAK si provë korrupsioni. Të shtunën u bë e ditur se SPAK ka nisur një hetim për zhvillimet turistike që lidhen me librin, ndonëse ende nuk ka asnjë person zurtarisht të dyshuar.

Nuk është hera e parë që van Gerven Oei përballet me armiqësi për shkak të punës së tij. Në shtator 2024 gjatë një çeljeje ekspozite në Tiranë, artisti Driant Zeneli dhe tre shoqërues të tij e sulmuan verbalisht me fyerje homofobe dhe tentuan ta sulmonin fizikisht.

Incidenti ndodhi pas një artikulli ku ai kishte nxjerrë në pah lidhjet mes një fondacioni arti të drejtuar nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Ajola Xoxa dhe kompanisë që qëndron pas inceneratorit të qytetit.

Organizatat për lirinë e shtypit janë gjithnjë e më të shqetësuara për trajtimin e gazetarëve gjatë protestave. Muajin e kaluar, rrjeti SafeJournalists dënoi përdorimin e përsëritur dhe joproporcional të forcës nga policia e Tiranës ndaj gazetarëve.

 

Shpërndaje te miqtë